Dorëheqja e kancelarit të Austrisë
Kancelari austriak Verner Fayman ka dhënë dorëheqjen në mënyrë krejt të papritur pasi nuk arriti që të sigurojë mbështetjen e kolegëve tij nga Partia Social Demokrate.
Lajmërimi i tij erdhi nëpërmjet një konference për mediat ku ai theksoi se Austria ka nevojë për një kancelar i cili përkrahet edhe nga forca politike në të cilën bën pjesë. Në fjalën e tij, ai bëri thirrje që qeveria e re të karakterizohet nga një frymë optimiste. “Më lejoni të them se jam shumë mirënjohës për shtatë vite e gjysmë që kam qëndruar. Megjithatë, ka ardhur momenti që të tërhiqem nga pozicioni im pasi nuk gëzoj më mbështetjen e kolegëve të mi partiakë. Unë jap dorëheqjen nga roli im si kancelar si dhe nga posti i kryetarit të Partisë Social Demokrate. Jam shumë i sigurt që Austria ka forcën e duhur për të përballuar të gjitha sfidat që rezervon e ardhmja''- deklaroi Fayman. Fayman erdhi në krye të Partisë Social-Demokrate në vitin 2008, por ka rënë pre e kritikave të shumta qëkurse partitë rivale të djathta regjistruan rezultate mjaft pozitive në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale që u mbajtën muajin e shkuar. Në këtë proces, Partia Social Demokrate u radhit forcë e katërt duke grumbulluar vetëm 11% të votave. Suksesi i populistit të djathtë Norbert Hofer në zgjedhjet presidenciale në Austri është një thirrje për t’i zgjuar fqinjët evropianë. Rezultati i zgjedhjeve presidenciale në Austri ishte një tërmet politik i llojit më të pakëndshëm: rezultati i papritur i lartë i politikanit të FPO-së Norbert Hofer në zgjedhjet presidenciale në Austri është një thirrje për zgjim për pjesën tjetër të Evropës. Vërtet që posti i Presidentit është në masën më të madhe reprezentativ, por ai mesa duket përmban mundësi ndërhyrjeje në politikë që më parë nuk merreshin me mend. Hofer ka kërcënuar që tani, që nëse do t’i fitojë zgjedhjet e balotazhit në fund të majit, ai do ta shpërbëjë koalicionin qeveritar socialdemokrat-konservator. Sepse në bazë të sondazheve, partia e tij është partia më e fortë në Austri. Si rrjedhim, dorëheqja e kancelarit Verner Fayman në fakt është reagim ndaj rezultatit të zgjedhjeve presidenciale dhe shënon fillimin e forcimit të frontit djathtist në Austri. Forcimi i këtij fronti u duk qartë në ashpërsimin e qëndrimeve të Austrisë sa i përket krizës së refugjatëve. Asnjë vend tjetër në Europë nuk ka bërë një kthesë kaq të fortë në politikën e refugjatëve sa Austria. Ky vend përcaktoi kufirin maksimal të pranimit të refugjatëve, autoritetet lejojnë vetëm 80 kërkesa për azil në ditë. Në kufirin me Slloveninë u vendos një gardh katër kilometra i gjatë, forcat e sigurisë janë vendosur në kufi. Por kthesa më spektakolare erdhi, kur Austria pak para samitit të BE-së, i bëri bisht një zgjidhjeje të përbashkët europiane për krizën. Vjena u bashkua me disa vende ballkanike dhe ia doli që Maqedonia të mbyllte kufirin me Greqinë. Austria prej kohësh i ka shpallur luftë kërkesave për azil, por së fundi ka miratuar një ligj që i lejon autoriteteve që të kthejnë mbrapshtë që në kufi të gjithë ata që synojnë të hyjnë në vend për qëllime azili. Ligji është mjaft i diskutueshëm në vend, teksa shumë grupe të të drejtave të njeriut thonë se ai minon parimin e mbrojtjes nga lufta apo persekutimi. Nuk është e rastit që ky ligji erdhi pasi partia e ekstremit të djathtë në Austri u rendit në krye në raundin e parë në zgjedhjet presidenciale. Zyrtarët austriakë thonë se ata janë duke marrë parasysh idenë e ndërtimit të një gardhi përgjatë kufirit me Italinë dhe kjo ka shkaktuar protesta masive të italianëve, por edhe irritim të madh në qarqet e larta të BE-së. Në këtë kuadër, dorëheqja e kancelarit social-demokrat të Austrisë konsiderohet si një reagim i natyrshëm ndaj zhvillimeve politike në këtë vend, ku duket se pushtetin po e marrin forcat politike të ekstremit të djathtë.