Vazhdojnë mosmarrëveshjet mes BE dhe Turqisë
https://parstoday.ir/sq/news/uncategorised-i11380-vazhdojnë_mosmarrëveshjet_mes_be_dhe_turqisë
Presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, ka deklaruar se nëse Turqia nuk do të plotësojë kriteret e nevojshme për liberalizimin e vizave, atëherë ky proces mund të bllokohet.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Prill 20, 2016 17:45 Europe/Tirane
  • Vazhdojnë mosmarrëveshjet mes BE dhe Turqisë

Presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, ka deklaruar se nëse Turqia nuk do të plotësojë kriteret e nevojshme për liberalizimin e vizave, atëherë ky proces mund të bllokohet.

Ai shtoi se blloku me 28 anëtarë nuk ka ndërmend që të bëjë asnjë përjashtim për qeverinë e Ankarasë, pasi kjo është një çështje që kërkon përmbushjen e disa kushteve të caktuara. Zyrtarët e Bashkimit Europian kanë vlerësuar se deri më tani, Turqia ka arritur të përmbushë vetëm 19 nga 72 kritere që nevojiten për vendosjen e regjimit pa viza. Deklarata e presidentit të Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, pritet t’i thellojë edhe më tej mosmarrëveshjet mes palëve. Ai shtoi se blloku me 28 anëtarë nuk do të bëjë asnjë përjashtim për Turqinë, pavarësisht marrëveshjes së firmosur më herët për emigrantët. Deklarata e Juncker erdhi si kundërpërgjigje ndaj prononcimeve të bëra më herët nga zyrtarët turq. Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan ka deklaruar se raporti i Parlamentit Europian që kritikonte respektimin e të drejtave të njeriut në Turqi është një akt provokues i bllokut me 28 anëtarë. Ai u shpreh se dokumenti i publikuar nga një prej institucioneve kryesore të unionit rrezikon që t’i japë një goditje destruktive marrëdhënieve pozitive që janë ngritur deri më tani mes palëve. Erdogan theksoi se pret që Bashkimi Europian të ndryshojë sjellje. Ndërkohë, ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu deklaroi se nëse blloku me 28 anëtarë nuk do të respektojë pikat për të cilat palët kanë rënë dakord për marrëveshjen e emigrantëve, atëherë qeveria e Ankarasë mund t’a anulojë akordin. Turqia u kujtoi udhëheqësve europianë se pakti i emigrantëve varet nga marrëveshja e vizave. “Po nuk mbajtën zotimin për lehtësimin e regjimit të vizave deri në qershor, atëherë zbatimi i marrëveshjes BE-Turqi mund të pezullohet”, tha kryeministri turk Ahmet Davutoglu. Lehtësimi i regjimit të vizave ishte pjesë e marrëveshjes 6 miliardë euroshe të vulosur me Turqinë, në këmbim të pranimit të refugjatëve të deportuar nga Europa. Davutoglu e pranoi për çdo rast se, përpara se të arrihet heqja e vizave, Turqisë i duhet të plotësojë disa kritere teknike, 75% e të cilave - sipas tij, - deri tani janë përmbushur. Gjatë muajve të fundit, edhe BE-ja ka qenë tejet e ashpër në deklarata e saj ndaj Turqisë. Zyrtarët e unionit kanë lëshuar akuza të njëpasnjëshme ku kritikojnë respektimin e të drejtave të njeriut si dhe lirinë e medias në Turqi. Bashkimi Europian është zotuar t’i garantojë turqve lëvizjen e lirë në hapësirën Shengen, në këmbim të kontributit të Ankarasë për frenimin e fluksit të emigrantëve që nisen drejt Greqisë. Por, heqja e vizave për Turqinë, një vend prej 75 milionë banorësh, është kundërshtuar nga shumë shtete anëtare të cilat kanë frikë se kjo do t’u hapte rrugën më shumë emigrantëve myslimanë drejt bllokut që po përballet me krizën më të rëndë në dekada. Raporti i parë i Komisionit Europian për implementimin e marrëveshjes BE-Turqi mbi refugjatët, tregon përparim megjithatë kërkon më shumë angazhim. Komisioni tha se 325 emigrantë të parregullt janë kthyer në Turqi nga Greqia, e ndërsa sipas procesit të shkëmbimit 103 refugjatë sirianë me dokumentacion te rregullt janë zhvendosur në BE. Ndërsa, Ankaraja po ashtu ankohet se nuk ka marrë fondin e premtuar prej 3 miliardë eurosh, pasi 12 nga 28 shtetet e bllokut ende nuk kanë kontribuar, duke e bërë që shuma e mbledhur për Ankaranë të jetë 390 milionë euro.