Larixhani kërkon ruajtjen e unitetit dhe solidaritetit mes vendeve islamike
Kryetari i parlamentit islamik të Iranit në takimin që pati me kryetarin e parlamentit të Libanit tha se ruajtja e unitetit dhe e solidaritetit mes vendeve islamike është domosdoshmëri në situatën e re ndërkombëtare.
Në kuadër të konferencës ndërkombëtare në mbështetje të Intifadës palestineze, kryetari Ali Larixhani u takua me Nabih Berri kryetar i parlamentit të Libanit. Ai foli mbi rëndësinë e mbështetjes së aspiratave dhe idealeve të Palestinës dhe tha se uniteti mes vendeve islamike në kushtet aktuale të botës është faktor i domosdoshëm. Kryetari Larixhani e cilësoi tepër të rëndësishëm pjesëmarrjen e Nabih Berri në konferencën e gjashtë ndërkombëtare në mbështetje të intifadës palestineze që zhvillohet në Teheran. Nga ana e tij kryetari i parlamentit të Libanit, pasi vlerësoi Iranin për organizimin e konferencës kushtuar Palestinës tha se në kushtet aktuale haxhi politik i myslimanëve është mbështetja për Palestinën dhe kjo mund të realizohet vetëm në Teheran. Kryetari Berri rikujtoi se padyshim vala e zgjimit islamik nis me çështjen e Palestinës dhe në këtë fushë duhen mbrojtur aspiratat e Palestinës. Nabih Berri, regjimin sionist e quajti Shejtanin e Madh të botës dhe tha se Irani ka bërë përpjekje të shumta për paqen dhe sigurinë e rajonit dhe bota arabe nuk mund t’i imponojë Iranit fenë e saj. Konferenca e gjashtë ndërkombëtare në mbështetje të intifadës palestineze ka nisur punimet dje me fjalimin e liderit suprem Ajetollah Khamenei dhe në prani të delegacioneve nga 80 vende të botës.