Qeveria e Malit të Zi merr votëbesimin e Parlamentit
https://parstoday.ir/sq/news/uncategorised-i1294-qeveria_e_malit_të_zi_merr_votëbesimin_e_parlamentit
Qeveria e drejtuar nga Milo Djukanoviç e kaloi dje me sukses përballjen me Parlamentin e Malit të Zi, duke marrë votëbesimin.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Janar 28, 2016 16:52 Europe/Tirane
  • Qeveria e Malit të Zi merr votëbesimin e Parlamentit

Qeveria e drejtuar nga Milo Djukanoviç e kaloi dje me sukses përballjen me Parlamentin e Malit të Zi, duke marrë votëbesimin.

Nga 62 deputetë që morën pjesë në votim, mbështetje për Qeverinë votuan 42, ndërsa kundër ishin 20 deputetë. Për të ruajtur pushtetin, Qeverisë Djukanoviç i duheshin 41 vota, çka nënkupton se votat e partive shqiptare ishin vendimtare për shpëtimin e kësaj qeverie. Nga 6 deputetët shqiptarë në parlament, 5 votuan pro, ndërsa kundër votoi vetëm Dritan Abazoviç nga partia qytetare URA. Edhe përkundër mos realizimit të të drejtave të shqiptarëve, deputetët nga partitë shqiptare që nga koha e Unionit Demokratik të Shqiptarëve të Ferhat Dinoshës i cili tani është Ambasador i Malit të Zi në Tiranë, vazhdojnë të përkrahin Qeverinë Djukanoviç. Mijëra vetë në Malin e Zi kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Djukanoviç dhe protestojnë kundër anëtarësimit në NATO e kundër korrupsionit. Kreu i qeverisë i hedh poshtë kritikat, duke parë pas tyre një komplot kundër tij. Djukanoviç është nga viti 1991 ose kryeministër, ose president i vendit të vogël buzë Adriatikut me vetëm 600.000 banorë. Në vizitën e tij të fundit Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg lëvdoi përparimet e Malit të Zi dhe u shpreh se deri në fund të vitit do të jetë vendosur, nëse NATO i jep Malit të Zi dritën e gjelbër për anëtarësimin. Ekspertët e shohin këtë si një vendim të sigurtë. Më pak e sigurtë është nëse qeveria gëzon mbështetjen e popullsisë për këtë vendim. Sipas sondazheve, përkrahësit dhe kundërshtarët e anëtarësimit bëjnë një garë kokë më kokë, kjo në varësi të asaj se kush e ka porositur sondazhin. Për disa javë qindra opozitarë qëndruan në një kamp me çadra në kryeqytetin Podgoricë jo vetëm për shkak të kontestimit të anëtarësimit në NATO. Ata kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Djukanoviç, qeveri të përkohshme dhe zgjedhje të reja. Ndërkohë kreu i qeverisë, Djukanoviç shikon pas protestave qarqe „serbomadhe“ dhe klerikë. Qëllimi i vërtetë i opozitës është marrja në mënyrë jo demokratike e pushtetit dhe pengimi i afrimit të vendit me perëndimin, u shpreh kryeministri në një intervistë. Sipas tij organizatorët e protestave gëzojnë mbështetjen e Kremlinit, që nuk e do forcimin e NATO-s në Ballkan. Por kritikët thonë se Djukanoviç e thjeshtëzon shumë gjendjen me këto argumente. Shumica e qytetarëve nuk shohin si problem kryesor orientimin gjeopolitik të Malit të Zi, por mjerimin ekonomik, korrupsionin dhe shpërndarjen e vendeve të punës në administratën publike sipas oreksit të partisë qeverisëse. Rroga mesatare qëndron në kufijtë e 480 eurove, 15% e qytetarëve janë të papunë, sipas statistikave, që jo pak vetë i shohin si të zbukuruara. Për shumicën e qytetarëve Milo Djukanoviç është simboli i fundosjes së plotë. Për një pjesë tjetër simbol i suksesit të plotë, shpresa dhe krenaria e tyre. Mali i Zi është mbërthyer në dy ekstreme: Pro ose kundër Djukanoviçit. Qytetarët e këtij vendi janë të përçarë. Sidoqoftë, marrja e votëbesimit në Parlament e ka forcuar pozitën e kryeministrit Djukanovic. Nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, ka deklaruar Djukanoviç pas marrjes së votëbesimit, dhe shfrytëzoi momentin për të tallur opozitën që nuk e mund dot prej “një çerekshekulli”. Edhe një referendum për anëtarësimin në NATO, kryeministri malazez e sheh si të panevojshëm.