Europa në javën që kaloi...53
Të nderuar dëgjues po fillojmë emisionin tonë të përjavshëm kushtuar zhvillimeve më të rëndësishme të javës së kaluar në Europë.
Spikeri
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, javën e kaluar ka kryer një vizitë në Turqi ku takimi i parë në axhendën e saj u ishte rezervuar refugjatëve. Pasi u prit në aeroport nga kryeministri Ahmet Davutoglu, Merkel iu drejtua menjëherë qytetit jugor të Gaziantep, afër kufirit me Sirinë. Delegacioni që kreu vizitën në Turqi ishte i përbërë nga Merkel, presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk dhe zv.presidenti i Komisionit Europian, Frans Timmermans. Ai kishte për qëllim inspektimin e kushteve të jetesës për rreth 5 mijë emigrantë, të cilët janë të strehuar në kampin Nizip. Po ashtu, delegacioni u përpoq të hedhë dritë mbi pikëpyetjet që shoqëron ligjshmëria e marrëveshjes për refugjatët BE-Turqi. Grupet për të drejtat e njeriut pretendojnë se Turqia nuk është një vend i sigurtë për të kthyer emigrantët. Nga ana e saj, Ankaraja i mohon akuzat dhe paralajmëron se marrëveshja mund të dështojë nëse premtimet e BE për ndihmën financiare prej 6.8 miliardë eurosh dhe për liberalizimin e vizave, nuk do të plotësohen. Sipas marrëveshjes, Turqia duhet të përmbushë 72 kushte deri në 4 maj për të përfituar heqjen e vizave, por diplomatët thonë se vetëm gjysma e pikave janë plotësuar deri më tani. Merkel po përballet me një trysni në rritje në Gjermani për politikat e emigracionit. Por ajo vazhdon të mbrojë ujdinë me Turqinë, pavarësisht kundërshtive nga disa partnerë europianë. Skema që parashikon kthimin mbrapsht në Turqi të emigrantëve që nuk aplikojnë apo nuk i plotësojnë kushtet për azil, duket se po funksionon. Numri i të ardhurve është reduktuar nga 56 mijë që ishte në muajin shkurt, në rreth 7800 përgjatë 30 ditëve të fundit. Që prej 20 marsit, personat që mbërrijnë ilegalisht në Greqi, kthehen mbrapsht në Turqi nëse nuk aplikojnë për azil apo nëse kërkesa e tyre refuzohet. Për çdo sirian të kthyer, BE-ja duhet të pranojë direkt nga kampet turke një tjetër shtetas të këtij vendi, i cili ka bërë kërkesë të ligjshme. Gjithsesi, Organizata Ndërkombëtare për Emigracionin tha se të dhënat jozyrtare të ditëve të fundit sugjeronin se shifrat po rriteshin sërish. Tjetër sfidë është rishpërndarja e premtuar e emigrantëve në vendet e BE-së të cilat po hezitojnë të pranojnë më shumë persona. Sipas komisionit, deri më tani vetëm 103 sirianë janë risistemuar nga Turqia në Europë. Sidoqoftë, mediat turke e kritikuan Angela Merkelin pas vizitës së saj në Turqi. Sipas tyre kancelarja e mbylli njërin sy teksa së bashku me delegacionin vizitoi kampin më të madh të strehimit të refugjatëve në Europë. Kancelarja akuzohet së bashku me partnerët e saj europianë e kanë lënë pas dore Turqinë dhe se vizita e tyre ishte thjesht një formalitet. Merkel u akuzua gjithashtu se mbylli njërin sy përballë situatës së vështirë të sirianëve në Turqi; vetëm një pakicë e tyre mund të punësohen në vend, shumica kryejnë aktivitet në të zezë dhe jetojnë në një varfëri të madhe. Ndërsa kancelarja u shpreh se kampi “Nizip”, që vizitoi ishte për t’u marrë shembull, turqit ngrenë pyetjen: po të tjerët që jetojnë jashtë kampeve? Ndërsa, “Amnesty International” mendon se presioni i madh që Merkel po bën për zbatimin e marrëveshjes BE-Turqi, ka detyruar këtë të fundit që të dëbojë refugjatët mbrapsht në Siri, me qëllim që mos të kalohet kuota e vendosur nga BE për fluksin e personave që kalojnë kufirin.
Spikeri
Kryeministri serb Aleksandar Vuçiç është politikani që fitoi përqindjen më të madhe të një grupi politik në Serbi, të paktën në 10 vitet e fundit. Rezultatet zyrtare të zgjedhjeve parlamentare në Serbi e nxjerrin atë bindshëm fitues, me mbi 48 për qind të votave. Pavarësisht se në fillim ishte mbi 51 për qind, Vuçiç ka fituar shumicën, pasi partitë që nuk hyjnë në Kuvend ia kalojnë votat partive të tjera. Fituesi iu drejtua simpatizantëve të tij në një konferencë për shtyp, ku u premtoi një të ardhme më të mirë. “Të gjitha zgjedhjet deri më sot kanë qenë për stabilitetin dhe sigurinë e vendit. Këto zgjedhje janë votë për progresin. E di që nuk do të jetë e lehtë, pasi rruga jonë nuk është e shtruar me lule, por jam i sigurtë se mund të arrihet”, tha Aleksandar Vuçiç, kryeministër i Serbisë. Megjithatë, karakteristikë e rezultateve të zgjedhjeve është fakti se, disa parti të djathta dhe të krahut nacionalist janë rikthyer në skenë, ndërsa radikali Vojislav Sheshel ka arritur të marrë më shumë se të gjitha grupet demokratike, me një rezultat prej gati 9 për qind. Edhe pse dikur partner i tij, Vuçiç ngelet shpresa e vetme, që Serbia të shkojë megjithatë drejt Bashkimit Europian. Dragan Popoviç, nga “E majta e Serbisë”, thotë se kjo tregon një dobësim të përgjithshëm të ideve të dikurshme. Në zgjedhjet parlamentare patën të drejtë vote 6.7 milionë votues, ndonëse Serbia ka 7.3 milionë banorë. Këto zgjedhje kanë pasur një karakteristikë të re: pjesëmarrje më të madhe të grupeve të djathta dhe nacionaliste, prej të cilëve pritet të hyjnë disa në Parlament. Për Serbinë dhe të ardhmen e saj këto zgjedhje ishin mjaft të rëndësishme, për shkak se është thënë që do të bëhet një diferencim i qartë: me Europën apo me Rusinë. Serbia ka marrëdhënie mjaft të mira me Rusinë, që shpesh bie në konflikt me integrimin në Bashkimin Europian. Kryeministri aktual i Serbisë, si dhe lideri i Partisë Progresive Serbe, Aleksandar Vuçiç ka thënë se nëse koalicioni qeverisës fiton shumicën e votave në Serbi, atëherë shteti që ai udhëheq do të vazhdojë rrugëtimin drejt integrimeve evropiane për t’u afruar më afër standardeve evropiane të jetesës. Rezultatet kanë bërë që të dobësohet e gjithë opozita, teksa disa prej tyre janë ende në ankthin e gabimeve në përllogaritjen e përqindjes. Por një gjë është e sigurtë: Vuçiç ka fuqinë absolute dhe gjithçka varet nga realizimi i ideve të tij.
Spikeri
Javën e kaluar, i dërguari i SHBA në NATO, deklaroi se nuk ekziston asnjë gjasë për zgjerimin e NATO-s në një të ardhme të afërt. Në një kohë që Gjeorgjia dhe disa vende të Ballkanit kërkojnë zgjerimin e shpejtë të NATO-s në Evropën Lindore, Douglas Lute, i dërguar i SHBA në NATO, deklaroi se nuk ekziston asnjë shans për zgjerimin e NATO-s në vitet e ardhshme sepse ekziston frika që zgjerimi i NATO-s mund të tensionojë marrëdhëniet me Rusinë. Ai shtoi se NATO nuk dëshiron destabilizimin e Rusisë dhe dobësimin e situatës së brendshme në këtë vend, sepse Rusia ka një rol të rëndësishëm në arenën aktuale strategjike dhe pikërisht kjo arenë strategjike konsiderohet si një frenim I procesit të zgjerimit të NATO-s. Megjithatë, Gjatë këtij viti, NATO filloi procesin e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO dhe kjo shkaktoi kritika të ashpra nga ana e Moskës. Që prej shpërbërjes së ish-BS në vitin 1991, NATO është zgjeruar vazhdimisht drejt Lindjes dhe Moska është e shqetësuar se ky zgjerim synon rrethimin e Rusisë dhe bllokimin e potencialit strategjik të forcave të armatosura të Rusisë.
Spikeri
Javën e kaluar, u zhvillua takimi i Kwshillit NATO-Rusi që u shoqërua me replika të ashpra. Marrëdhënia mes NATO-s e Rusisë është në krizë të fortë, nuk ka një axhendë pozitive dhe as interesa të përbashkëta. Ambasadori rus në NATO përdori një ton të akullt duke thënë: NATO ka ndryshuar strategji nga partneriteti në kërcënim. Ky është interpretimi i ri i Moskës për gjendjen e ndryshuar në arenën ndërkombëtare. Ambasadori rus tha se marrëdhëniet e aleancës ushtarake me Moskën ishin në krizë të fortë, e shtoi se nuk ka as axhendë pozitive e as interesa të përbashkëta. I gjithë episodi nxori dhe një herë në pah ndasitë e thella lindje-perëndim mbi ngërçin ukrainas dhe të ardhmen e sigurisë në Europë. Vetë Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut Verior, Jens Stoltenberg, e pranoi pas takimit se ka pasur replika serioze e pa doreza, që e përkthyer nga gjuha e diplomatëve do të thotë: edhe pak dhe do të përdornim grushtat. Rigjallërimi i një instance që ngriu para dy vitesh, pas aneksimit rus në Krime, sipas qëndrimit të Perëndimit është një tentativë me objektiv rivendosjen e dialogut të paktën minimalisht, dhe mundësinë për pak transparencë dhe planifikim në marrëdhënien e dyanshme. Nga ana tjetër bëhet fjalë edhe për shmangien e keqkuptimeve. Sidoqoftë, me një ton të zemëruar presidenti rus Vladimir Putin akuzoi Perëndimin se po zgjerohet pa asnjë të drejtë në drejtim të Lindjes. Stacionimi i trupave të NATO-s në vendet baltike dhe Poloni janë një shqetësim i madh për Moskën .
Spikeri
Finlandezët janë lodhur me euron dhe hipoteza e një referendumi për “Fixit”, siç e quajnë mediat ndërkombëtare, po merr formë gjithmonë e më shumë. Pas një peticioni të firmosur nga 50.000 qytetarë, ideja e një vote popullore mbi qëndrimin apo jo në Eurozonë do të shtrohet për diskutim në Parlament. Ishte një politikan i opozitës ai që i rihodhi benzinë zjarrit të debatit mbi monedhën e përbashkët e foli për të parën herë hapur për shkëputje. Edhe pse për Finlandën e përballur me probleme financiare një skenar i tillë duket i largët, numri i firmave të mbledhura nënkupton se Parlamenti është ligjërisht i detyruar të diskutojë referendumin e “Fixit”. Peticioni u propozua nga 69-vjeçari Paavo Vayrynen, i cili ka mbajtur pozicionin e ministrit në disa qeveri të mëparshme. Një sondazh i realizuar nga televizioni publik YLE në muajin dhjetor tregoi se 31% e të intervistuarve ishin në favor të daljes nga Eurozona, në një kohë kur katër vjet më pare idenë e mbështesnin vetëm 5% e finlandezeve. Rritja e ndjeshme e euroskepticizmit në vend, ashtu siç ka ndodhur edhe në disa shtete të tjera të Europës, shpjegohet kryesisht me krizën ekonomike. Finlanda ka vuajtur pasojat e anëtarësimit në Eurozonë, argumenton Vayrynen, që sjell si shembull Suedinë fqinje, ekonomia e së cilës pas vitit 2008 është rritur me 8% apo më shumë, ndërsa ajo finlandeze, sipas tij, është rrudhur me 6%.
Spikeri
Javën e kaluar, zyrtarët evropianë dhe ata të Fondit Monetar Ndërkombëtar deklaruan se nuk do të ketë marrëveshje mes Greqisë dhe huadhënësve të saj ndërkombëtarë, e cila do të zhbllokonte këstin e radhës së kredisë dhe do të mundësonte nisjen e bisedimeve për lehtësimin e borxheve, pavarësisht një lloj progresi që ka shënuar Athina në reformat e kërkuara në këmbim. “Ne do të diskutojmë me Greqinë. Kemi dëgjuar fjalë të mira nga Athina, kështu që le të shohim se ku jemi. Nëse është shënuar progres, atëherë do të nisim diskutimet mbi borxhin, por ne jemi vetëm në fillim të procesit, kështu që nuk pritet marrëveshje e re”, tha kryetari i Ministrave të Financave të Eurozonës Jeroen Dijsselbloem. “Jam shumë e kënaqur të shoh që është shënuar progres, por gjithsesi ka shumë punë për të bërë. Ne jemi të vendosur të vijojmë punën, nuk jemi ende ku duhet dhe ka një marrëveshje e cila duhet të arrihet për borxhin”, tha shefja e FMN Kristine Lagarde. Sipas marrëveshjes së nënshkruar mes Athinës dhe qeverive të eurozonës gushtin e kaluar, paketa e reformave ka për qëllim prodhimin e një suficiti primar prej 3.5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto në vitin 2018. Por mosmarrëveshjet mes palëve qëndrojnë tek masat, të cilat përfshijnë pensionet dhe taksat mbi të ardhurat. Ky qëndrim i FMN dhe i europianëve ka irrituar kryeministrit grek Alexis Tsipras, i cili ndodhet nën presion të madh nga populli grek për shkak të zbatimit të masave drastike ekonomike të kërkuara nga huadhënësit ndërkombëtarë.