Zhvillimet politike dhe të sigurisë në Irak
Ushtria irakiane në vazhdim të progreseve të saj ka arritur të çlirojë tërësisht nga pushtimi i ISIS rajonin Al Xhumie Al Aveli në veri të qytetit Hit në provincën Anbar.
Forcat irakiane në ditët e fundit kanë çliruar rajone të ndryshme të Hitit në perëndim të provincës Anbar që ishin pushtuar nga grupi terrorist ISIS. Grupi terrorist ISIS për t'u hakmarrë ndaj sukseseve të forcave irakiane, ka shtuar sulmet terroriste dhe në këtë mes të mërkurën në mbrëmje një terrorist ka shpërthyer një bombë në veri të Ramadit ku janë vrarë 8 pjesëtarë të forcave të sigurisë irakiane. Një tjetër informacion nga Iraku bën të ditur se grupi terrorist ISIS ka shkatërruar portën historike ''Meshki'' në afërsi të Mosulit qendër e provincës Ninva në veri të Irakut e cila konsiderohet e vjetër 2000 vite. Forcat irakiane po vazhdojnë operacionet për çlirimin e rajoneve në jug të provincës Kirkuk, në veri të Irakut, nga pushtimi i terroristëve të ISIS. Forcat popullore të Irakut të dielën me anë të një deklarate, kanë deklaruar se operacionet për çlirimin e rajonit Bashir në jug të provincës Kirkuk po vazhdojnë me intensitet më të madh dhe në përmasa më të gjera. Ndërkohë Hejdar Ebadi, kryeministri i Irakut, javën e kaluar kishte deklaruar se së shpejti do të çlirohet rajoni strategjik Bashir në jug të provincës Kirkuk. Grupi terrorist ISIS në mars të këtij viti ka sulmuar këtë rajon duke përdorur armë kimike ku si pasojë janë vrarë një numër i madh i civilëve irakianë. Ministri i jashtëm i Irakut ka kërkuar ruajtjen e tërësisë territoriale, luftën kundër korrupsionit dhe parandalimin e ndërhyrjes së vendeve të huaja në punët e brendshme të Irakut. Ibrahim Xhafari javën e kaluar në takim me John Kerry, sekretarin e DASH, ka thënë se qeveria e Irakut megjithë problemet ekzistuese vazhdon të ruajë unitetin e vendit dhe përpiqet shumë forcimin e këtij uniteti. Xhafari njëkohësisht kërkoi më shumë ndihma nga Bashkësia Ndërkombëtare për tu përballur me sulmet kimike të ISIS në qytete të ndryshme të Irakut dhe për t'i ardhur në ndihmë Irakut që të tejkalojë sfidat që ka. Nga ana e tij sekretari amerikan i shtetit pasi shprehu mbështetjen për qeverinë irakiane në luftën kundër grupit terrorist ISIS tha se Uashingtoni do të përpiqet që të inkurajojë FMN që të japë më shumë ndihma financiare për qeverinë e Irakut. Sekretari i DASH ka arritur në Irak ditën e premte dhe është takuar me disa nga funksionarët irakianë. Ajetollah Sejed Mohamed Naki, imam i besimtarëve shiitë në Irak, duke theksuar mbi kaosin aktual që ka shkaktuar Arabia Saudite, ka thënë se demokracia në Irak do të dalë fitimtare përballë veprimeve të paligjshme të vehabistë si dhe ka kërkuar krijimin e një kordoni të sigurisë në Bagdad për tu mbrojtur nga terroristët.