Dorëhiqet kryeministri i Ukrainës
https://parstoday.ir/sq/news/uncategorised-i10339-dorëhiqet_kryeministri_i_ukrainës
Për shkak të krizës politike në vend, kryeministri i Ukrainës ka deklaruar se do të japë dorëheqje.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Prill 11, 2016 16:26 Europe/Tirane
  • Dorëhiqet kryeministri i Ukrainës

Për shkak të krizës politike në vend, kryeministri i Ukrainës ka deklaruar se do të japë dorëheqje.

Kryeministri i Ukrainës, Arseniy Yatsenyuk, ka njoftuar se do të japë dorëheqje javën e ardhshme, duke fajësuar politikanët në vend se dështuan të miratojnë reformat që do të sillnin “ndryshime reale”. Yatsenyuk, që është në krye te ekzekutivit ukrainas që kur presidenti pro-rus Viktor Yanukovych u largua në shkurt të vitit 2014, tha se do t’i paraqes dorëheqjen Parlamentit të martën. “Mora vendimin për t’u dorëhequr si kryeministër i Ukrainës. Të martën, më 12 prill, do t’i paraqes kërkesën time Parlamentit”, shkroi Arseniy Yatsenyuk në “Twitter”. Presidenti aktual, Petro Poroshenko i kërkoi dorëheqjen kryeministrit në shkurt, ku deklaroi se Arseniy Yatsenyuk kishte humbur mbështetjen. Qeveria e këtij të fundit është akuzuar për mosveprim dhe korrupsion. Nuk ka kaluar shumë kohë kur zv.Presidenti, Joe Biden, përgëzoi kryeministrin Ukrainës për dy vite qeverisje, duke përmendur reformat në ekonomi, por tha se këto ndryshime duhet të jenë të prekshme. Kohë më parë, Presidenti i Ukrainës ka bërë të ditur masat për vendosjen e transparencës në ekonominë e këtij vendi. Pertro Poroshenko ka deklaruar se janë paraparë një varg masash për transparencën në ekonominë e Ukrainës dhe në kuadër të këtyre masave, personat nuk do të lejohen të shfrytëzojnë llogarit e tyre në bankat jashtë Ukrainës në shkëmbimet tregtare që bëjnë në këtë vend. Presidenti i Ukrainës në vazhdim tha se këto masa do ta shtojnë transparencën në ekonominë e këtij vendi dhe do të krijojnë besim ekonomik në këtë vend. Ai deklaroi se në bazë të këtyre masave çdo kompani që vepron në Ukrainë, duhet të paguajë tatime për qeverinë e Kievit. Vlen të theksohet se ditë më parë Natalie Jaresko, ministri i financave të Ukrainës, ka theksuar në vazhdimin e reformave ekonomike në këtë vend dhe deklaroi se do të shfrytëzojë të gjithë kapacitetin e tij për zbatimin e këtyre reformave. Nga ana tjetër, Ministrat e punëve të jashtme të Japonisë dhe të Italisë në një takim të zhvilluar në Tokio, kanë theksuar në bisedimet me Rusinë rreth çështjes së Ukrainës dhe deklaruan se gjatë procesit të bisedimeve, sanksionet duhet të mbesin në fuqi. Fumio Kishida, ministër i punëve të jashtme të Japonisë dhe Paolo Xhentiloni, ministri i jashtëm i Italisë, në këtë takim theksuan në rëndësinë e vazhdimit të bisedimeve me Rusinë, por njëkohësisht me këtë deklaruan se sanksionet kundër Moskës ende duhet të mbeten në fuqi. Ndërkaq dje, Bashkimi Evropian ka kritikuar dhunën në lindje të Ukrainës, pas sulmeve ndaj monitoruesve ndërkombëtarë. Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, në një deklaratë të lëshuar të dielën ka thënë se rritja e konsiderueshme e shkeljeve të armëpushimit në rajonin e Donjeckut paraqet nivel të paparë të dhunës” . Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ka thënë mbrëmë se një ekip i vëzhguesve të saj në lindje të Ukrainës është sulmuar rreth 50 kilometra në jug të qytetit Donjeck. Në incident nuk ka pasur të plagosur. Vëzhguesit e OSBE-së po ashtu janë qëlluar më 7 prill. Mogherini ka thënë se “armëpushimi i qëndrueshëm është urgjentisht i nevojshëm”. Mbi 9,100 veta janë vrarë në luftimet në lindje të Ukrainës prejse ka shpërthyer konflikti midis forcave qeveritare dhe separatistëve pro-rusë në vitin 2014.