Fitorja e partisë së Vuçiçit në zgjedhjet parlamentare në Serbi
Aleksandar Vuçiç po shkon drejt një tjetër mandati si Kryeministër i Serbisë, pasi rezultatet e para të numërimit të votave, e nxjerrin atë bindshëm fitues.
Partia Progresive e Serbisë, e drejtuar nga Vuçiç, rezulton të ketë marrë më shumë se 56 për qind të votave, çka përkthehet në 154 vende në Parlament, duke i dhënë mundësinë që të krijojë i vetëm qeverinë. Në fjalën e mbajtur pas daljes së projeksioneve paraprake, Alexandar Vuçiç deklaroi se ky është një rezultat historik për Partinë Progresive por edhe për Serbinë. “Mendoj se ky është një rezultat historik. Serbia do të vijojë rrugën e saj europiane, të cilën do të mundohemi që t’a përshpejtojmë. Gjithashtu më duhet t’ju them se ky rrugëtim do të bëhet duke ruajtur marrëdhëniet korrekte me Rusinë dhe Kinën”- ishin fjalët e Vuçiç. Në vend të dytë renditet Partia Socialiste e Serbisë, e drejtuar nga Ivica Daçiç me 12.1 përqind të votave dhe me shumë mundësi do të jetë pjesë e koalicionit qeverisës së bashku me Partinë Progresive Serbe. Gjithashtu në Parlament hyjnë dhe ultranacionalistët e drejtuar nga Vojsllav Sheshel, të cilët arrijnë të marrin 7.91 përqind të votave, të përkthyera në 23 korsi në Parlament. Ultranacionalisti në një fjalim të mbajtur përpara mbështetësve tha se nuk ishte shumë i kënaqur me rezultatin paraprak, pasi priste më shumë. “Sa i përket rezultatit më duhet t’a pranoj se nuk jemi të kënaqur. Ne prisnim më shumë, por nuk mund të jemi të inatosur me njerëzit tani. Qytetarët gjykuan se ne meritojmë këtë rezultat dhe kjo duhet respektuar.” Tha Sheshel. Në zgjedhjet lokale në komunën e Preshevës ka fituar Partia Demokratike Shqiptare (4.757 vota) e kryetarit Ragmi Mustafa, kurse në Bujanoc Partia për Veprim Demokratik (PVD) e ish-kryetarit të komunës, Shaip Kamberit. Nga këto rezultate mund të thuhet se për katër vitet e ardhshme Presheva dhe Bujanoci do te udhëhiqen nga shqiptarët. Zgjedhjet serbe u organizuan edhe në disa rajone të Kosovës, por përfaqësues të Bllokut Patriotik Serb kanë kërkuar përsëritjen e zgjedhjeve parlamentare serbe në Kosovë, pasi ata konsiderojnë se Partia Progresive Serbe (SNS), të cilën e udhëheq kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç është përfshirë në vjedhje dhe parregullsi. Sipas kësaj partie, kjo gjë është me e theksuar veçanërisht në Mitrovicën Veriore dhe në Komunën e Zveçanit. Në zgjedhjet parlamentare patën të drejtë vote 6.7 milionë votues, ndonëse Serbia ka 7.3 milionë banorë. Këto zgjedhje kanë pasur një karakteristikë të re: pjesëmarrje më të madhe të grupeve të djathta dhe nacionaliste, prej të cilëve pritet të hyjnë disa në Parlament. Për Serbinë dhe të ardhmen e saj këto zgjedhje ishin mjaft të rëndësishme, për shkak se është thënë që do të bëhet një diferencim i qartë: me Europën apo me Rusinë. Edhe pse Serbia ka marrëdhënie mjaft të mira me bllokun, që shpesh bie në konflikt me integrimin në Bashkimin Europian. Kryeministri aktual i Serbisë, si dhe lideri i Partisë Progresive Serbe, Aleksandar Vuçiç ka thënë se nëse koalicioni qeverisës fiton shumicën e votave në Serbi, atëherë shteti që ai udhëheq do të vazhdojë rrugëtimin drejt integrimeve evropiane për t’u afruar më afër standardeve evropiane të jetesës.