Ruhani: Forcimi i marrëdhënieve Teheran-Ankara i shërben stabilitetit të rajonit
Presidenti i RII gjatë takimit të zhvilluar sot në Islamabad me presidentin e Turqisë, deklaroi se zgjerimi i marrëdhënieve miqësore të bazuara në principin e fqinjësisë së mirë, është prioritet kryesor i politikës së jashtme të Iranit dhe forcimi i marrëdhënieve Teheran-Ankara është në favor të stabilitetit dhe paqes në rajon.
Hasan Ruhani, president i RII në takimin me presidentin turk Rexhep Taip Erdogan tha se Irani dhe Turqia janë dy vende të rëndësishme të rajonit dhe forcimi i marrëdhënieve dypalëshe ndikon jo vetëm në mirëqenien dhe progresin e dy vendeve, por edhe të gjithë rajonit. “Zgjidhja politike e problemeve dhe e mosmarrëveshjeve do të ndikojë në krijimin e një klime paqe dhe stabiliteti në rajon dhe Irani gjithmonë këmbëngulë në ruajtjen e tërësisë territoriale të vendeve të rajonit e në veçanti të Sirisë dhe Irakut”-deklaroi presidenti Ruhani. Duke theksuar se krizat dhe mosmarrëveshjet nuk janë në interes të asnjë vendi në rajon, z. Ruhani shtoi: Lufta dhe gjakderdhja si dhe ndërhyrjet e fuqive të huaja në rajon duhet të marrin fund menjëherë. Nga ana e tij presidenti turk Rexhep Taip Erdogan i cilësoi pozitive marrëdhëniet mes dy vendeve dhe shtoi: Turqia synon finalizimin e marrëveshjes së preferencës tregtare me Iranin dhe është angazhuar që volumi i shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve të arrijë në 30 miliardë dollarë në vit. Erdogan e cilësoi të domosdoshëm bashkëpunimin Teheran-Ankara për zgjidhjen e krizave rajonale dhe për suksesin e luftës kundër terrorizmit.