Shkeljet e të drejtave të fëmijëve në Emiratet e Bashkuara Arabe
Kur flitet për punën e fëmijëve nëpër miniera, nuk mund të justifikohet me asnjë logjikë ky veprim. Për fat të keq, herë pas here në shumë raporte botërore flitet për një gjë të tillë, kur edhe EBA janë të përfshira nga shkelje të tilla.
Spikeri
EBA është një vend që gjendet në jugperëndim të Azisë dhe në lindje të Gadishullit Arabik, që kufizohet me Katarin dhe Arabinë Saudite në Lindjen e Mesme, nga lindja me Omanin dhe nga veriu është fqinj i Gjirit Persik. EBA është një union që përbëhet nga shtatë njësi apo emirate të vogla me emrat Abu Dhabi, Dubai, Sharxhe, Axhman, Faxhire, Ras Al Khaimah dhe Um Al Kavin që është formuar më 2 dhjetor 1971 pas pavarësimit nga Britania e Madhe. Dubai është qytet që gjendet në pjesën jugore të Gjirit Persik në Gadishullin Arabik. Emrin Dubai e ka marrë nga emirati në të cilin ndodhet, pra Emirati i Dubait. Në dekadën e fundit, ky emirat është bërë qendër kryesore e tregtisë globale me ari. Rreth 40 % e gjithë tregut të arit në botë gjendet në këtë qytet që shpesh quhet edhe "Qyteti i arit".
Spikeri
Ari i cili gjendet në treg ku përmes transaksioneve sjell fitime të mëdha, në fakt paraqet një situatë të hidhur. Ekzistojnë sekrete të shumta kur është fjala për procesin e nxjerrjes dhe futjes në treg. Nxjerrja e arit nga minierat është një punë e vështirë dhe e mundimshme. Në 100 vitet e fundit janë bërë përpjekje të shumta për përmirësimin e kushteve të punës dhe për sigurinë e minatorëve, mirëpo akoma ekzistojnë rreziqe të shumta dhe kërkohet vazhdimisht kujdes dhe vigjilencë gjatë punës në miniera. Me këtë rast, kur flitet për punën e fëmijëve nëpër miniera, nuk mund të justifikohet me asnjë logjikë ky veprim. Për fat të keq, herë pas here në shumë raporte botërore flitet për një gjë të tillë, kur edhe EBA janë të përfshira nga shkelje të tilla.
Spikeri
Një hulumtim i Human Rights Watch (HRW) dëshmon për neglizhimin ndaj punës së fëmijëve që punojnë në furnizimin e arit, që mund të ndikojë në shkeljen e të drejtave te fëmijëve. Kjo organizatë ka nxjerrë disa dokumente që dëshmojnë se si në Gana tregtarë të pa licencuar kryejnë punën e nxjerrjes së arit nga minierat, duke punësuar fëmijë dhe disa kompani të cilat merren me këtë punë nuk i posedojnë mekanizmat për mbrojtjen adekuate të minierave dhe padyshim se janë identifikuar raste të shkeljes së të drejtave të fëmijëve në punë. Disa nga kompanitë ganeze të cilat eksportojnë ari, e eksportojnë arin në rafineritë e arit në Dubai në kompaninë e quajtur Kaloti dhe në kompaninë emiratase Emirates Gold. Juliane Kippenberg, studiues në HRW, në raportin e tij thekson: "Gjatë muajit të kaluar kam vizituar një industri minerare në Gana në rajonin Ashanti. Në nxehtësinë e madhe të rrezeve të diellit, Is'hak, një djalë i moshës së re ishte duke gërmuar thellë në shkëmbinj dhe afër tij kishte edhe fëmijë dhe të rritur të tjerë. Kjo skenë më kujtoi një ngjarje të hidhur të disa viteve më parë kur një minierë në Gana ishte shembur dhe kishte zënë 16 vetë. Is'hak më tha se për shkak të orarit të plotë të punës, kishte braktisur shkollën fillore. Ai edhe gërmonte edhe bartte gurë të rëndë. Përpunimi i arit me merkur toksik është shumë i rrezikshëm për shëndetin e njeriut sidomos të fëmijëve. Kur e pyeta atë në lidhje me rreziqet e punës me merkur toksik, ai tha se nuk dinte asgjë në lidhje me këtë".
Spikeri
Minierat që nuk posedojnë leje në Gana, janë shumë të rrezikshme për fëmijët. Në minierën e vogël të arit në Gana në të cilën kanë aplikuar për të punuar rreth një milion vetë dhe gati 40 % e prodhimeve të arit i takon këtij vendi, punohet pa leje. Fëmijët për të mbajtur familjet e tyre, shkojnë dhe punojnë aty duke braktisur edhe shkollën. Mijëra fëmijë, kryesisht të moshës mes 15 dhe 17 vjeç punojnë në minierën e arit të Ganës, ku me këtë rast shkelet e drejta ndërkombëtare e cila ndalon punën e fëmijëve në industri të rrezikshme nën moshën 18 vjeç. Rreth një të tretën e punëtorëve në minierën e arit të Ganës e përbëjnë fëmijët. Ata punojnë në kushte shumë të këqija dhe puna e tyre nuk monitorohet nga askush. Fëmijët në minierën e arit në Gana shpeshherë humbin jetën si pasojë e peshave të rënda të cilat ata i bartin. Puna në miniera mund të jetë shumë e rrezikshme për fëmijët, për shkak të bartjes së pajisjeve të rënda, si lopata dhe gjërave të mprehta që shpojnë gurë dhe kontaktit me zhivën i cili është helmues. Po ashtu vlen të theksohet se puna në mjedise të këtilla shkakton edhe sëmundje të ndryshme për shkak të kimikalieve toksike. Ata që punojnë në këto miniera marrin të ardhura të vogla sa për mbijetesë. Disa fëmijë punojnë në thellësi prej 25 metra dhe shpeshherë janë viktimë e shembjes së dheut. Prodhimet e arit të cilat sot ekspozohen në Dubai, e kanë shndërruar këtë qytet në qytetin e arit, ku shumë blerës në botë e vizitojnë këtë qytet për t'i blerë prodhimet e arit.
Spikeri
Emiratet e Bashkuara Arabe nuk është i vetmi vend që shfrytëzon fëmijët për të punuar në miniera të arit në vende të tilla si Gana. Një gjë e tillë ndodh në shumë vende aziatike dhe afrikane. Është vlerësuar se një milion fëmijë në botë punojnë në miniera të vogla të arit dhe mineraleve tjera. Këta fëmijë për shkak të kushteve të këqija të jetesës detyrohen të punojnë punë të tilla dhe i ekspozohen sëmundjeve të ndryshme e në disa raste edhe vdekjes. Për shkak të bartjes së peshave të rënda, helmimi me pluhurin dhe grimcat e rrezikshme si dhe pajisjet të cilat shfrytëzohen për të punuar, rrezikojnë seriozisht shëndetin e fëmijëve. Për fat të keq, edhe përkundër përpjekjeve të shumta për të përmirësuar kushtet e jetesës për fëmijët, ata akoma janë viktima të punëve të rënda dhe të palejueshme. As në vitet e fundit nuk është bërë aq sa duhet për të përmirësuar jetën e fëmijëve, ku në 15 vitet e fundit, është reduktuar vetëm një e treta e numrit të tyre. Aktualisht, shfrytëzimi i fëmijëve në Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine është shumë i lartë. Në çdo 11 fëmijë aziatikë, një prej tyre është i detyruar të punojë. Në Afrikë edhe pse ky numër është më i vogël, por numri i fëmijëve që punojnë në miniera është shumë i madh. Edhe pse ishte deklaruar se deri në vitin 2015 do të eliminohej puna për fëmijët, prapëseprapë kjo dukuri vazhdon të mbetet në fuqi.
Spikeri
Megjithatë, ata të cilët përfitojnë para të majme nga industria e arit, nuk marrin përgjegjësinë për sigurinë e jetës së fëmijëve që punojnë këtë punë. Zhvillimi i kësaj industrie vazhdon të jetë mjet për shkeljen e të drejtave të njeriut. Pronarët e minierave, tregtarët e arit dhe xhevahirit, si dhe përfituesit tjerë të industrisë së arit duhet të bëjnë përpjekje të vazhdueshme për të përmbushur përgjegjësitë që kanë për nxjerrjen dhe shitjen e arit. Ata duhet të sigurojnë kushtet e nevojshme të kërkuara nga e drejta ndërkombëtare dhe të parandalojnë fëmijët të punojnë në miniera. Disa nga këto mekanizma janë paraparë në Organizatën ndërkombëtare për bashkëpunim ekonomik dhe zhvillim dhe në Udhëzimin për tregtinë me ari. Kompanitë blerëse të arit në Gana duhet të bëjnë kontrolle shtesë mbi zinxhirin e sigurisë së arit dhe të mos lejojnë që fëmijët të jenë pjesë e bizneseve të tyre.