Ruhani: Amerika turpëroi veten duke sulmuar Iranin në KS të OKB
Presidenti iranian Hasan Ruhani theksoi se Shtetet e Bashkuara turpëruan veten duke u përpjekur të sulmojnë Iranin në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së kushtuar ngjarjeve të fundit në Iran.
"Një tubim ose protestë mund të shfrytëzohet nga palë të ndryshme . Kjo është e natyrshme dhe ndodh në të gjithë botën ", tha të hënën z. Ruhani në një takim me stafin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave në Teheran. Ai vuri në dukje gabimet e administratës së re amerikane në trajtimin e popullit iranian, duke shtuar se Shtëpia e Bardhë "vazhdon të bëjë vrima në ujë me qasjet e gabuara që ka zgjedhur për t'u përballur me kombin iranian". "Gjatë ditëve të fundit, reputacioni politik i SHBA është shkatërruar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së", pohoi Ruhani duke shtuar: “Uashingtoni, abuzon me anëtarësimin e tij të përhershëm në Këshillin e Sigurimit dhe bën thirrje për një takim për Iranin, dhe atje, vendet e botës i dhanë një shuplakë në fytyrë SHBA-së ". Në takimin e zhvilluar të premten e kaluar, disa anëtarë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së e mbrojtën marrëveshjen bërthamore të Iranit dhe paralajmëruan SHBA-të kundër përpjekjeve për të shfrytëzuar zhvillimet e fundit brenda Iranit për të minuar marrëveshjen.