Irani denoncon sulmin izraelit në aeroportin e Damaskut
(last modified 2022-06-17T18:55:16+00:00 )
Qershor 17, 2022 20:55 Europe/Tirane
  • Irani denoncon sulmin izraelit në aeroportin e Damaskut

Irani ka dënuar ashpër agresionin e regjimit izraelit kundër Sirisë pas sulmit të së premtes që synonte aeroportin e Damaskut, duke riafirmuar mbështetjen e tij të palëkundur për Sirinë.

Ministri i Jashtëm Hossein Amir-Abdollahian i bëri komentet të premten gjatë një bisede telefonike me homologun e tij sirian Faisal al-Mekdad, disa orë pasi një sulm ajror izraelit shënjestroi zonat në afërsi të Aeroportit Ndërkombëtar të Damaskut, kryeqyteti sirian. Republika Islamike ka qëndruar gjithmonë pranë qeverisë dhe popullit sirian dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë edhe në të ardhmen, pohoi kryediplomati iranian, i cili aktualisht po viziton Indinë. Ai tha se sulmet e vazhdueshme të regjimit izraelit në infrastrukturën e Sirisë nuk ishin vetëm shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit, por gjithashtu përbënin një shkelje të të gjitha ligjeve ndërkombëtare dhe normave dhe parimeve humanitare. Amir-Abdollahian e cilësoi heshtjen e komunitetit ndërkombëtar dhe organizatave rajonale përballë agresionit izraelit si “patetike dhe të dënueshme”. Zyrtari sirian, nga ana e tij, shprehu mirënjohjen e vendit të tij për Republikën Islamike dhe tha se kombi sirian do të mbështesë rezistencën e tij kundër okupimit dhe agresionit të regjimit sionist. Duke iu referuar sulmit ajror të së premtes, Mekdad tha se regjimi izraelit përdor sulme të tilla të dëshpëruara për të prishur qetësinë dhe stabilitetin në rajon, në mënyrë që të mund të largojë vëmendjen nga kriza e tij e brendshme. Ai më tej tha se sulmet kishin për qëllim të përforconin mbetjet e grupeve terroriste takfiriste, si ISIS dhe Fronti Al-Nusra, duke shtuar se ky agresion nuk do të çonte askund. Inkursione të tilla, përfundoi zyrtari sirian, vetëm do të forconin vendosmërinë e qeverisë dhe popullit sirian për t'u përballur me okupimin dhe terrorizmin.

 

Tags