Cili është ndikimi psikologjik i recitimit të Kur'anit?
Pars Today-Një ekspert i familjes tha për efektet psikologjike të recitimit të Kur'anit: “Studimi i tekstit të ajeteve të Kur'anit dhe thellimi në të qetëson zemrën dhe i mëson njeriut një lloj mësimi të njohjes së vetvetes, në mënyrë të tillë që ai të njohë aftësitë dhe dobësitë e veta”.
Sipas Pars Today, duke cituar agjencinë iraniane të lajmeve IRNA, Hossein Alizadeh Kuzekonan, një ekspert i çështjeve të familjes, duke folur për ndikimin psikologjik të recitimit të Kur'anit në shpirtin dhe psikikën e njeriut, tha: “Kur'ani i referohet në mënyrë veçantë terapisë semantike (kuptimore) dhe duke recituar ajetet, ne mund të kuptojmë konceptet e Fjalës Hyjnore. Për shembull, nëse u japim kuptim të tillë të gjitha veprimeve tona që ato të jenë për kënaqësinë e Zotit, në atë rast, nëse dështojmë apo fitojmë, ne jemi të suksesshëm. Për shkak se 'klienti' ynë është vetë Zoti”.
Alizadeh shtoi: “Studimi i teksteve të ajeteve të Kur'anit dhe thellimi në to qetëson zemrat dhe vendos trupin dhe shpirtin në rrugën e të njëjtit tekst. Gjuha kontrollohet, syri sheh në drejtimin e duhur; duart mbeten të pastra dhe këmbët e njeriut lëvizin në rrugën e drejtë e të vërtetë dhe rezultati i këtij procesi do të jetë edukimi i një njeriu besimtar dhe të mirë”.
Krijimi i gëzimit dhe lumturisë
Ky ekspert i familjes, duke vijuar të flasë për efektet psikologjike të Kur'anit, tha: “Meqenëse ajetet e Kur'anit janë fjalë të Zotit dhe janë shpallur për ta udhëzuar njeriun dhe për t'ia lartësuar atij shpirtin, përmbajtja e ajeteve është në mënyrë të tillë që të përputhet me karakteristikat psikologjike dhe veçoritë e personalitetit të njeriut. Madje, edhe kur personat jomyslimanë i dëgjojnë ajetet hyjnore dhe mendojnë rreth tyre, thonë se këto fjalë u ngjallin një lloj shprese, gëzimi dhe lumturie, sikur të flisnin për gjërat që kanë humbur”.
Miqësi e ndërsjellë
Alizadeh shtoi: “Është transmetuar nga i Dërguari i Zotit (s.a.v.s.) dhe imamët e pastër (a.s.) se edhe shikimi i ajeteve të Kur'anit e qetëson zemrën e njeriut dhe krijon tek ai një pastërti të brendshme. Prandaj, kushdo që e do Kur'anin, edhe Kur'ani do ta dojë atë. Në fakt, lidhja me Kur'anin është lidhje me mirësitë, sepse Zoti i ka përmendur në Kur'an mirësitë dhe gjërat që i sjellin njeriut lumturi, dhe ai që krijon lidhje me mirësitë, mbetet i mirë”.
Mësim për njohjen e vetvetes
Autori i librit "Sjelljet që nxisin dinjitet në edukimin dhe arsimimin e fëmijëve" vazhdoi: “Në Kur'an, Zoti ka shqyrtuar karakteristikat psikologjike, ato të personalitetit, fizike, të sjelljes dhe të besimit të individëve. Prandaj, dikush që reciton ajetet e Kur'anit dhe mediton e reflekton mbi kuptimet e tyre, mëson një lloj mësimi të vetënjohjes dhe njihet me aftësitë dhe dobësitë e veta”.
Hossein Alizadeh Kuzekonan, ekspert i çështjeve familjare, shtoi: “Lidhja me Kur'anin e bën lexuesin e ajeteve hyjnore të familjarizohet me fjalët Kur'anore dhe, me kalimin e kohës, fjalët dhe të folurit e tij bëhen Kur'anore. Njohja me fjalët Kur'anore e çon mendjen dhe organet e njeriut në të njëjtin drejtim dhe njeriu gradualisht përfton sjellje Kur'anore”.
Mbështetje e fortë psikologjike
Alizadeh qartësoi: “Një nga efektet e rëndësishme psikologjike të Kur'anit është se ai vazhdimisht i thërret njerëzit në vepra të mira dhe thekson se fitorja është me të mirët dhe se shpërblimi i askujt nuk do të humbasë kurrë. E, ky lajm i mirë është një mbështetje e fortë psikologjike për njerëzit që të vazhdojnë të kryejnë veprat e tyre të mira”.
Ekuilibër në sjellje
Ky ekspert i çështjeve të familjes u shpreh: “Studimet tregojnë se lidhja me ajetet dhe leximi i Fjalës Hyjnore krijon një shkëndijë shpirtërore, edukate, paqeje dhe sjellje të shëndetshme tek njeriu dhe individi e sheh veten në praninë e Librit të Zotit dhe ndihet i turpëruar nga kryerja e mëkateve. Recitimi i ajeteve hyjnore, veçanërisht duke kuptuar kuptimet e tyre, pakëson agresivitetin, ekuilibron sjelljet dhe forcon tek njerëzit shpresën për ndihmën e Zotit”.
Parandalimi nga dëshpërimi dhe mungesa e shpresës
Autori i librit “Shkrime edukative” shtoi: “Shumë sëmundje të lehta mendore, xhelozia, mendjemadhësia, krahasimi i vetes me të tjerët, dëshpërimi dhe mungesa e shpresës eliminohen nëpërmjet leximit të ajeteve të Kur'anit dhe të pajisurit me moralin Kur'anor dhe njeriu qetësohet, si në aspektin psikologjik, ashtu edhe në atë që ka të bëjë me sjelljet”.
Formimi i një personaliteti të shëndetshëm
Më tej, ai shtoi: “Njohja me traditat hyjnore dhe fakti që e vërteta triumfon gjithmonë dhe se e pavërteta është e dënuar me shkatërrim, ka efekte të rëndësishme psikologjike te njerëzit. Një njeri besimtar gjithmonë e konsideron Zotin si mbështetjen e vet dhe beson se Zoti është me të. Ky besim, i cili rrjedh nga teksti i ajeteve të Kur'anit, çon në formimin e një personaliteti të shëndetshëm, dinjitoz, shpresëtar dhe të durueshëm përballë problemeve”.
Krijimi i pragmatizmit
Instruktori i edukimit familjar përfundoi: “Ajetet e Kur'anit vënë theksin në pragmatizmin njerëzor, sepse vetëm të besosh nuk mjafton. Që një besim të shndërrohet në praktikë, kërkohet veprim i drejtë dhe, tani, psikologët e konsiderojnë kryerjen e veprave të mira si një nga mënyrat për të trajtuar ankthin dhe depresionin”.