Takimi i dështuar i OPEC-ut në Doha
https://parstoday.ir/sq/news/uncategorised-i11152-takimi_i_dështuar_i_opec_ut_në_doha
Kundërshtimet e Arabisë Saudite ndaj ngrirjes së rritjes së prodhimit të naftës shkaktuan dështimin e takimit të vendeve të OPEC-ut në Doha të Katarit.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Prill 18, 2016 16:54 Europe/Tirane
  • Takimi i dështuar i OPEC-ut në Doha

Kundërshtimet e Arabisë Saudite ndaj ngrirjes së rritjes së prodhimit të naftës shkaktuan dështimin e takimit të vendeve të OPEC-ut në Doha të Katarit.

Çmimi i naftës pësoi rënien më të madhe prej dy muajsh pas dështimit të bisedimeve të OPEC-ut në Doha, ku anëtarët e kartelit të arit të zi duhet të diskutonin ngrirjen e prodhimit. Ministri rus i Energjisë Aleksandar Novak, pas këtij takimi deklaroi: ''Erdhëm në Doha me mendimin se vendet prodhuese të naftës do të nënshkruajnë marrëveshjen për ngrirjen e prodhimit dhe jo për të diskutuar mbi këtë çështje.'' Novak tha se kjo marrëveshje tashmë është zhdukur, sepse Arabia Saudite kërkon edhe pjesëmarrjen e Iranit në këtë marrëveshje. Para takimit të Dohas, ministri i Naftës i RII deklaroi se Irani nuk ka plane për reduktimin e prodhimit të naftës, sepse një hap i tillë duhet marrë nga ato vende që përfituan nga sanksionet anti-iraniane dhe zunë vendin e Iranit në tregun botëror. Bizhan Namdar Zangane tha se Irani nuk do t'i bashkohet inisiativës së vendeve të tjera prodhuese të naftës derisa të zërë pozitën që kishte në tregun botëror të naftës para vendosjes së sanksioneve. Ai shtoi se Teherani synon të prodhojë 4 milionë fuçi naftë në ditë dhe për këtë nuk merr leje nga askush. Tensionet mes Iranit dhe Arabisë Saudite u shpërfaqën edhe në takimin e prodhuesve më të mëdhenj të naftës në botë, e për rrjedhojë në fund nuk pati marrëveshje mbi kufizimin e rezervave. Pengesat që do të haste kjo ujdi u bënë të qarta pas deklaratës se zëvendës princit trashëgimtar të fronit mbretëror saudit, Mohamed bin Salman, i cili u shpreh se mbretëria nuk do ta shtrëngojë prodhimin e saj pa angazhimin e lojtarëve të tjerë kyç si Irani, që sapo është çliruar prej sanksioneve ndërkombëtare që i pengonin hedhjen e naftës së tij në tregjet globale e për momentin e përjashton ngrirjen e prodhimit. Thirrjet për ta shpëtuar marrëveshjen duke ndihmuar kështu në ngritjen e çmimit të naftës bruto nuk patën asnjë efekt. “Mesa duket, të gjithë kemi nevojë për kohë në mënyrë që të vazhdojmë konsultimet me njëri-tjetrin dhe me prodhues të tjerë të naftës. Kjo mund të zgjasë deri në qershor”, deklaroi Mohammed al Sada, ministër i Energjisë së Katarit. Ky zhvillim, me shumë gjasë do ta ripërtërije frikën e industrisë së naftës se prodhuesit e mëdhenj do t’i hyjnë sërish betejës për pjesën e tyre të tregut, sidomos pas kërcënimit të Riadit se po nuk u vulos pakti, ai do ta rrisë ndjeshëm sërish prodhimin e vetë. Rusia, e prekur drejtpërdrejtë nga ulja e kuotimit të arit të zi, u shpreh e zhgënjyer nga rezultati i takimit dhe kërkesën saudite e cilësoi si “të palogjikshme”. Analistët theksojnë se rënia e çmimit të naftës do ta dëmtonte rëndë ekonominë e Rusisë, sepse gjysma e të ardhurave të këtij vendi varet nga shitja e naftës. Arabia Saudite duke rritur pa limit prodhimin e naftës ishte shkaktarja kryesore e rënies së çmimit të naftës, por tashmë kur ky vend po përballet me probleme financiare dhe me deficit buxhetor po kërkon reduktimin e prodhimit të naftës në një kohë që pas sanksioneve anti-iraniane, zuri vendin e Iranit në tregun botëror të naftës.