Irani: Qasja ushtarake e SHBA-së ndërlikon situatën rajonale
https://parstoday.ir/sq/news/iran-i154608
Ministri i Jashtëm iranian Hossein Amir-Abdollahian tha se qasja ushtarake e Shteteve të Bashkuara e ka komplikuar situatën në rajon dhe ka krijuar pengesa në rrugën drejt një zgjidhjeje politike të konflikteve rajonale.
(last modified 2024-12-07T13:52:14+00:00 )
Shkurt 03, 2024 19:57 Europe/Tirane
  • Irani: Qasja ushtarake e SHBA-së ndërlikon situatën rajonale

Ministri i Jashtëm iranian Hossein Amir-Abdollahian tha se qasja ushtarake e Shteteve të Bashkuara e ka komplikuar situatën në rajon dhe ka krijuar pengesa në rrugën drejt një zgjidhjeje politike të konflikteve rajonale.

Në një takim me të dërguarin e posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Jemenin, Hans Grundberg në Teheran të shtunën, Amir-Abdollahian kritikoi sulmet ushtarake të SHBA-së dhe Britanisë kundër Jemenit dhe vendimin e Uashingtonit për të vendosur lëvizjen e rezistencës Ansarullah të Jemenit në listën e " subjekteve terroriste".

Diplomati i lartë iranian përsëriti mbështetjen e Teheranit për vendosjen e paqes dhe sigurisë së qëndrueshme në Jemen.

Përpjekjet për të përmirësuar stabilitetin dhe sigurinë në të gjithë rajonin do të ishin të dobishme për të gjitha vendet në rajon, tha Amir-Abdollahian.

Ai dënoi gjithashtu sulmet ajrore të SHBA-së ndaj objektivave në Irak dhe Siri, të cilat, tha ai, kanë ardhur nga vazhdimi i qasjes së gabuar Uashingtonit për të zgjidhur çështjet rajonale nëpërmjet bullizmit dhe militarizmit.

Të paktën 16 persona u vranë, mes tyre civilë dhe 25 u plagosën në sulmet ajrore të SHBA-së gjatë natës së kaluar në objektiva në Irak.

I dërguari i OKB-së, nga ana e tij, vlerësoi Iranin për përpjekjet e tij për të përmirësuar sigurinë dhe stabilitetin në rajonin e Azisë Perëndimore, veçanërisht në Jemen.

Grundberg e informoi ministrin e Jashtëm iranian mbi punën e OKB-së për vendosjen e paqes dhe lehtësimin e tensioneve në Jemen dhe nënvizoi nevojën për zgjidhjen e krizave rajonale duke shfrytëzuar kapacitetet ndërrajonale.