Samiti i trembëdhjetë i Organizatës për Bashkëpunim Islamik në Stamboll
https://parstoday.ir/sq/news/uncategorised-i10744-samiti_i_trembëdhjetë_i_organizatës_për_bashkëpunim_islamik_në_stamboll
Liderët e shteteve anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Islamik (OBI), të enjten, në ditën e parë të samitit të trembëdhjetë të kësaj organizate në Stamboll, kanë theksuar mbi përkrahjen e Palestinës, zgjidhjen e dallimeve që ekzistojnë në mesin e vendeve islamike dhe mbi unitetin në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Prill 15, 2016 05:49 Europe/Tirane
  • Samiti i trembëdhjetë i Organizatës për Bashkëpunim Islamik në Stamboll

Liderët e shteteve anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Islamik (OBI), të enjten, në ditën e parë të samitit të trembëdhjetë të kësaj organizate në Stamboll, kanë theksuar mbi përkrahjen e Palestinës, zgjidhjen e dallimeve që ekzistojnë në mesin e vendeve islamike dhe mbi unitetin në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit.

Dr. Hasan Ruhani, president i RII, ka qenë njëri nga ligjëruesit në ditën e parë të samitit të Organizatës për Bashkëpunim Islamik në Stamboll. Presidenti i Republikës Islamike të Iranit deklaroi se forcimi i marrëdhënieve me vendet islamike është prioritet i përhershëm i Iranit. Presidenti i RII midis tjerash ka thënë: “Sot, kur anëtarët e OBI janë mbledhur në Stamboll me sloganin ‘Unitet dhe solidaritet për drejtësi dhe paqe’, është ofruar një rast i mirë për të menduar mbi fatin e përbashkët të myslimanëve të botës.” Duke theksuar se çdo lëvizje përçarëse në OBI është e papranueshme, z. Ruhani shtoi:” Mosmarrëveshjet në Botën islame kanë qenë probleme për të gjithë dhe zgjidhja e këtyre mosmarrëveshjeve duhet të arrihet vetëm me mjete diplomatike, paqësore dhe dialog konstruktiv.” Presidenti iranian theksoi se ekstremizmi dhe përçarjet sektare në Botën islame janë zgjeruar gjatë viteve të fundit dhe shtoi:” Rënia e civilizimit islamik filloi kur fuqitë e mëdha islame në vend që të bashkëpunonin, filluan luftërat e kota e të përgjakshme me njëra-tjetrën duke u dhënë rast fuqive të huaja të ndërhyjnë në Botën islame.” Ruhani duke shprehur keqardhjen për ndihmat financiare dhe ushtarake të disa vendeve për grupet anti-islame me qëllim që për krimet monstruoze të tyre të akuzohet feja islame, shtoi: ” Vendet islame në emër të Islamit duhet të jenë në pararojë të koalicionit ndërkombëtar për paqe dhe për luftën kundër terrorizmit me qëllim që t’i kthejnë rajonit dhe botës paqen dhe sigurinë si dhe të garantojnë të drejtat njerëzore për të gjithë popujt.” Presidenti i RII tha se regjimi sionist është burimi kryesor i dhunës dhe ekstremizmit dhe nënvizoi: “ Vazhdimi i masakrimit të popullit palestinez dhe bllokada çnjerëzore ndaj Rripit të Gazës dëshmojnë qartë për karakterin kriminel e të dhunshëm të regjimit sionist që për fat të keq po i vazhdon krimet dhe agresionet në sajë të përkrahjes së vendeve perëndimore dhe nën heshtjen e bashkësisë ndërkombëtare.” Ndërsa Rexhep Taip Erdogan, president i Turqisë, në fjalimin e tij, kërkoi krijimin e një institucioni islamik për luftën kundër terrorizmit me pjesëmarrjen e policive dhe shërbimeve informative të vendeve anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Islamik dhe shtoi se aktualisht është rënë dakord në parim për krijimin e këtij institucioni. Duke vënë theksin mbi nevojën e unitetit mes vendeve islamike, Erdogan shtoi se nxitja e mosmarrëveshjeve fetare dhe konflikteve sektare nga armiqtë e Islamit është rreziku kryesor që i kanoset Botës islame. Presidenti turk tha se zgjerimi i grupeve terroriste si ISIS dhe Al Kaida rrezikon të ardhmen e Botës islame dhe shtoi se vendet perëndimore nuk dëshirojnë dhënien fund të luftimeve në vendet islame të përfshira nga lufta, por synojnë të ndërhyjnë në punët e brendshme të këtyre vendeve për të grabitur pasuritë natyrore të tyre. Ai kritikoi qëndrimin dyfytyrësh të bashkësisë ndërkombëtare ndaj terrorizmit dhe theksoi se vendet perëndimore dënojnë ashpër sulmet terroriste në Paris dhe Bruksel, por nuk reagojnë aspak ndaj sulmeve terroriste në Stamboll, Ankara dhe Lahor. Para fillimit të samitit të liderëve të OBI, u organizua takimi i ministrave të jashtme të vendeve anëtare të kësaj organizate. Ministri i jashtëm i RII z. Mohamed Xhevad Zarif në fjalimin e tij theksoi mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me bisedime dypalëshe dhe shtoi se plani saudit i ofruar kohëve të fundit kundër Iranit dhe Hezbullahut të Libanit, është kundër frymës së solidaritetit islamik dhe është në përputhje me interesat e regjimit sionist. Organizata për Bashkëpunim Islamik është themeluar në vitin 1962 me qëllim mbrojtjen e të drejtave të myslimanëve në kuadër të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Kjo organizatë sipas vlerësimeve të vitit 2011, mbulon një popullsi prej rreth një miliardë e 600 milionë njerëz në botë dhe mbahet çdo tre vite në nivel ministrash të jashtme dhe liderësh.