Kritika të reja ndaj Turqisë
Autoritetet e Hollandës kanë kritikuar Turqinë për veprimet e saj sidomos pas tensioneve të krijuara me Gjermaninë.
Kryeministri i Hollandës ka kritikuar vendimin e ministrit të jashtëm të Turqisë për të mbajtur një fjalim në Hollandë lidhur me referendumin për ndryshimet kushtetuese në Turqi. Mark Rute me anë të një mesazhi në Facebook, the se një veprim i tillë është i papranueshëm për qeverinë e Hollandës. Kryeministri i Hollandës ka thënë se ambienti i hapur në Hollandë nuk është vendi i përshtatshëm për konkurrencën politike të vendeve të tjera. Turqia dhe Gjermania kohët e fundit kanë tensionuar marrëdhëniet mes tyre. Një grindje mes Ankarasë dhe Berlinit mbi një seri takimesh politike turke të anuluara në Gjermani, ka bërë që tensionet mes palëve të përshkallëzohen. Një ditë më parë, presidenti turk Rexhep Taip Erdogan e akuzoi Berlinin se “po ndihmon dhe po strehon” terrorizmin. Ai tha se gazetari turko-gjerman i arrestuar në Turqi është një “agjent gjerman” dhe anëtar i grupit të jashtëligjshëm të militantëve kurdë. Por burime nga ministria e jashtme e Gjermanisë i kanë konsideruar të tilla pretendime si absurde. Më herët, kancelarja gjermane Angela Merkel tha se ajo e respektonte vendimet e autoriteteve lokale për të anuluar tubimet që ministrat turq të drejtësisë dhe ekonomisë ishin parashikuar të organizonin. Turqia po përpiqet të tërheqë votuesit etnikë turq lidhur me referendumin e rëndësishëm që vendi organizon në prill. Mbështetja e 1.4 milionë turqve që jetojnë në Gjermani do të jetë e rëndësishme për Erdogan, që me këtë referendum, kërkon të zgjerojë fuqitë e tij presidenciale, duke zbehur rolin e parlamentit. Zyrtarët turq janë zemëruar pasi zyrtarët gjermanë tërhoqën lejet për të mbajtur tubime në qytetet e Gagennau, Köln e Frechen. Kjo solli në reagimin e ashpër të Ministrit të Jashtëm turk, Mevlut Çavushoglu, i cili akuzoi qeverinë gjermane se nuk mbështet ndryshimet kushtetuese të planifikuara nga Erdogan. Me tone kërcënuese, ministri i kërkoi Gjermanisë të mos ndërhyjë në çështjet e brendshme turke dhe të mësojë të sillet, duke e trajtuar Turqinë ashtu siç duhet. Ndërkohë, ministri i jashtëm gjerman tha se qeveria qendrore e vendit nuk kishte aspak të bënte me anulimet e evenimenteve dhe Ankaraja nuk duhet t’i shtojë benzinë zjarrit. Grindja mes palëve është shqetësuese për kancelaren Merkel, pasi ajo arriti të bindte Turqinë të mos lejonte hyrjen e emigrantëve, më së shumti sirianë, në Bashkimin Europian. Pritej që Erdogan të mos i pranonte kritikat për trajtimin e gazetarëve në Turqi. Por në këtë situatë, korrespondenti i arrestuar gjerman me prejardhje, Deniz Yücel ka rënë në mes të fronteve. Erdogan e quan atë “spiun”. Tani presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan e akuzon korrespondentin e gazetës gjermane, “Die Welt”, Deniz Yücel për aktivitete spiunazhi për Gjermaninë. Yücel është “një agjent gjerman” dhe “përfaqësues” i partisë së ndaluar kurde, PKK, tha Erdogan. Ndërsa autoritetet gjermane, Erdogani i akuzoi për mbështetje të terrorizmit në Turqi.