Kryetari i KE paralajmëron për një valë të re të refugjatëve
Për krizën e refugjatëve Donald Tusk, kryetar i Këshillit të BE-së, ka folur para anëtarëve të Parlamentit Evropian në Strasburg dhe paralajmëroi për një valë të re të refugjatëve.
Ditëve të fundit ka pasur tensione të shtuara në kampin e migrantëve në afërsi të qytetit Idomeni në Greqi, ku më shumë se 20 mijë migrantë dhe refugjatë kanë mbetur të ngujuar që nga muaji shkurt, kur vendet e Ballkanit mbyllën kufijtë për të gjithë ata që synonin Perëndimin. Donald Tusk deklaroi: “Ne duhet ta kujtojmë se ‘rruga ballkanike’ nuk është e vetmja dhe se shtetet e tjera gjithashtu presin bashkëpunimin dhe solidaritetin tonë, jo vetëm Greqia dhe Bullgaria”. Kur flas, e kam në mendje edhe rrugën e Mesdheut. Numri i migrantëve të mundshëm nga Libia është alarmues. Kjo nënkupton se ne duhet të jemi të gatshëm për të ndihmuar dhe treguar solidaritet me Maltën dhe Italinë, nëse ato e kërkojnë një gjë të tillë”, ka thënë Tusk. E ashtuquajtura “Rrugë e Ballkanit” ishte e preferuara për migrantët që synonin Perëndimin. Përmes saj, vitin e kaluar, rreth 1 milion migrantë arritën në Evropën Perëndimore, kryesisht nga Lindja e Mesme, por edhe nga vendet e tjera. Drama europiane e refugjatëve nuk filloi me karvanin e gjatë në Ballkan. Ajo ka filluar shumë më herët, me bandat e kontrabandistëve dhe gomonet e tejmbushura, që shpesh humbisnin drejtpeshimin në Detin Mesdhe, e fundoseshin diku mes brigjeve libiane dhe ishullit Lampedusa në Itali. Ngjarja më tragjike ishte në natën e 18 prillit të vitit të kaluar kur një anije mallrash u përmbys në rrugën drejt Italisë. Vetëm 28 vetë u shpëtuan, 700 të tjerë u mbytën. Pas marrëveshjes BE-Turqi shumë refugjatë kërkojnë tani mënyra të tjera si të shkojnë në Europë. Zëdhënësja për Europën Jugore e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për refugjatët, UNCHR, Carlotta Sami, para kësaj gjendjeje bëri fjalë për „rrezikun e një shpërthimi të ri të itinerarit nga Libia në Itali. Organizata Ndërkombëtare për Migracionin llogarit që në tre muajt e ardhshëm rreth 16.000 vetë do të guxojnë të kalojnë detin me gomone, 60% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për shkak të rikthimit të sfidës së vjetër, politika është e detyruar të veprojë. Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maizière e shikon marrëveshjen me Turqinë si një model edhe për vendet afrikano-veriore. Kjo do të thotë rikthim të refugjatëve ilegalë në vendet e origjinës, e në vend të tyre pranim të „kontigjenteve humanitare“ në BE. Sidoqoftë, paralajmërimi i Donald Tusk për një valë të re refugjatësh është mëse i drejtë. Tashmë kur vendet ballkanike kanë mbyllur dyert për refugjatët, do të kërkohen rrugë të reja për kontrabandimin e tyre. Korridori humanitar do të kthehet brenda natës në një minierë ari për kontrabandistët. Kështu tek fortesa Europë do të hyjnë vetëm ata që kanë para për të paguar kontrabandistët. Kështu me kufirin maksimal të vendosur në Austri itinerari ballkanik nuk është më itinerar i zakonshëm për në Europë. Kontrabandistët që tani kanë filluar të fërkojnë duart dhe dihet që viktimat kryesore do të jenë refugjatët, të cilët paguajnë me para dhe me jetë për krizat në vendet e tyre ku një pjesë të madhe të përgjegjësisë kanë edhe vendet europiane.