Irani në pasqyrën javore...52
Në emër të Zotit dhe me përshëndetje për ju të nderuar dëgjues, po fillojmë emisionin tonë të përjavshëm ku do të flasim mbi zhvillimet më të rëndësishme të javës së kaluar në Iran.
Lideri suprem i Revolucionit Islamik mirëpriti zgjerimin e marrëdhënieve me Italinë në fusha të ndryshme dhe sidomos në kuadër të bashkëpunimit ekonomik. Ajetollah Khamenei, lideri suprem i Revolucionit Islamik, javën e kaluar u takua me z. Mateo Renzi kryeministrin e Italisë. Në këtë takim ai vuri në dukje marrëdhëniet e mira të Iranit dhe Italisë dhe tha: Pozicionimi i Iranit rreth bashkëpunimit me Italinë dhe qeverinë e këtij vendi është pozicionim tjetër dhe pozitiv. Lideri suprem, sjelljen e Italisë gjatë periudhës së sanksioneve të vendosura kundër Iranit e konsideroi më të logjikshme se disa vende të tjera perëndimore dhe tha: Disa qeveri dhe kompani janë futur në kontakte dhe bisedime me Iranin, mirëpo rezultati dhe fryti i këtyre bisedimeve nuk është nxjerrë akoma. Ai luftën kundër terrorizmit e cilësoi një tjetër temë të bashkëpunimit mes Iranit dhe Italisë dhe shtoi: Disa vende evropiane për një kohë të gjatë kanë mbështetur disa grupe të dhunshme terroriste dhe sot vala e rrezikshme e terrorizmit është zgjeruar deri në Evropë. Ajetollah Khamenei theksoi se ndihmat financiare dhe me armatime të Amerikës për grupet terroriste pengojnë zgjidhjen e çështjes së terrorizmit dhe shtoi: Ekzistojnë fakte të dokumentuara dhe të sakta për ndihmat që Amerika i ka dhënë ISIS dhe grupeve të tjera terroriste dhe tani kur kanë formuar koalicionin anti-ISIS, disa aparate në Amerikë në një formë tjetër ndihmojnë grupin terrorist ISIS. Lideri suprem i Revolucionit Islamik ndër të tjera shtoi: Aparati i madh propagandues në botë i sunduar nga politikanët perëndimorë me pretekstin e disa akteve të dhunshme dhe terroriste, ka përhapur islamofobinë dhe ka thurur komplote politike dhe kjo ka krijuar probleme në luftën kulturore kundër terrorizmit. Mateo Renzi, kryeministër i Italisë duke vënë në dukje se Italia është e vendosur të zbatojë angazhimet e saj në marrëveshjet me Iranin tha: Me marrëveshjen bërthamore, sanksionet kundër Iranit duhen hequr. Renzi shprehu keqardhjen nga përhapja e terrorizmit në Evropë dhe shkatërrimin e imazhit të Islamit për shkak të terrorizmit tha: Duhet theksuar fakti se fetë kërkojnë paqe, dialog dhe bashkëjetesë dhe në këtë mes roli i liderit suprem të Revolucionit Islamik në përhapjen e kësaj çështjeje është tepër i rëndësishëm.
Spikeri
Presidenti i Republikës Islamike të Iranit z. Hasan Ruhani gjatë takimit me Marina Kaljurand, ministrja e jashtme e Estonisë, e cila javën e kaluar zhvilloi një vizitë në Teheran, deklaroi se zgjerimi i bashkëpunimeve të gjithanshme mes Evropës dhe Iranit do të jetë i rëndësishëm dhe me rol të veçantë për zgjidhjen e çështjeve të ndërlikuara të rajonit dhe ato ndërkombëtare. Ai shtoi se Irani dhe Estonia kanë mundësi të shumta për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimeve dypalëshe dhe përdorimi i këtyre mundësive do të hapë dyer të reja të zgjerimit të marrëdhënieve në fusha të ndryshme. Dr. Ruhani shtoi se një prej fushave të bashkëpunimit mes Iranit dhe Bashkimit Evropian është diskutimi dhe koordinimi për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe thellimi i bashkëpunimeve të dobishme dhe konstruktive në kuadër të forcimit të paqes në rajon. Në fjalën e saj Mariana Kaljurand, Iranin e ka quajtur një faktor me ndikim dhe rol të rëndësishëm në rajon dhe në botë dhe tha se Estonia kërkon zgjerimin e bashkëpunimeve me Iranin në të gjitha fushat.
Spiker
Presidenti i Republikës Islamike të Iranit duke folur në takimin e krerëve të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik që u mbajt javën e kaluar në Stamboll, deklaroi se forcimi i marrëdhënieve me vendet islamike është prioritet i përhershëm i Iranit. Hasan Ruhani, president i RII, theksoi: “Sot, kur anëtarët e OBI janë mbledhur në Stamboll me sloganin ‘Unitet dhe solidaritet për drejtësi dhe paqe’, është ofruar një rast i mirë për të menduar mbi fatin e përbashkët të muslimanëve të botës.” Duke theksuar se çdo lëvizje përçarëse në OBI është e papranueshme, z. Ruhani shtoi:” Mosmarrëveshjet në Botën islame kanë qenë probleme për të gjithë dhe zgjidhja e këtyre mosmarrëveshjeve duhet të arrihet vetëm me mjete diplomatike, paqësore dhe dialog konstruktiv.” Presidenti iranian theksoi se ekstremizmi dhe përçarjet sektare në Botën islame janë zgjeruar gjatë viteve të fundit dhe shtoi:” Rënia e civilizimit islamik filloi kur fuqitë e mëdha islame në vend që të bashkëpunonin, filluan luftërat e kota e të përgjakshme me njëra-tjetrën duke u dhënë rast fuqive të huaja të ndërhyjnë në Botën islame.” Ruhani duke shprehur keqardhjen për ndihmat financiare dhe ushtarake të disa vendeve për grupet anti-islame me qëllim që për krimet monstruoze të tyre të akuzohet feja islame, shtoi: ” Vendet islame në emër të Islamit duhet të jenë në pararojë të koalicionit ndërkombëtar për paqe dhe për luftën kundër terrorizmit me qëllim që t’i kthejnë rajonit dhe botës paqen dhe sigurinë si dhe të garantojnë të drejtat njerëzore për të gjithë popujt.” Presidenti i RII tha se regjimi sionist është burimi kryesor i dhunës dhe ekstremizmit dhe nënvizoi: “ Vazhdimi i masakrimit të popullit palestinez dhe bllokada çnjerëzore ndaj Rripit të Gazës dëshmojnë qartë për karakterin kriminel e të dhunshëm të regjimit sionist që për fat të keq po i vazhdon krimet dhe agresionet në sajë të përkrahjes së vendeve perëndimore dhe nën heshtjen e bashkësisë ndërkombëtare.” Hasan Ruhani deklaroi: “RII gjithmonë ka qenë dhe është përkrahëse e vendeve dhe popujve muslimanë përballë agresioneve, kërcënimeve, pushtimeve dhe terrorizmit.”
Spikeri
Z. Hasan Ruhani, presidenti i Republikës Islamike të Iranit, në fazën e fundit të vizitës në Turqi mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të dokumenteve për bashkëpunim mes funksionarëve të Republikës Islamike të Iranit dhe të Turqisë e cila u organizua në Ankara. Z. Ruhani me këtë rast deklaroi se Irani dhe Turqia janë të vendosur për të zgjeruar marrëdhëniet e tyre në të gjitha fushat. Hasan Ruhani, presidenti i Iranit, pas nënshkrimit të dokumenteve për bashkëpunim nga funksionarët e të dy vendeve, mori pjesë edhe në një konferencë për shtyp me homologun e tij turk ku theksoi se janë krijuar rrethanat për zgjerimin e bashkëpunimeve të gjithanshme mes Iranit dhe Turqisë. Z. Ruhani theksoi në interesimin e Iranit për zhvillimin e marrëdhënieve me Turqinë sidomos në sektorin e energjisë dhe deklaroi se Republika Islamike e Iranit e ka siguruar Turqinë se mund të garantojë sigurinë e energjisë së këtij vendi në fushën e naftës, gazit dhe të energjisë elektrike, si dhe të produkteve të petrokimisë. Rexhep Taip Erdogan, presidenti i Turqisë, gjithashtu në këtë konferencë për shtyp së pari i dëshiroi mirëseardhje presidentit të Republikës Islamike të Iranit dhe delegacionit të tij shoqërues dhe deklaroi se me përpjekjen e funksionarëve të dy vendeve, mund të përshpejtohet zgjerim i bashkëpunimeve dhe mund të arrihet sasia e shkëmbimeve ekonomike deri në 30 miliardë dollarë ashtu siç kanë rënë dakord të dy vendet. Ndërkohë z. Hasan Ruhani, presidenti i Republikës Islamike të Iranit, të shtunën në mbrëmje mori pjesë edhe në takimin e përbashkët të këshillit për bashkëpunime strategjike të Iranit dhe Turqisë në Ankara. Presidenti iranian me këtë rast vuri në dukje fillimin e kryesisë së radhës së Turqisë në OBI dhe u shpreh optimist se Teherani dhe Ankaraja në bashkëpunim me njëri-tjetrin, do të ndihmojnë zgjidhjen e problemeve të botës islame.
Spikeri
Javën e kaluar, u zhvilluan manovrat ushtarake Profeti i Madh (s.a.v.s) me pjesëmarrjen të forcave tokësore të gardës revolucionare Sepah në juglindje të Iranit. Komandanti i forcave tokësore të Gardës revolucionare Sepah tha se këto manovra zgjatën 3 ditë dhe në to morën pjesë njësitet e ndryshme të forcave tokësore, njësitë e artilerisë, forcat e rendit dhe forcat vullnetare. Gjeneral Pakpur tha se qëllimi i manovrave ushtarake Profeti i Madh (s.a.v.s) ishte ngritja e kapacitetit dhe forcimi i infrastrukturës së rajonit dhe pjesëmarrja e popullit në çështjet e sigurisë së rajonit. Manovra ushtarake Profeti i Madh (s.a.v.s) u përqendrua në provincën Sistan Baluçistan, në jug të provincës Kerman, në jug të provincës Kharasani i jugut dhe në lindje të Hormuzganit. Nga ana tjetër, zv/komandanti i përgjithshëm i Gardës Revolucionare të Iranit deklaroi se kushti i parë për arritjen e progresit dhe zhvillimit në çdo vend është siguria. Gjeneral Husein Salami, zv/komandanti i përgjithshëm Gardës Revolucionare të Iranit, gjatë programit t të manovrës ushtarake të forcave tokësore të Gardës Revolucionare të Iranit, shtoi se kjo forcë me veprimet e saj efikase në fushën e inteligjencës dhe në operacionet kundër depërtimit të faktorëve të huaj dhe për garantimin e sigurisë së zonave kufitare, po luan një rol të rëndësishëm në garantimin e sigurisë së përgjithshme në Iran. Më tej, zv/komandanti i përgjithshëm i Gardës Revolucionare (Sepah) të Iranit deklaroi se amerikanët nuk kanë autoritet të flasin në lidhje me kapacitetin raketor të Republikës Islamike të Iranit. Gjeneral Selami reagoi në lidhje me kërkesën e funksionarëve amerikanë për të biseduar në lidhje me kapacitetin raketor të Iranit. Ai deklaroi se kjo çështje është jashtë kompetencave të amerikanëve dhe ata nuk mund të ndërhyjnë në fushën e nevojave të industrisë mbrojtëse të Iranit. Gjeneral Salami me këtë rast theksoi se forca kryesore mbrojtëse e Republikës Islamike të Iranit kurrë nuk do të vendoset për negociata, sepse kjo çështje është vetëm një çështje e brendshme e sistemit të Republikës Islamike të Iranit dhe është përpiluar sipas udhëzimeve të liderit suprem të Revolucionit Islamik të Iranit dhe mbështetet nga populli i Iranit.