Rrezikohet armëpushimi në Siri
https://parstoday.ir/sq/news/uncategorised-i12220-rrezikohet_armëpushimi_në_siri
I dërguari special i OKB-së në Siri, Stefan de Mistura, deklaroi se armëpushimi në Siri po rrezikohet seriozisht.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Prill 28, 2016 16:34 Europe/Tirane
  • Rrezikohet armëpushimi në Siri

I dërguari special i OKB-së në Siri, Stefan de Mistura, deklaroi se armëpushimi në Siri po rrezikohet seriozisht.

Sipas ndërmjetësit të Kombeve të Bashkuara, përgjatë 48 orëve të fundit, mesatarisht, një sirian është vrarë çdo 25 minuta dhe një është plagosur çdo 13 minuta. Që bisedimet e paqes të kenë sukses, sipas De Misturës, aktet armiqësore duhet të reduktohen në nivelet që ishin menjëherë pas marrëveshjes së muajit shkurt. Dhuna në Siri është intensifikuar gjatë ditëve të fundit, pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit. Të paktën 20 civilë u vranë dje si pasojë e sulmeve që goditën një spital dhe një godinë të afërt rezidenciale në lindje të Alepos. Mes viktimave përfshiheshin fëmijë dhe pediatri i vetëm në zonat e rrethuara nga terroristët në qytet. Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq shprehu shqetësimin për intensifikimin e luftimeve në Alepo dhe për sulmet e grupeve terroriste kundër banorëve të këtij qyteti dhe shtoi se Alepo ndodhet në prag të një krize humanitare. Kryqi i Kuq Ndërkombëtar theksoi se intensifikimi i luftimeve në Alepo e ka vështirësuar shumë gjendjen e banorëve të këtij qyteti. Në sulmin më të fundit me raketa, terroristët kanë goditur lagjen Al Azimije të Alepos duke vrarë dhe plagosur dhjetëra civilë sirianë. Në sulmet me mortaja të terroristëve kundër zonave të banuara të qytetit Alepo në veriperëndim të Sirisë dhjetëra civilë sirianë kanë humbur jetën. Sulmet me raketa dhe mortaja kundër qytetit Alepo janë intensifikuar që prej largimit të grupit të përkrahur nga Arabia Saudite nga bisedimet e paqes në Gjenevë. Përshkallëzimi i situatës kërcënon të prishë bisedimet për paqen që rinisën muajin e kaluar në Gjenevë të Zvicrës. Delegacioni opozitar i mbështetur nga Arabia Saudite, javën e kaluar pezulloi pjesëmarrjen e tij në bisedimet e Gjenevës. Nabil Al Arabi, sekretar i përgjithshëm i Ligës Arabe, shprehu shqetësimin për zgjerimin e luftimeve në Siri dhe kërkoi të bëhen të gjitha përpjekjet për konsolidimin e armëpushimit dhe për vazhdimin e dërgimit të ndihmave humanitare në zonat e rrethuara, në bazë të rezolutës 2268 të KS të OKB. I dërguari i OKB-së në Siri, Stefan de Mistura i bëri thirrje SHBA-së dhe Rusisë që të ndërhyjnë në nivelet më të larta për të shpëtuar dialogun e brishtë të paqes. Duke folur pas raundit të tretë të bisedimeve në Gjenevë, De Mistura tha se armëpushimi i arritur në muajin shkurt ishte në fije të perit dhe mund të dështonte në çdo moment. Ai theksoi se në raundin e ardhshëm të bisedimeve të paqes në Siri duhet të marrin pjesë edhe kurdët e Sirisë, të cilët janë qytetarë të këtij vendi dhe kanë të drejtë të shprehin vullnetin e tyre për të ardhmen e Sirisë. Duke i kërkuar SHBA-së dhe Rusisë të bashkëpunojnë, diplomati i lartë i OKB tha se trashëgimitë e presidentëve Barak Obama dhe Vladimir Putin lidheshin me suksesin e procesit të paqes në Siri.