Rriten tensionet politike në Maqedoni
https://parstoday.ir/sq/news/uncategorised-i10600-rriten_tensionet_politike_në_maqedoni
Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, ka komunikuar nëpërmjet një konference të jashtëzakonshme për mediat se ka firmosur faljen e të gjithë politikanëve që ndodheshin nën hetim si dhe për një politikan që ndodhet në burg.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Prill 13, 2016 18:12 Europe/Tirane
  • Rriten tensionet politike në Maqedoni

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, ka komunikuar nëpërmjet një konference të jashtëzakonshme për mediat se ka firmosur faljen e të gjithë politikanëve që ndodheshin nën hetim si dhe për një politikan që ndodhet në burg.

Ai ka arsyetuar se ky vendim është ndërmarrë në kuadër të mbrojtjes së interesave kombëtare dhe shtetërore, duke shtuar se e sheh këtë mënyrë si një zgjidhje për të dalë nga kriza politike. Vendimi i Presidentit maqedonas, Gjorgje Ivanov, për të amnistuar politikanët e akuzuar ka shkaktuar menjëherë reagim qytetar. Me qindra qytetarë u mblodhën fillimisht para Presidencës, ku përkundër forcave të shtuara policore, ata kanë hedhur vezë dhe sende të tjera të forta, duke thyer xhamat e zyrës së Presidencës. Më pas protesta është zhvendosur para godinës qeveritare. Sikundër dhe e lajmëroi në konferencën për mediat, lideri i LDSM Zoran Zaev u është bashkangjitur protestuesve. Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Ivanov për ndërprerjen e të gjitha procedurave penale që janë ngritur kundër politikanëve në Maqedoni, edhe të pushtetit edhe të opozitës. Në një dalje për mediat ai e cilësoi vendimin e Ivanov grusht-shteti për Maqedoninë, ndërsa kërkoi dorëheqjen e tij si President. Kreu i opozitës maqedonase deklaroi: ''Vendimi i Ivanovit është tentim për shpëtim nga krimi dhe korrupsioni që i kanë bërë shtetit. Ivanov u bë pjesë e krimit. Prej sot nuk ekziston shteti i së drejtës. Shkelen Ligjet, Kushtetutën, qytetarët e Maqedonisë. Sot e varrosën Marrëveshjen e Përzhinës. Prej sot bashkë me qytetarët do ta kthejmë dinjitetin e shtetit. Kërkojmë nga Ivanov të jap dorëheqje. Kuvendi duhet të mblidhet dhe të debatoj rreth vendimit të Ivanovit. Kriminelët duhet të përgjigjen për krimet”. Pas eskalimit të situatës nga vendimi skandaloz i presidentit Gjorgje Ivanov, lideri i BDI-së Ali Ahmeti i ka kërkuar të tërheqë menjëherë vendimin. “I ashtuquajturi President Ivanov duhet ta tërheq vendimin e tij menjëherë për arsye se një vendim i tillë i nxituar dhe i pamenduar cënon Marrëveshjen e Shkupit, provokon thellimin e krizës politike në vend, kompromenton imazhin e shtetit dhe të arriturat e përbashkëta të forcave vendore dhe ndërkombëtare” ka shkruar Ahmeti në Facebook. Ndaj vendimit të presidentit Ivanov ka reaguar edhe faktori ndërkombëtar. reagimi i parë ka ardhur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara. Zyrtarët amerikanë kërkuan më shumë shpjegime rreth këtij procesi, teksa nënvizuan se deklarata e Ivanov është pritur me shqetësim të madh. Sipas tyre, vendimi nuk shkon në të njëjtën linjë me përpjekjet e Maqedonisë për të vendosur sundimin e ligjit. Pasditen e sotme përfaqësuesja e lartë e BE-së Federica Mogherini ka kërkuar takim me kryetarin e Maqedonisë, Gjorgje Ivanov.Takim me Ivanovin kanë kërkuar edhe ministri i jashtëm gjerman Steinmeier si dhe diplomatë të SHBA-së, Britanisë së Madhe e Gjermanisë në Shkup, të cilët janë refuzuar nga Presidenti maqedonas me arsyetimin se axhenda e tij është e ngarkuar. Ndërkohë mësohet se politikanët e BE në Bruksel po mbajnë një mbledhje urgjente lidhur me zhvillimet e fundit në Shkup, që çuan dhe në prishjen e marrëveshjes së Përzhinos e negociuar nga eurodeputeti Ricard Hovit. Situata politike në Maqedoni gjatë muajve të fundit është karakterizuar nga paqëndrueshmëria, pavarësisht përpjekjeve ndërkombëtare për të ndërmjetësuar mes aktorëve kryesorë të politikës vendase.