Irani njeh vetëm shtetin e integruar dhe federal të Irakut
Një zyrtar i lartë iranian paralajmëroi se çdo veprim separatist "i paligjshëm" në Irak do të shkallëzonte pasigurinë në vend dhe në të gjithë rajonin, duke thënë se Republika Islamike e Iranit njeh vetëm një shtet të integruar dhe federal të Irakut.
Sekretari i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, admiral Ali Shamkhani, e bëri këtë deklaratë të dielën duke shprehur kundërshtimin e Republikës Islamike ndaj një referendumi të planifikuar mbi pavarësinë e rajonit gjysmë autonom të Kurdistanit të Irakut, duke thënë se plani do të dështonte të mbronte interesat e popujve të rajonit. Ai shtoi se referendumi do të çonte në shfaqjen e kërcënimeve të reja kundër rajonit të Kurdistanit dhe do ta bënte situatën shumë më të komplikuar. “Në një kohë kur Iraku po afrohet në fazën përfundimtare të luftës për të eliminuar plotësisht terroristët takfiristë , falë përpjekjeve dhe sakrificave të popullit të vendit, duke përfshirë arabët, kurdët dhe turkmenët, masa të tilla ilegale padyshim do të kenë ndikime negative në sigurinë e vendit, e veçanërisht të rajonit të Kurdistanit” vuri në dukje admiral Shamkhani. Ai tha se qëndrimi i Iranit mbi rëndësinë e ruajtjes së unitetit dhe të integritetit territorial të Irakut ishte "i pandryshueshëm", duke shtuar: "Çdo dëmtim i këtij parimi strategjik do të çonte në rishikimin dhe ndryshimin serioz të bashkëpunimit ekzistues midis Iranit dhe rajonit të Kurdistanit të Irakut ". Sekretari i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit theksoi se legjitimiteti i vendkalimeve kufitare të Iranit me rajonin e Kurdistanit irakian varet nga fakti se zonat kurde ishin pjesë e një Iraku të pandarë, duke shtuar se Republika Islamike do të mbyllte të gjitha kalimet kufitare dhe do të përfundonte marrëveshjet ushtarake dhe të sigurisë në qoftë se rajoni gjysmë autonom shkëputet nga Iraku.