Zarif paralajmëron për praninë e ISIS në Afganistanin fqinj
Në një konferencë ndërkombëtare me fokus Afganistanin, ministri i jashtëm i Iranit paralajmëron për praninë në rritje të grupit terrorist ISIS në vendin e Azisë Qendrore.
"Në samitin e Azisë së Mesme, ne vumë theksin mbi nevojën për vëmendje ndaj fenomenit të ISIS në Afganistan, i cili po zgjerohet këto ditë", tha ministri i jashtëm i Iranit z. Mohamed Xhevad Zarif në margjinat e konferencës mbi Afganistanin të mbajtur të premten në kryeqytetin e Azerbajxhanit Baku. "Samiti është një përpjekje për të krijuar interesa dhe bashkëpunim të përbashkët, veçanërisht midis vendeve të rajonit, drejt sigurisë dhe zhvillimit ekonomik të Afganistanit", shtoi ai. Konferenca për herë të parë ishte mbajtur në vitin 2011 për të ofruar një platformë për diskutime mbi çështjet rajonale, veçanërisht duke inkurajuar sigurinë, bashkëpunimin politik dhe ekonomik midis Afganistanit dhe fqinjëve të tij. Edicioni i këtij viti mblodhi 250 përfaqësues nga 40 vende dhe organizata ndërkombëtare. Zarif më tej tha se konflikti afgan nuk ka zgjidhje ushtarake, duke shtuar se nëse nuk ka strategji gjithëpërfshirëse në rajon, arritja e paqes së qëndrueshme do të ishte e pamundur.