Zarif dhe Lavrov bisedojnë rreth takimit të paqes në Astana
Muhamed Xhavad Zarif dhe Sergei Lavrav, ministrat e punëve të jashtëm të Iranit dhe Rusisë, në një bisedë telefonike kanë shqyrtuar programin e parashikuar për negociatat e paqes në Siri që do të zhvillohen në Astana, kryeqytetin e Kazakistanit.
Agjencia e lajmeve IRNA njoftoi se Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë ka deklaruar se gjatë kësaj bisede telefonike të zhvilluar ditën e hënë, Lavrov dhe Zarif kanë diskutuar në lidhje me situatën në Siri. Sipas programit të deklaruar, negociatat mes përfaqësuesve të qeverisë dhe opozitarëve sirianë do të zhvillohen më 23 janar me pjesëmarrjen edhe të një delegacioni të OKB. Këto negociata dyditore zhvillohen në kuadër të strategjisë për zgjidhjen politike të krizës në Siri sipas marrëveshjes së 20 dhjetorit 2016 të arritur në takimin mes ministrave të punëve të jashtme të Rusisë, Iranit dhe Turqisë që u zhvillua në Moskë. Në deklaratën përfundimtare të takimit të Moskës janë theksuar çështje si lufta kundër grupeve terroriste ISIS dhe Fronti Nusra, mobilizimi botëror për bashkëpunim kundër terrorizmit, ruajtja e tërësisë territoriale dhe sovranitetit të Sirisë, refuzimi i opsionit ushtarak për zgjidhjen e krizës në Siri, zbatimi i rezolutës 2254 të KS të OKB, ndihma gjithëpërfshirëse për popullin sirian dhe organizimi i negociatave mes palëve siriane në Kazakistan.