Rusia: Të gjitha marrëveshjet duhet të jenë sipas kushteve tona
(last modified Wed, 12 Mar 2025 18:46:56 GMT )
Mars 12, 2025 19:46 Europe/Tirane
  • Rusia: Të gjitha marrëveshjet duhet të jenë sipas kushteve tona

Rusia duket se është e rezervuar dhe po e lë fillimisht të hapur përgjigjen e saj pas propozimit për një armëpushim të përkohshëm në Ukrainë.

Qeveria ruse do të marrë vendimet e veta për konfliktin në Ukrainë, deklaroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, pa dhënë detaje të tjera.

“Përcaktimi i pozicionit të Federatës Ruse nuk zhvillohet jashtë vendit për shkak të disa ujdive ose përpjekjet e disa palëve. Përcaktimi i qëndrimit i Federatës Ruse zhvillohet brenda Federatës Ruse”, theksoi Zakharova.

Nënkryetari i Këshillit të Federatës Ruse, Konstantin Kosachev, në një mesazh në Telegram shkroi: “Kushtet janë amerikane, jo ukrainase. Ukrainasit pajtohen me atë që u thuhet. Dhe në të njëjtën kohë ata përulen dhe bëjnë lajka”. Nuk do të funksionojë kështu me Rusinë, sepse Rusia është në marshim e sipër. “Të gjitha marrëveshjet duhet të jenë sipas kushteve tona, jo sipas kushteve amerikane”, ishte mesazhi i tij.

Ndërkohë, Sekretari amerikan i shtetit Marco Rubio njoftoi se do të flasë me palën ruse lidhur me planin e armëpushimit në luftën me Ukrainën.

Kievi ra dakord me propozimin e Uashingtonit për armëpushim, por tani sytë janë kthyer nga Moska. “Ne mirëpresim rezultatet e bisedimeve”, tha presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen.