Kina dhe BE dënojnë sanksionet e SHBA ndaj Zarif
Hua Chunying, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, njoftoi të enjten (1 gusht) se autoritetet kineze ishin kundër sanksioneve të vendosura ndaj Ministrit të Jashtëm iranian nga administrata amerikane.
"Ne i bëjmë thirrje Uashingtonit të punojë për të mbështetur paqen dhe stabilitetin në rajon," tha Hua Chunying. "Ne kemi ndjekur nga afër deklaratat e autoriteteve amerikane dhe reagimin e z. Zarif. Pozicioni i Pekinit është i qartë. Qeveria kineze është kundër këtij vendimi të njëanshëm të Shteteve të Bashkuara, një veprim që konsiderohet nga pikëpamja juridike si shumë i ashpër", tha ajo. "Autoritetet e Pekinit theksojnë se dialogu është mënyra më e mirë për të zgjidhur problemet. Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar në mënyrë të përsëritur se janë të gatshme të angazhohen me Iranin pa parakushte. Shpresojmë që deklaratat dhe veprimet e Shteteve të Bashkuara nuk do të kundërshtojnë njëra-tjetrën, "tha zëdhënësja kineze. Administrata amerikane e ka vendosur ministrin e jashtëm iranian në listën e sanksioneve të mërkurën e kaluar. "Uashingtoni nuk e njeh më Zarifin si përparësi në marrëdhënie," tha një zyrtar i lartë i administratës amerikane. Z. Zarif u përgjigj duke thënë se Shtetet e Bashkuara e kishin sanksionuar sepse e shohin atë si një kërcënim për planet e tyre. Nga ana tjetër, BE shprehu keqardhjen për vendimin e Uashingtonit dhe deklaroi se do të vazhdojë të punojë me Zarif. "Bashkimi Evropian shpreh keqardhjen për vendimin e Shteteve të Bashkuara për të ndëshkuar kreun e diplomacisë iraniane dhe BE do të vazhdojë të punojë me të," tha të enjten një zëdhënëse e shefes së diplomacisë evropiane, Federica Mogherini. Nuk vonoi reagimi i ministrit Zarif ndaj këtij demonstrimi të pafuqisë amerikane. Ai tha se ky sanksionim nuk i bën përshtypje, pasi ai dhe familja e tij nuk kishin asnjë pronë ose interes jashtë Iranit. "Arsyeja që Shtetet e Bashkuara po më sulmojnë mua është sepse unë jam zëdhënësi kryesor i Iranit në të gjithë botën. Ky veprim nuk do të më prekë mua ose familjen time. Sepse nuk kam asnjë pronë ose interes jashtë Iranit. Faleminderit që më keni parë si një kërcënim kaq të madh për axhendën tuaj politike," deklaroi ministri i Jashtëm i Iranit.