Përkrahja e hapur e SHBA për grupin terrorist MEK
Administrata amerikane në kuadër të politikave të përkrahjes së grupeve terroriste, e lejoi grupin terrorist Munafekin (MEK) që të organizojë aktivitete anti-iraniane në Uashington.
Siç njofton agjencia e lajmeve IRIB, grupi terrorist Moxhahedin-e-Khalk (MEK), në një veprim të koordinuar me politikat anti-iraniane të qeverisë së SHBA dhe në një aktivitet në Uashington, kërkoi që Garda Revolucionare e Iranit të renditet në listën e grupeve terroriste. Ky veprim i MEK bëhet në një kohë kur një muaj më parë, administrata amerikane shqyrtoi bazat ligjore për emërimin “terrorist” të Gardës Revolucionare të Iranit. Në Shkurt 2017, presidenti amerikan Donald Trump, u shpreh se ka në plan që Gardën Revolucionare të Iranit t’a vendosë në listën e grupeve terroriste, por kjo ide u kundërshtua nga shumë qarqe politike dhe të sigurisë në SHBA. Të gjitha agjencitë e sigurisë së SHBA e paralajmëruan presidentin Trump mbi pasojat që do të kishte ky veprim mbi sigurinë kombëtare të SHBA. Nga ana e tij, ministri i Jashtëm iranian, Muhamed Xhevad Zarif, deklaroi se e gjithë bota e di se Garda revolucionare e Iranit ka bërë përpjekjet më të mëdha për të ndihmuar vendet e rajonit në luftën kundër terrorizmit. Duhet theksuar se grupi terrorist MEK gjithmonë ka pasur përkrahjen e SHBA, Britanisë dhe Izraelit dhe gjithmonë ka kryer sulme terroriste kundër Iranit në kuadër të politikave anti-iraniane të këtyre tre shteteve. Edhe vrasja e shkencëtarëve bërthamorë të Iranit ka qenë rezultat i planit të koordinuar të SHBA, Britanisë, Izraelit dhe grupit terrorist MEK.