Ruhani: Vendosmëria botërore është e domosdoshme për luftën kundër ekstremizmit
Presidenti i Republikës Islamike të Iranit deklaroi se në botën aktuale nevoja për vendosmërinë botërore për të luftuar kundër dhunës dhe ekstremizmit po ndjehet më shumë se në çdo kohë tjetër dhe njeriu sot ka nevojë dhe dëshiron një botë me një bashkëjetesë multietnike.
Agjencia e lajmeve IRNA njoftoi se Hasan Ruhani të martën në një takim të zhvilluar me profesorët dhe studentët e Universitetit të Moskës, pas një ceremonie solemne ku mori titullin "Doktor Nderi" nga ky universitet, deklaroi se rënia e hegjemonisë së perëndimit dhe fundi i monopolizimit të pasurisë, ka krijuar një rast historik për vënien e themeleve të një bote të re. Z. Ruhani shtoi: "Sot vendosmëria botërore për të luftuar kundër dhunës dhe ekstremizmit është e domosdoshme". Presidenti iranian duke theksuar se islamofobia, racizmi dhe idetë takfiriste kanë rrënjë të përbashkëta, tha: "Bota duhet ta shndërrojë detyrimin në zgjedhje, imponimin në tolerancë, nënçmimin në nderim dhe dhunën e ekstremizmin në dashuri dhe miqësi". Hasan Ruhani i cili po qëndron në Rusi për një vizitë zyrtare me ftesë të Vladimir Putin, presidentit të Rusisë, pas kësaj ceremonie do të fillojë negociatat zyrtare me presidentin e Rusisë në Kremlin dhe do t'i diskutojë marrëdhëniet bilaterale, rajonale dhe ndërkombëtare mes të dy vendeve.