Rusia kritikon SHBA-të
Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk po zbatojnë plotësisht marrëveshjen bërthamore të Iranit, ndërsa Teherani po i përmbahet plotësisht marrëveshjes, tha të martën zëvendësministri i jashtëm rus Sergei Riabkov.
"Deri më sot, Irani po i përmbahet plotësisht dhe në mënyrë shumë të përgjegjshme angazhimeve të veta në kuadër të Planit të Përbashkët të Veprimit, dhe shpresoj se kjo do të ndodhë edhe në të ardhmen. Ne po veprojmë në përputhje me rrethanat. Kjo nuk mund të thuhet për kolegët tanë amerikanë, të cilët me një numër veprimesh të tyre kanë shkelur jo vetëm shpirtin, por edhe thelbin e marrëveshjes bërthamore, " u tha Riabkov gazetarëve. Nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë midis programeve bërthamore dhe raketore të Iranit, tha Riabkov, duke përmendur rezolutën 2231 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i cili miratoi marrëveshjen bërthamore. Sipas agjencisë ruse të lajmeve Sputnik, Riabkov shtoi se politika rajonale e Iranit nuk kishte të bënte fare me marrëveshjen bërthamore. "Unë jam i bindur se përpjekjet për të vënë në pikëpyetje marrëveshjen bërthamore nuk do të sjellin ndonjë rezultat," tha zv/ministri i Jashtëm i Rusisë.