ISIS-in e mposhtën sirianët dhe irakianët, jo amerikanët
Ministri i Jashtëm iranian Muhamed Xhavad Zarif deklaroi se fitorja mbi grupin terrorist ISIS në Irak dhe Siri ishte rezultat i përpjekjeve nga këto dy vende dhe Shtetet e Bashkuara nuk luajtën rol në mposhtjen e ISIS.
Ministri i Jashtëm iranian i bëri komentet të mërkurën në një takim me biznesmenë iranianë dhe irakianë si dhe zyrtarë lokalë në qytetin irakian të Qerbelasë. Zarif vuri në dukje faktin se Amerika nuk ka arritur sukses në luftën kundër terrorizmit në pjesë të tjera të botës dhe tha se suksesi në Irak dhe Siri erdhi për shkak se popujt e të dy vendeve u ngritën, luftuan dhe sakrifikuan jetën. "Kjo është arsyeja pse kjo fitore nuk ka të bëjë aspak me Amerikën por është arritje e popujve të rajonit", tha shefi i diplomacisë iraniane. Zarif gjithashtu vuri në dukje lidhjet e përbashkëta dhe marrëdhëniet e lashta midis popujve irakianë dhe iranianë dhe bëri thirrje për thellimin e lidhjeve dypalëshe. Duke kryesuar një delegacion të rangut të lartë politik dhe ekonomik, Zarif arriti të dielën në kryeqytetin irakian, Bagdad, në një vizitë katër-ditore. Ministri i Jashtëm iranian ka zhvilluar bisedime me Kryeministrin irakian Adil Abdul-Mahdi, Presidentin Barham Salih, Kryetarin e Këshillit të Përfaqësuesve të Irakut Muhamed al-Halbusi, me Shefin e Lëvizjes Kombëtare të Urtësisë, Ammar Hakim, si dhe me krerët dhe anëtarët e organeve fetare, politike, kulturore, etike dhe sociale të Irakut.