Përpjekje të reja të BE për zgjidhjen e krizës së refugjatëve
Komisioni Europian ka propozuar një sistem të shpërndarjes së azilkërkuesve anembanë BE-së , që synon t’u lehtësojë ngarkesën shteteve të tilla si Greqia e Italia, ku ata janë dyndur më së shumti.
E megjithatë, sërish ky sistem mund të përballet me rezistencën e qeverive të Europës Lindore. Ekzekutivi i Bashkimit Europian publikoi propozimet legjislative për të reformuar të ashtuquajturin sistem Dublini të rregullave të azilkërkimit në BE, ku përfshihet edhe një “mekanizëm drejtësie apo paanësie”, sipas të cilit secilit prej 28 vendeve anëtare duhet t’u akordohet një kuotë në përqindje e të gjithë azilkërkuesve në bllokun europian, aq sa ata të mund t’i përballojnë. Kuotat duhet të reflektojnë numrin e popullsisë kombëtare dhe mirëqenien e tij, ndaj dhe nëse ndonjë vend arrin në konkluzionin se po trajton 50 për qind më shumë sesa detyrimi i saj, atëherë do të mund t’i rialokojë ata diku tjetër në bllok. Qeveritë mund të refuzojnë të marrin azilkërkues për një vit, vetëm nëse ata paguajnë një tjetër shtet që do të mund t’i akomodojë ata. Rregulli bazë i Dublinit nuk do të ndryshojë. Sistemi i deritashëm parashikon që refugjatët ta paraqesin lutjen për mbrojtje në atë shtet anëtar, në të cilin ata hyjnë për herë të parë në BE. Vende me një kufi të jashtëm të BE si Italia ose Greqia me këtë i ekspozohen një barre veçanërisht të rëndë. Në krizën e refugjatëve këto shtete u ankuan për mungesën e solidaritetit të shumë shteteve të tjera anëtare. Komisioni i BE vërtet dëshiron që ta ruajë parimin e Dublinit, por propozon tani një "mekanizëm-korrektese". Ky mekanizëm do të hyjë në funksion, kur një shtet përballet në një periudhë të shkurtër kohe me një numër të madh migrantësh që vijnë dhe kur nuk mund ta përballojë më vetë ngarkesën. Se kur quhet i arritur ky kufi i ngarkesës, kjo do të orientohet 50 përqind në bazë të numrit të popullatës dhe 50 përqind në bazë të fuqisë ekonomike të vendit. Kur vlera orientuese për një vend kapërcehet në më shumë se gjysmën e saj në një periudhë dymbëdhjetë mujorshe, atëherë azilkërkuesit e rinj në të ardhmen do të përcillen në shtete të tjera evropiane. Në këtë rast, refugjatët do të shpërndahen për aq kohë në shtete të tjera të BE - sërish të shpërndarë duke u bazuar në numrin e popullsisë së shtetit dhe në fuqinë e tij ekonomike - derisa vendi anëtar i prekur të lehtësohet. Do të mbahet parasysh edhe se sa refugjatë ka pranuar deri në atë kohë një shtet i BE direkt nga një shtet i tretë - për shembull sirianë nga Turqia. Me këtë, Komisioni i BE dëshiron t'i inkurajojë shtetet anëtare që të krijojnë më shumë mundësi për një hyrje legale të personave në nevojë në BE. Shtetet mund të dalin jashtë këtij sistemi. Por në këtë rast, ato duhet t'u paguajnë shteteve që janë pjesë e sistemit 250.000 Euro për çdo refugjat, të cilin në bazë të vlerave të referencës këto shtete duhet ta kishin pranuar. Shtetet e BE dhe Parlamenti Evropian duhet të bien dakord me rregulloren e re. Çekia e bëri që tani të qartë se është kundër këtyre propozimeve. Edhe ministri i Brendshëm i Polonisë, Blaszcak është kundër një rregullimi të tillë me kuota. Britania e Madhe, Irlanda dhe Danimarka, në bazë të së drejtës në fuqi, nuk duhet të marrin pjesë në "mekanizmin e rastit urgjent". Ato do të kenë mundësi të vendosin nëse duan të bashkohen me mekanizmin. 25-shtetet e tjera janë pjesë e mekanizmit. Edhe shtetet jo anëtare të BE, po anëtare të hapësirës Shengen- Islanda, Zvicra, Norvegjia, Lihtenshtajni - përjashtohen. Nëse "mekanizmi i rastit urgjent" do të mbështetet nga shtetet anëtare dhe nga Parlamenti i BE, Komisioni i BE e përfytyron tërheqjen e propozimit të tij për një çelës të përhershëm shpërndarjeje të refugjatëve. Ky plan i shtatorit hasi në rezistencë të ashpër në shumë shtete evropiane si dhe në Francë. Skema dyvjeçare emergjente e rishpërndarjes është hartuar vitin e kaluar, kur Greqia po vuante me përballimin e mbërritjeve kaotike të afro një milion emigrantëve e refugjatëve, shumica e të cilëve prej Sirisë. Realisht deri më tani, vetëm 1.441 azilkërkues janë rishpërndarë mes 160 mijë të mundshmëve, bazuar mbi skemën aktuale të përkohshme. Propozimi, i cili përmban edhe masa për të përshpejtuar procesin e shqyrtimit të kërkesave për azil dhe forcimin e kontrolleve gjatë lëvizjeve të emigrantëve, kërkon mbështetjen e qeverive të secilit vend dhe të Parlamentit Europian, një proces që sipas zyrtarëve do të jetë një betejë e vështirë e që do të përfshijë edhe shumë amendime.