Humbja e tretë radhazi për Barcën, Enrique: Janë edhe 5 lojë
https://parstoday.ir/sq/news/uncategorised-i11026-humbja_e_tretë_radhazi_për_barcën_enrique_janë_edhe_5_lojë
Valencia e ka turpëruar Barcelonën para tifozëve në Camp Nou duke e mposhtur me rezultat 1-2.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Prill 17, 2016 20:14 Europe/Tirane
  • Humbja e tretë radhazi për Barcën, Enrique: Janë edhe 5 lojë

Valencia e ka turpëruar Barcelonën para tifozëve në Camp Nou duke e mposhtur me rezultat 1-2.

Mysafirët ishin të parët që shënuan. Ata arritën t’i bëjnë ballë presionit të vendasve dhe madje të realizojnë. Goditja e Guilherme Siqueiras u devijua nga Ivan Rakitic dhe u ndal në rrjet (26’). Los Che i shokuan të gjithë duke shënuar edhe golin e dytë. E gjitha erdhi falë Daniel Parejos, i cili gjeti hapësirë ndërmjet mbrojtësve dhe asistoi te Santiago Mina. Spanjolli 20-vjeçar e pranoi topin në zonë dhe e dërgoi në rrjet (45’+1). Në këtë mënyrë, skuadra në të cilën luan Shkodran Mustafi, shkoi në pushim me epërsi të dyfishtë. Në fraksionin e dytë, vendasit e shtuan presionin dhe falë këtij angazhimi, rezultati u ngushtua. Në qendër të këtij aksioni ishte Lionel Messi. Argjentinasi e pranoi një top në mes dhe pasoi te Alba. Spanjolli shkoi në krah dhe asistoi në zonë, aty ishte Messi për ta shënuar golin e 450-të me Barcelonën dhe të 500-tin në total në karrierën e tij mbresëlënëse. Katalunasit krijuan edhe disa raste shënimi deri në fund, ndërsa në mbyllje të sfidës, vizitorët patën dy raste jashtëzakonisht të mira që i shpërdoruan.Me këtë humbje, Barcelona mbetet me pikë të barabarta me Atletico Madridin në krye të tabelës, derisa Real Madridi është vetëm një pikë prapa. Tashmë gjithçka është e hapur sa i përket titullit të La Ligas kur kanë mbetur edhe pesë xhiro për t’u zhvilluar. Edhe pse Barcelona e ka vënë në rrezik titullin e La Ligas, Luis Enrique nuk duket i shqetësuar. “Camp Nou e mbështeti skuadrën deri në fund. Kam luajtur këtu për tetë vite, asnjëherë nuk kam parë diçka të ngjashme”. “Tash e kemi një sfidë të këndshme para vetes: Kanë mbetur edhe pesë ndeshje, nëse i fitojmë të gjitha, do të bëhemi kampionë”. “Pse nuk bëra zëvendësime? Sepse mendova se do të ishte e padrejtë ta zëvendësoja ndonjërin, ata të gjithë luajtën shkëlqyeshëm”, ka thënë trajneri.