Amerika nuk lufton, por manipulon terrorizmin
Kryetari i Parlamentit iranian, z. Ali Larixhani, deklaroi se Shtetet e Bashkuara nuk janë të sinqerta në fushatën e tyre kundër terrorizmit, duke shtuar se Uashingtoni është vetëm "duke luajtur lojëra dhe duke manipuluar terrorizmin".
Agjencia e lajmeve IRIB njofton se Larixhani i bëri deklaratat të hënën gjatë një konference me gazetarët në kryeqytetin pakistanez Islamabad, në margjinat e një konference mbi sfidën e terrorizmit dhe marrëdhënieve ndër-rajonale. Ai tha se Republika Islamike e Iranit dënon terrorizmin në të gjitha format e tij dhe theksoi se SHBA-të kishin krijuar grupe terroriste, duke përfshirë ISIS-in, për të shkatërruar burimet dhe pasuritë e vendeve myslimane dhe për t'u shërbyer interesave të regjimit izraelit. "Irani kundërshton çdo akt terrorizmi në të gjitha format e tij qoftë në Pakistan, Afganistan, Siri apo Irak dhe e konsideron atë si tirani ndaj myslimanëve", vuri në dukje kreu i Parlamentit iranian. Larixhani tha se SHBA sulmuan Afganistanin në vitin 2001 nën pretekstin e luftimit të terrorizmit dhe kultivimit të narkotikëve, por prodhimi i drogave është rritur me më shumë se 45 përqind në këtë vend. Ekzistojnë afro 400 laboratorë në Afganistan, të cilët po prodhojnë heroinë, tha ai, duke kritikuar mosveprimin e NATO-s në këtë drejtim.