Mogherini: Irani ka zbatuar angazhimet e tij në marrëveshjen bërthamore
Irani ka zbatuar plotësisht angazhimet dhe zotimet e tij në kuadër të programit të përbashkët të veprimit të marrëveshjes bërthamore mes Iranit dhe grupit 5+1.
Kështu deklaroi Federika Mogherini shefe e diplomacisë evropiane pas takimit të përbashkët të ministrave të jashtëm të Iranit dhe grupit 5+1, takim që u mbajt në ambientet e selisë së OKB në Nju Jork. Në një prononcim për media, shefja e diplomacisë evropiane tha se Irani ka zbatuar angazhimet e tij në kuadër të programit të përbashkët të veprimit dhe shtoi: “Ne kemi marrë 3 raporte nga ANEA ku konfirmohet se Irani ka ndërmarrë të gjitha hapat që duhej të merrte rreth programit të tij bërthamor. Ne edhe një herë së bashku theksojmë në rëndësinë politike dhe historike të kësaj marrëveshjeje. Kjo marrëveshje i tregoi botës se edhe problemet më të vështira mund të zgjidhen me anë të diplomacisë dhe bashkëbisedimeve në kuadër të principit fitues-fitues”. Ndër të tjera shefja e diplomacisë evropiane tha se çështja e raketave balistike të Iranit nuk është diskutuar në takimin e së enjtes mes ministrave të jashtëm të Iranit dhe grupit 5+1, pasi testimet raketore të Iranit nuk janë shkelje e marrëveshjes bërthamore. Shefja e diplomacisë evropiane ndër të tjera vuri në dukje se në takimin e Nju Jorkut është diskutuar për heqjen e pengesave për bankat e huaja dhe institutet financiare, të cilat bllokojnë bashkëpunimin e këtyre bankave me Iranin. Vlen të theksohet se ky është takimi i parë i mbajtur në nivel ministrash të jashtëm në selinë e OKB në Nju Jork që nga koha e zbatimit të marrëveshjes bërthamore mes Iranit dhe grupit 5+1.