Ajetollah Khamenei: Iraku duhet të qëndrojë i vendosur kundër ndërhyrjeve të huaja
https://parstoday.ir/sq/news/iran-i83055-ajetollah_khamenei_iraku_duhet_të_qëndrojë_i_vendosur_kundër_ndërhyrjeve_të_huaja
Lideri Suprem i Revolucionit Islamik Ajetollah Khamenei ka kritikuar ndërhyrjet e huaja në Irak, duke thënë se Iraku duhet të qëndrojë i vendosur kundër armiqve të tij.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Nëntor 17, 2018 16:46 Europe/Tirane
  • Ajetollah Khamenei: Iraku duhet të qëndrojë i vendosur kundër ndërhyrjeve të huaja

Lideri Suprem i Revolucionit Islamik Ajetollah Khamenei ka kritikuar ndërhyrjet e huaja në Irak, duke thënë se Iraku duhet të qëndrojë i vendosur kundër armiqve të tij.

"Mënyra për të kapërcyer problemet dhe për të kundërshtuar komplotet e keqdashësve është ruajtja e unitetit kombëtar në Irak, njohja e saktë e miqve nga armiqtë, qëndrimi i vendosur ndaj armikut, mbështetja tek të rinjtë dhe ruajtja dhe forcimi i lidhjeve me burimet klerike", tha të shtunën Ajetollah Khamenei në një takim në Teheran me presidentin irakian Barham Salih dhe delegacionin e tij shoqërues. Ajatollah Khamenei përshëndeti zgjedhjet e suksesshme parlamentare në Irak dhe zgjedhjen e presidentit dhe kryeministrit, si dhe krijimin e stabilitetit në vend. Ajetollah Khamenei tha se Irani dhe Iraku kanë lidhje të rrënjosura thellë, historike dhe të shquara dhe përshëndeti qeverinë irakiane dhe mikpritjen e irakianëve ndaj iranianëve gjatë përkujtimit të Arbainit Huseinian. Lideri Suprem i Revolucionit Islamik vuri në dukje vuajtjet e popullit irakian në të kaluarën dhe tha se "disa qeveri dhe vende të dëshpëruara" tani kërkojnë t'i privojnë irakianët nga shija e ëmbël e arritjes së tyre të madhe për fitimin e pavarësisë, dhe synojnë të pengojnë rivendosjen e paqes në Irak dhe të gjithë rajonin. "E vetmja mënyrë për të kundërshtuar komplote të tilla është ruajtja dhe forcimi i unitetit midis grupeve irakiane, duke përfshirë arabët, kurdët, shi'itët dhe sunitët," tha Ajetollah Khamenei. Ai theksoi rëndësinë e njohjes së saktë të miqve nga armiqtë në politikën e jashtme dhe tha se disa vende në rajon dhe jashtë tij bartin një urrejtje të hidhur kundër islamit dhe kundër myslimanëve shi'itë dhe sunitë në Irak. Ata po ndërhyjnë në punët e brendshme të Irakut, tha Ajetollah Khamenei, duke theksuar rëndësinë e rezistencës së fuqishme kundër tyre pa asnjë hezitim. Lideri Suprem i Revolucionit Islamik gjithashtu theksoi se Irani dhe Iraku duhet të përmirësojnë marrëdhëniet dhe shtoi: "Zyrtarët e Republikës Islamike janë shumë të vendosur për të rritur bashkëpunimin me Irakun dhe unë gjithashtu besoj thellë në këtë çështje". Ajetollah Khamenei vuri në dukje se të dy vendet kanë potencial të madh për të forcuar bashkëpunimin dhe shtoi se një Irak i "fortë, i pavarur dhe i avancuar" është shumë i dobishëm për Iranin. Gjatë takimit, ku morën pjesë gjithashtu Presidenti iranian Hasan Ruhani dhe Ministri i Jashtëm Muhamed Xhavad Zarif, Presidenti i Irakut z. Barham Salih tha se ai përcjell një mesazh të qartë se asgjë nuk mund të ndryshojë faktorët që lidhin dy kombet. Presidenti irakian shtoi se Bagdadi kërkon të zgjerojë marrëdhëniet me Teheranin në të gjithë sektorët në përputhje me interesat e përbashkëta. Ai tha se Iraku nuk do ta harrojë kurrë ndihmën e Iranit në luftën kundër terrorizmit takfirist. Ai shprehu shpresën se Iraku do të ishte në gjendje të gëzonte bashkëpunimin dhe kapacitetet e Iranit në procesin e rindërtimit të vendit.