Irani kërkon dialog mes Katarit dhe vendeve arabe të Gjirit Persik
Ministria e Jashtme e Iranit i ka kërkuar Katarit dhe vendeve arabe fqinje në Gjirin Persik të zgjidhin mosmarrëveshjet mes tyre përmes diplomacisë dhe dialogut pasi gjashtë shtete arabe ndërprenë marrëdhëniet diplomatike me Katarin dhe imponuan bllokada të udhëtimit dhe transportit.
"Zgjidhja e mosmarrëveshjeve midis vendeve të rajonit, duke përfshirë edhe mosmarrëveshjen aktuale midis Katarit dhe tre shteteve të tij fqinjë, është e mundur vetëm përmes rrugëve politike dhe paqësore, si dialogu transparent midis palëve të përfshira", tha të hënën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit z. Behram Kasemi. Ai shtoi se asnjë vend në rajon dhe në botë nuk do të përfitonte nga përshkallëzimi i tensioneve midis shteteve fqinjë, sidomos në një kohë kur vendet rajonale dhe botërore po vuanin nga pasojat e përhapjes së terrorizmit dhe ekstremizmit. "Republika Islamike e Iranit u bën thirrje të gjithë fqinjëve të përfshirë në kontestet e vazhdueshme në jug të Gjirit Persik për të mësuar nga përvojat e hidhura të viteve të fundit në rajon dhe të lëvizin drejt reduktimit të tensionit dhe rikthimit të paqes dhe bashkëpunimit ", tha z. Kasemi. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit theksoi se përdorimi i sanksioneve në botën aktuale është një veprim joefikas dhe i papranueshëm. Ai tha se ruajtja e sovranitetit kombëtar dhe integriteti territorial i vendeve të pavarura dhe mosndërhyrja në çështjet e tyre të brendshme si dhe respektimi i kufijve të njohur ndërkombëtarisht ishin ndër parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare, të cilat duhet të respektohen nga të gjithë.