Sot në Teheran filloi punimet samiti botëror "Udhërrëfyesit e Turizmit"
Samiti i 17-të i konventës botërore të udhërrëfyesve të turizmit ka filluar sot në prani të presidentit të Republikës Islamike të Iranit në Teheran.
Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve njoftoi se në këtë konventë janë pjesëmarrës 340 udhërrëfyes të turizmit nga 36 vende të botës dhe zhvillohet me qëllim të prezantimit dhe për të vizituar vendet e turizmit historik, kulturor dhe natyror të vendeve mikpritëse. Qëllim tjetër i rëndësishëm i këtij samiti është zhvillimi i qëndrueshëm i industrisë së turizmit dhe i lidhjeve mes udhërrëfyesve duke ngritur edhe njohurit dhe moralin profesional të tyre në bazë të standardeve botërore. Samiti i konventës botërore të udhërrëfyesve të turizmit është tubimi më i madh i udhërrëfyesve të turizmit në botë. Ky samit organizohet një herë në dy vjet nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të Federatës Botërore të Udhërrëfyesve të Turizmit (WFTGA).