Ruhani: Marrëdhëniet Iran-Turqi, kyçe për stabilitetin e Lindjes së Mesme
Presidenti iranian z. Hasan Ruhani theksoi se Irani dhe Turqia janë dy vende të "fuqishme dhe me ndikim" në botën muslimane, duke shtuar se zgjerimi i marrëdhënieve të ndërsjella do të luajë një rol udhëheqës në nxitjen e stabilitetit dhe sigurisë në Lindjen e Mesme.
Në një telefonatë të shtunën me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, Ruhani tha se Teherani është i vendosur të forcojë bashkëpunimin ekonomik me Ankaranë dhe të përdorë monedhat kombëtare të dy vendeve në transaksionet e tyre. Presidenti iranian më tej shprehu keqardhje për gjakderdhjen e vazhdueshme dhe vrasjen e njerëzve të pafajshëm në Sudan, Libi, Jemen dhe Afganistan dhe tha se Irani dhe Turqia në bashkëpunim me vende të tjera mike mund t'i japin fund situatës "së rrezikshme" aktuale dhe të zgjidhin siç duhet çështjet e rajonit dhe botës islame. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit midis Iranit dhe Turqisë në luftën kundër terrorizmit në rajon dhe promovimin e sigurisë në kufijtë e përbashkët. Presidenti turk, nga ana e tij, tha se zgjerimi i marrëdhënieve Teheran-Ankara do t'u shërbente interesave të dy popujve dhe të gjithë rajonit. Erdogan shtoi se të dy vendet mund të rrisin bashkëpunimin e tyre për të luajtur rol të mëtejshëm në rritjen e stabilitetit dhe sigurisë dhe luftimin e terrorizmit në të gjithë rajonin. Ai dënoi sanksionet e njëanshme dhe mizore të vendosura nga Shtetet e Bashkuara kundër Iranit dhe theksoi se vendi i tij nuk do të pranonte kufizime të tilla.