Atletico dhe Bayern në gjysmëfinale
https://parstoday.ir/sq/news/uncategorised-i10606-atletico_dhe_bayern_në_gjysmëfinale
Atletico Madridi e ka bërë atë që rrallëkush e priste – e ka eliminuar Barcelonën nga Liga e Kampionëve.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Prill 13, 2016 18:21 Europe/Tirane
  • Atletico dhe Bayern në gjysmëfinale

Atletico Madridi e ka bërë atë që rrallëkush e priste – e ka eliminuar Barcelonën nga Liga e Kampionëve.

Ndeshja e parë çerekfinale e zhvilluar në Camp Nou përfundoi me rezultat 2-1, ndërsa sfida në Vicente Calderon u mbyll me rezultat 2-0 për ekipin kryeqytetas që shkon në gjysmëfinale me rezultat të përgjithshëm prej 3-2. Skuadra nikoqire bëri paraqitje shumë të mirë në gjysmën e parë duke e mbajtur vazhdimisht në presion kundërshtarin. Saherë që katalunasit e kishin topin, Los Rojiblancos angazhoheshin për ta rrëmbyer atë dhe menjëherë shkonin në fazën ofensive. Dhe falë këtij angazhimi, erdhi goli i epërsisë. Saul dërgoi një harkim fantastik në zonë, ku e priti Antoine Griezmann për të shënuar me kokë (36’). Në gjysmën e dytë, vendasit rrezikuan përmes Lucas, mirëpo shtylla i doli në mbrojtje portierit Ter Stegen. Nga ky moment, Blaugranët e dominuan lojën duke e kërkuar me ngulm golin me sulme të njëpasnjëshme, por të zgjedhurit e Diego Simeones mbaheshin në fazën defensive. Mirëpo, derisa katalunasit po sulmonin, nga një kundërsulm i vendasve, Iniesta e ndali topin me dorë brenda zonës dhe u akordua penalti. Antoine Griezmann ishte i saktë nga pika e bardhë për golin e dytë (88’). Në vazhdim, Barcelona nuk mundi të bënte asgjë, pos një momenti të dyshimtë pranë zonës që u gjykua si gjuajtje e lirë, ndërsa Messi goditi përmbi portë. Në këtë mënyrë, ekipi i Luis Enriques u eliminua nga gara më e madhe evropiane. Edhe Bayern Munich ka siguruar një biletë për në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Bavarezët barazuan në stadiumin në Estadio da Luz si mysafirë të Benficas duke barazuar 2:2 dhe në saje të fitores minimale prej 1:0 në takimin e parë, kaloi më tutje në garën më prestigjioze evropiane për klube. Benfica kaloi e para në epërsi kundër Rekordmeister në ndeshjen kthyese çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Eliseu shfaqi teknikën e tij brilante dhe dhuroi një harkim të mrekullueshëm në zonë, të cilin Raul Jimenez e konvertoi në gol (27’). Mirëpo, reagimi i bavarezëve ishte i shpejtë. Arturo Vidal e barazoi rezultatin duke shfrytëzuar një top të kthyer (38’). Kampioni gjerman nuk u ndal me kaq dhe përmbysi rezultatin për të kaluar në epërsi. Javi Martinez e pranoi topin dhe e dërgoi në drejtim të Thomas Mullerit, i cili shënoi për golin e epërsisë (52’). Në vazhdim të ndeshjes, krejt çka arriti skuadra portugeze ishte të barazonte rezultatin përmes Talisca (76’) dhe kështu, takimi përfundoi 2:2. Bayerni do të mësojë gjysmëfinalistin pas hedhjes së shortit në Nyon të Zvicrës, ku gjenden edhe Real Madrid, Manchester City dhe Atletico Madrid.