Miqësia me fqinjët, opsioni strategjik i Iranit
Ministri i Jashtëm iranian iu referua politikës së fqinjësisë së mirë të Teheranit duke e përshkruar atë si një opsion strategjik për Republikën Islamike.
"Politika e miqësisë me fqinjët e Iranit nuk është një veprim dramatik, por është opsioni i tij strategjik," tha Muhamed Xhavad Zarif në një artikull të botuar të hënën në gazetën turke Yeni Safak. Ai iu referua ngjashmërive të shumta midis popujve të Lindjes së Mesme dhe vuri në dukje se vendet në rajon duhet të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre në tryezën e negociatave dhe jo në fushën e betejës. Më tej, ministri i Jashtëm iranian tha se iranianët e kanë bërë çështjen palestineze një ideal të tyre, duke theksuar se Republika Islamike e Iranit kurrë nuk do të bëjë kompromis mbi këtë çështje. "Republika Islamike e Iranit i sheh problemet e Palestinës si problemet e saj, dhe si të gjithë miqtë e tjerë dhe myslimanët fqinjë, si dhe sigurinë dhe lirinë e tyre si siguri dhe liri të vetën", tha Zarif. Zarif tha se fuqitë e huaja kanë zgjedhur opsionin e "luftërave të vazhdueshme dhe të ashpra në rajon". "Lufta e Izraelit kundër Libanit, pushtimi i paligjshëm i tokave palestineze, përsëritja e shkeljeve të hapësirës ajrore siriane dhe lufta kundër Jemenit janë të gjitha pjesë të këtij skenari. Tani duhet të shtrojmë pyetjen se cila është dobia e këtyre zhvillimeve në rajonin tonë dhe si kanë ndikuar ato në botë? "