Kryeparlamentari iranian viziton Rusinë, Putini në nëntor në Teheran
Kryetari i Parlamentit iranian z. Ali Larixhani u largua sot nga Teherani për Shën Petersburg, të Rusisë, për të marrë pjesë në mbledhjen e 137-të të Unionit Ndërparlamentar.
Takimi i Unionit Ndërparlamentar Botëror do të nisë të shtunën në Shën Petersburg. "Promovimi i diversitetit kulturor dhe paqes përmes dialogut ndërfetar dhe ndëretnik" është tema kryesore e takimit të Unionit Ndërparlamentar Botëror . Gjatë vizitës gjashtë-ditore në Rusi, Larixhani do të prezantojë qëndrimet e Iranit në trajtimin e zhvillimeve globale në takimet e ndërsjellta me homologët e tij pjesëmarrës, si dhe do të takohet me zyrtarët e lartë rusë ku do të diskutojë rrugët për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit Teheran-Moskë. Nga ana tjetër, Kremlini bëri të ditur se Presidenti i Rusisë Vladimir Putin do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Iran në fillim të nëntorit për të diskutuar çështje të interesit dypalësh me homologun e tij iranian dhe gjithashtu për të marrë pjesë në një takim trepalësh me homologët e tij iranianë dhe azerbajxhanas në Teheran. Agjencia ruse e lajmeve TASS citoi zëdhënësin e Kremlinit, Juri Ushakov, të thoshte se Putin do të vizitojë Teheranin për një takim me Ruhani dhe Aliev, respektivisht president i Iranit dhe i Azerbajxhanit.