Thellohen tensionet mes BE-së dhe Turqisë
Duket se Turqia do të ketë një rrugë të gjatë për tu anëtarësuar në BE dhe vetëm për liberalizimin e vizave duhet të plotësojë 72 kritere të përcaktuara nga BE.
Gjithashtu, BE i ka kërkuar Turqisë të rishikojë ligjet anti-terrorizëm si kusht për liberalizimin e vizave për qytetarët turq. BE-ja do që të ngushtojë definicionin aktual që Turqia ka mbi terrorizmin, për t’iu përshtatur standardeve evropiane. Erdogan e ka hedhur poshtë këtë, duke këmbëngulur se Turqia mbetet nën kërcënim të madh të terrorizmit. Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se nuk do të ndryshojë ligjet kundër terrorizmit, në këmbim të udhëtimit pa viza në Evropë. Duke iu drejtuar BE ai tha: “Ne do të vazhdojmë rrugën tonë, ju vazhdoni tuajën”, ka thënë ai. BE kishte kërkuar nga Turqia që të qartësonte përkufizimin e kësaj të fundit mbi termin terrorizëm, në mënyrë që të kualifikohej për mundësinë e heqjes së vizave, si pjesë e një marrëveshje më të gjerë mes të dy palëve, që do të shërbente për lehtësimin e krizës së emigrantëve në Europë, më e rënda që prej Luftës së Dytë Botërore. Marrëveshja mes BE-së dhe Turqisë përfshin rikthimin e emigrantëve, kryesisht refugjatë sirianë, nga Greqia për në shtetin e shtrirë në dy kontinente, duke llogaritur këtu edhe një rritje të theksuar të ndihmave dhe masave të tjera për ata që strehohen tashmë në Turqi. E gjitha kjo do të bëhej me një lëshim, që do t’u mundësonte shtetasve turq lëvizjen e lirë për qëndrime afatshkurtra turistike në vendet e zonës “Schengen”. Gjithsesi, BE-ja ka bërë të ditur së fundi se dëshiron prej Turqisë të përcaktojë me fjalë më të përqendruara kuptimin e gjerë të fjalës terrorizëm, në mënyrë që t’i përafrohet me standardet e BE-së. Ky ishte edhe njëri prej 5 kritereve të BE-së, që Turqia ende nuk i ka përmbushur në mënyrë që t’i mundësohet lehtësimi i vizave. “Bashkimi Europian po na kërkon të ndryshojmë ligjin anti-terror, pikërisht në kohën kur Turqia gjendet nën sulmet e organizatave terroriste të të gjitha kaheve. Si mund ta kërkojnë këtë në këmbim të heqjes së vizave?”. Duke iu referuar më pas tendave të ngritura pranë Parlamentit Europian në Bruksel, nga Partia e jashtëligjshme e Punëtorëve të Kurdistanit “PKK”, Erdogan tha: “Ju (BE) mund t’i lejoni terroristët të ngrenë tenda dhe mund t’u ofroni atyre mundësi në emër të demokracisë. Më pas mund të na thoni neve të ndryshojmë ligjet antiterrorizëm në këmbim të vizave. Por jo, më vjen keq, ne do të ndjekim rrugën tonë, ndërsa ju mund të shkoni nga rruga juaj”. Ashpërsimi i qëndrimit të presidentit turk ndaj BE-së, vjen pasi kryeministri Ahmet Davutoglu, i cili ka qenë edhe negociatori kryesor i marrëveshjes me BE-në, tha se do të largohej nga posti që mbante, pikërisht prej mospërputhjeve të mendimeve me presidentin e vendit. Davutoglu raportohet të ketë kundërshtuar gjithashtu planin e Erdoganit për t’i dhënë më shumë pushtet Presidencës. Sipas Erdoganit, ndryshimet e propozuara kushtetuese janë të një rëndësie kombëtare, e jo kërkesa personale. Kryeministri turk Ahmet Davutoglu ka deklaruar se do të dorëhiqet nga të gjitha postet në Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim, duke theksuar se nuk do të kandidojë më për kryetar partie në Kongresin që pritet të zhvillohet më 22 maj. BE dukshëm është i pakënaqur nga këto zhvillime të cilat dëshmojnë se politikat egoiste të Erdoganit po e largojnë edhe më shumë Turqinë nga aspirata për anëtarësim në BE.