Këshilli i Sigurimit dënon vrasjen e alevitëve sirianë
Në një deklaratë të përgatitur nga Amerika dhe Rusia lidhur me zhvillimet e fundit në Siri, Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara dënoi sulmet, dhunën dhe masakrën ndaj civilëve nga ana e qeverisë së presidentit sirian Ahmed al-Shara' (Al-Xhulani) kundër alevitëve të këtij vendi.
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, Këshilli i Sigurimit i OKB-së, të premten me orën lokale, në këtë deklaratë shtoi se dënon fuqishëm dhunën e përhapur, duke përfshirë vrasjen e civilëve në provincat Latakia dhe Tartus të Sirisë.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së deklaroi: “Autoritetet e përkohshme të Sirisë duhet të mbrojnë dhe respektojnë të gjithë sirianët, pavarësisht nga përkatësia etnike dhe fetare”.
Në deklaratën e vet, Këshilli dënoi dhunën e përhapur në perëndim të Sirisë që nga 6 marsi, e cila përfshinte vrasje masive të civilëve, veçanërisht në mesin e komunitetit alevit.
Këshilli i Sigurimit deklaroi: “Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve në Siri të ndërpresin dhunën dhe të sigurojnë mbrojtjen e civilëve dhe të infrastrukturës”.
Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut njoftoi të enjten, më 13 mars, një javë pas fillimit të sulmit vdekjeprurës nga elementët e al-Xhulanit në provincat Latakia dhe Tartus, se me zbulimin e disa skenave të tjera krimi në provincat e lartpërmendura, numri i viktimave civile gjatë sulmit në këto provinca ka arritur në 1476 civilë.
Këshilli i Sigurimit bëri thirrje gjithashtu për rritjen e mbështetjes ndërkombëtare, duke përfshirë përpjekjet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe organizatave humanitare për të shtuar me shpejtësi ndihmat humanitare për civilët në të gjithë Sirinë.