Mbyten qindra emigrantë të tjerë në ujërat e Mesdheut
Agjencia e Kombeve të Bashkuara e specializuar për çështjet e refugjatëve ka bërë të ditur këtë të mërkurë se i frikësohet faktit që, rreth 500 emigrantë nga Afrika të jenë mbytur në ujërat e Mesdheut, pas përmbysjes së varkës me të cilën udhëtonin.
Zëdhënësja e UNHCR-së, Carlotta Sami, tha se të mbijetuar nga Somalia, Sudani, Etiopia dhe Egjipti, të cilët u shpëtuan nga një tjetër varkë e vogël e rastësishme, e përshkruan atë që panë si “një shkatërrim i mjetit lundrues që u mori jetët të paktën 500 vetëve”. Të mbijetuarit, - 37 burra, 3 gra dhe një fëmijë 3-vjeçar - thanë se rreth 100 deri në 200 persona ishin nisur nga brigjet e Tobrukut në Libi, në bordin e një varke të madhe por të papërshtatshme për lundrim të gjatë. Në mes të detit, trafikantët sollën edhe pasagjerë të tjerë, duke i transferuar ata nga një varkë e vogël. Për shkak të mbingarkesës, varka e madhe u mbyt”, thuhet në deklaratën e UNHCR-së. Të mbijetuarit notonin në det me synim të gjenin shpëtim, derisa u pikasën dhe u shpëtuan më 16 prill, e një ditë më pas u transportuan për në Kalamata të Greqisë, njofton agjencia e OKB-së. Data e mbytjes së anijes ende nuk është zyrtarisht e konfirmuar, ndërsa nuk jepet as informacion se kush i shpëtoi emigrantët. Ditë më parë, Roja bregdetare italiane ka shpëtuar 235 emigrantë që po rrezikonin jetën në ujërat e Mesdheut në tentativë për të mbërritur në Sicili. Shumica prej tyre nga Eritrea, Egjipti, Sudani dhe Siria besohet se janë nisur nga Egjipti drejt brigjeve evropiane. Emigrantët ndodheshin në ujërat mes Maltës dhe Greqisë kur kanë sinjalizuar se po rrezikonin jetën dhe kanë qenë forcat italiane bashke me ato greke që kanë kryer operacionin e shpëtimit për ti sjellë më pas në portin Augusta të Sicilisë. Qindra mijëra emigrantë vijojnë të vijnë drejt Evropës pavarësisht marrëveshjes së nënshkruar mes Ankarasë dhe Brukselit për kthimin pas të tyre në Turqi. UNHCR tha të mërkurën se 500 klandestinë besohet të kenë humbur jetën në Mesdhe javën e kaluar, kur trafikantët e qenieve njerëzore mbushin anije dhe peshkarexha mbi kapacitetin e tyre duke çuar më fundosjen e mjeteve detare bashke me emigrantët në bord. Nëse numri i viktimave konfirmohet, kjo do të ishte tragjedia më e madhe e 12 muajve të fundit pas asaj të shënuar në shtator të 2015 ku 800 persona u mbytën në ujërat e detit Mesdhe. Deri tani gjatë këtij viti në Itali kanë mbërritur rreth 25,000 emigrantë, 4.7 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Të hënën është shënuar një vjetori i tragjedisë më të madhe të klandestinëve në detin Mesdhe. Mbi 800 persona të nisur nga Libia humbën jetën më 18 prill të 2015, në tentativë për të arritur brigjet italiane. Dy kapitenët e anijes u arrestuan me akuzën vrasje masive. 28 mbijetuan, 118 trupa u gjetën, kurse të tjerët rezultojnë të humbur. 1Fatkeqësia e klasifikuar më e rënda në dekadat e fundit, tronditi të gjithë Bashkimin Europian dhe detyroi autoritetet të zgjerojnë operacionet e shpëtimit në afërsi të brigjeve libiane.