Iran: Amerika frikësohet nga armët ruse?
Me tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja bërthamore e Iranit, Donald Trump, presidenti amerikan, e ka vendosur veten, sipas një media amerikane, në një pozicion dobësie përballë Iranit, i cili nga fundi i vitit të ardhshëm do të ketë mundësinë e blerjes së armëve të përparuara ruse dhe kineze, kur përfundon Rezoluta 2231 e Këshillit të Sigurimit të OKB.
Një nga dispozitat e Rezolutës 2231 të Këshillit të Sigurimit e ndalon Iranin të blejë armë ofensive. Sidoqoftë, në një kompromis të lidhur me marrëveshjen bërthamore të arritur midis Iranit dhe fuqive botërore në vitin 2015, OKB u pajtua që nga tetori i vitit 2020, Teherani të fillojë blerjen e armëve ofensive. Irani tashmë është në bisedime me Rusinë për të blerë avionët Su-30, aeroplanët trajnues Yak-130, tanket T-90, sistemet e mbrojtjes ajrore S-400 dhe sistemet e mbrojtjes bregdetare Bastion. Ai gjithashtu mund të jetë i interesuar edhe për pajisjet ushtarake kineze, shkroi Bloomberg të hënën. Administrata e Donald Trump është përpjekur të mbledhë mbështetje ndërkombëtare për zgjatjen e rezolutës 2231. Në një takim të fundit të Këshillit të Sigurimit të OKB, Sekretari Amerikan i Shtetit Mike Pompeo paralajmëroi se lejimi i Iranit të ketë qasje në armë të sofistikuara do të krijonte "turbullira të reja" në Lindjen e Mesme, shkruan Bloomberg. Duhet të theksohet se Pompeo i lejon vetes të bëjë këto pretendime ndërsa Uashingtoni si pjesë e një fushate të Iranofobisë, u shet miliarda armë petro-monarkive arabe të Gjirit Persik. Por Pompeo nuk mund të presë ndonjë simpati nga Këshilli i Sigurimit - jo vetëm sepse të paktën dy anëtarë të tjerë të përhershëm që zotërojnë të drejtën e vetos, Kina dhe Rusia, janë furnizuesit e mundshëm të armëve për Iranin. Duke larguar Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja bërthamore përkundër kërkesave të nënshkruesve të tjerë, administrata Trump nuk mund të jetë më në gjendje të llogarisë në mbështetjen e Francës dhe Britanisë, thekson Bloomberg. Por skenari më i keq është se Kina dhe Rusia mund të krijojnë një mekanizëm për të anashkaluar sanksionet amerikane dhe të kundërshtojnë epërsinë e Amerikës në sistemin financiar global. Evropianët e kanë provuar këtë me Instex, një "instrument me qëllime të posaçme" të krijuar për të mbrojtur tregtinë e tyre me Iranin. Por kjo dështoi, kryesisht sepse asnjë kompani evropiane nuk guxoi të përballet me sfidën e sanksioneve amerikane, thekson Bloomberg. A mund të jenë prodhuesit rusë dhe kinezë të armëve më të gatshëm të ndërmarrin këtë rrezik? Trump dhe Pompeo munden vetëm të rrinë duarkryq, përfundoi Bloomberg.