Amerika në një vështrim të brendshëm...55
https://parstoday.ir/sq/news/uncategorised-i13468-amerika_në_një_vështrim_të_brendshëm...55
Me përshëndetje për ju të nderuar dëgjues, po fillojmë emisionin tonë të përjavshëm ku do të trajtojmë zhvillimet më të rëndësishme politike, ekonomike dhe sociale në SHBA gjatë javës që lamë pas.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
May 09, 2016 22:30 Europe/Tirane
  • Amerika në një vështrim të brendshëm...55

Me përshëndetje për ju të nderuar dëgjues, po fillojmë emisionin tonë të përjavshëm ku do të trajtojmë zhvillimet më të rëndësishme politike, ekonomike dhe sociale në SHBA gjatë javës që lamë pas.

Spikeri

Javën e kaluar, dy rivalët e Donald Trump në garën për nominim ne radhët e Partisë Republikane u larguan nga gara elektorale. John Kasich ishte menduar si shpresa e fundit për të mposhtur Donald Trump pas tërheqjes se Ted Cruz. Por edhe John Kasich është larguar gjithashtu nga gara, duke lënë si kandidat të vetëm për president të republikaneve miliarderin e kritikuar të Nju Jorkut. Deri tani Kasich kishte korrur vetëm një fitore dhe atë në shtëpinë e tij, por kishte shpresuar në një lobing të fuqishëm në konventën e republikanëve në muajin korrik. Kasic dhe Cruz nuk arritën të kenë sukses me planin për të frenuar Trump duke bashkuar votat e tyre, dhe fitorja në Indiana vulosi dështimin e tyre dhe të kundërtën për Trump. I vetëm në garë, me gjasa Trump do të arrijë të kapë numrin e delegatëve që i nevojiten për objektivin e vet, por nëse kjo nuk ndodh, atëherë Kasich do të lobojë për mbështetje në Konventën Republikane. Konventa do të vendosë për kandidatin presidencial dhe emri i Donald Trump nuk bën pjesë në listën e të preferuarve të drejtuesve republikanë. Me fitoren në Indiana, Donald Trump ka siguruar 1041 delegatë, ndërsa për të fituar nominimin zyrtar një kandidati i duhen 1237 delegatë. Kryesues deri tani, tashmë Trump është kandidati i Republikanëve në garën e madhe presidenciale amerikane, ku me shumë gjasa do të këtë përballë demokraten Hilari Klinton, e cila edhe pse humbi primaret në Indiana, kryeson garën e të majtëve. Bernie Sanders vazhdon të mbetet shumë pas Hillary Clintonit, që shton dita-ditës mundësitë për të qenë përfaqësuesja e demokratëve në Presidencialet e nëntorit, por senatori nga Vermonti është zotuar ta vazhdojë deri në fund betejën e nominimit. Argumenti, që solli përpara mbështetësve të tij në New Jersey, përfshinte këtë radhë edhe një emër tjetër, përveç atij të rivales së madhe brenda kampit demokrat: emrin e të nominuarit të supozuar të republikanëve. Gjëja më e rëndësishme në këto momente, - tha Sanders, - është që Donald Trump të mos bëhet President i Amerikës. Manjati i pasurive të paluajtshme nuk është shumë i dashur në partinë e tij, është shumë i kritikuar nga të dyja krahët brenda vendit të tij dhe nga ndërkombëtarët për politikat ekstreme, gjithmonë problematik. Donald trump ka frikësuar rivalët demokratë, Kinën, Meksikën dhe shumë vende të tjera. Trump ka thënë se nëse do të bëhet president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të ndërtojë një mur me Meksikën, nuk do të lejojë emigrantët në vend dhe as myslimanët si dhe do të anulojë të gjitha marrëveshjet tregtare me Kinën.

Spikeri

Konfirmimi i Donald Trump si kandidati i republikanëve në zgjedhjet presidenciale të nëntorit ka përçarë përfaqësuesit e partisë. Disa shfrytëzuan rrjetet sociale për të njoftuar se do të hiqnin dorë nga anëtarësimi në shenjë pakënaqësie ndaj fitores së miliarderit, ndërsa të tjerë nuk ja kursyen mbështetjen, duke thënë se Trump është më i pëlqyeshëm se Hillary Clinton, kandidatja e mundshme e demokratëve. Për senatorin e Karolinës së Jugut, Lindsey Graham kandidimi i Trump do ta çojë partinë drejt shkatërrimit të merituar. Të tjerë, si ish-Guvernatori i Luizianës, Bobby Jindal, i cili ka qenë mes kritikëve më të zëshëm të Trump në të kaluarën, thotë se do të mbështesë atë në zgjedhjet e përgjithshme. “Ka shumë gjëra që nuk më pëlqejnë nga Donald Trump, por do të zgjidhja çdo ditë atë përballë Clinton”, pohoi Ari Fleischer, sekretar shtypi për ish-Presidentin George W. Bush. Kreu i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, i cili është edhe figura më e lartë e republikanëve që mbajnë një post aktualisht, nën qeverisjen e demokratëve, refuzoi të japë mbështetjen e tij për Donald Trump si kandidat për president. Ryan tha se dëshironte pafundësisht ta mbështeste Trumpin, por ende nuk e sheh të arsyeshme diçka të tillë. Edhe Dinastia “Bush”, me dy ish-presidentë dhe një kandidat për president, nuk do ta mbështesin kandidaturën presidenciale të Donald Trumpit. Edhe pse asnjëri prej dy ish-presidentëve nuk e kanë sulmuar haptazi miliarderin Trump, apo qoftë edhe propozimet e tij politike, George W. Bush bëri një kritikë “të maskuar” gjatë një shfaqje në fushatën e vëllait të tij më të ri, kur tha se “personi më i fortë, zakonisht nuk është ai më i zhurmshmi në një dhomë”. I konsideruar si bast i humbur kur nisi fushatën e tij në muajin qershor, Trump fitoi një numër të madh shtetesh rreth Amerikës, duke mundur një sërë rivalësh me eksperiencë. Disa analistë republikanë druhen se kandidatura e Trump do të dobësojë pozitat e partisë, duke i dhënë mundësinë demokratëve të fitojnë Senatin dhe ndoshta Dhomën e Përfaqësuesve. Shqetësimet më të mëdha lidhen me disa prej politikave të emigracionit dhe sigurisë kombëtare, të tilla si ndërtimi i një muri në kufirin jugor të Amerikës që do të paguhej nga Meksika, ndalimi i hyrjes së myslimanëve në vend dhe vrasja e familjeve të terroristëve.

Spikeri

Javën e kaluar, presidenti i SHBA Barak Obama deklaroi se zbatimi i traktatit të tregtisë së lirë në dy anët e Oqeanit Paqësor do të bëjë që asnjë vend tjetër, përveç SHBA dhe aleatëve të tyre, të mos përcaktojë ligje mbi ekonominë globale. Presidenti Obama duke i kërkuar Kongresit të ratifikojë këtë traktat, tha se ''nëse mbetemi larg ekonomisë botërore, do të izolohemi''. Obama shtoi se vendet e tjera të botës duhet të veprojnë në ekonominë globale në bazë të rregullave dhe ligjeve të vendosura nga Amerika dhe aleatët e saj. Edhe sekretari i DASH, John Kerry, më 12 Prill 2016 mbrojti traktatin e tregtisë së lirë në dy anët e Oqeanit Paqësor dhe theksoi se ky traktat është një marrëveshje tregtare me standardet më të larta. Traktati i tregtisë së lirë në dy anët e Paqësorit u nënshkrua pas 5 vite bisedime dhe objektivi i tij është krijimi i zonës më të gjerë të tregtisë së lirë në botë me pjesëmarrjen e 12 vendeve që posedojnë rreth 40% të ekonomisë globale. Mitch McConnell, kryetari i mazhorancës republikane në Senatin amerikan ka kërkuar që Traktati i tregtisë së lirë në dy anët e Paqësorit të shqyrtohet pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Ai më parë kishte thënë se ushtrimi i presionit ndaj Kongresit për të miratuar këtë traktat do të vërë në dyshim suksesin e tij. Deklarata e McConnell bëhet në një kohë kur në bazë të një ligji të miratuar nga kongresi në verën e vitit 2015 dhe që u dekretua edhe nga presidenti Obama, Kongresi obligohet që deri në vitin 2021, të miratojë pa vonesë çdo marrëveshje të tregtisë së lirë të nënshkruar nga qeveria amerikane. Duket se republikanët duke zvarritur ratifikimin e traktatit të tregtisë së lirë në dy anët e Oqeanit Paqësor që posedon 2/5 e ekonomisë botërore dhe 1/3 e tregtisë globale, po përpiqen që meritat për suksesin e këtij traktati të mos shkojnë për demokratët.

Spikeri

Javën e kaluar, u publikua raporti i ri i Pentagonit mbi abuzimet seksuale në ushtrinë amerikane. Në këtë raport, Pentagoni deklaroi se gjatë vitit 2015 janë raportuar mbi 6 mijë ankesa për abuzime seksuale në forcat e armatosura amerikane. Në vitin 2014 ishin raportuar 3604 raste të abuzimeve seksuale në ushtrinë amerikane dhe në raportin e ri të Pentagonit bëhet e ditur se këto abuzime janë dyfishuar në vitin 2015. Megjithatë, raporti thekson se për shkak të frikës nga aktet hakmarrëse, shumica e rasteve të abuzimit seksual në ushtrinë amerikane nuk raportohen. Vetëm 40 % e femrave dhe 10 % e meshkujve në ushtrinë amerikane guxojnë të denoncojnë abuzimet seksuale në ushtri. Pentagoni bën të ditur se në 38 % të rasteve të denoncimit, të abuzuarit janë përballur me masa ndëshkuese dhe me shkeljen më të rëndë të të drejtave të tyre. Nga ana tjetër, vetë Departamenti Amerikan i Mbrojtjes ka penguar publikimin e dokumenteve që kanë të bëjnë me abuzimin seksual të ushtarëve. Pentagoni po përballet me rritjen e rasteve të abuzimit seksual dhe ky institucion po bën përpjekje për të reduktuar peshën e këtyre skandaleve duke penguar publikimin e dokumenteve. Sipas një raporti hulumtues të Associated Press me titull "Zbulimi i paralajmëruar", bëhet e ditur se Pentagoni për të parandaluar dëmtimin e imazhit të Amerikës dhe të forcave të armatosura të këtij vendi, heziton në zbulimin e rasteve të abuzimeve seksuale dhe pengon publikimin e këtyre rasteve. Kjo agjenci shkruan: "Pentagoni nuk i ka dhënë informacione të sakta Kongresit amerikan rreth abuzimeve seksuale që kanë ndodhur në ushtrinë amerikane". Zyrtarët e Pentagonit pretendojnë se duke fshehur dosjet e abuzimeve seksuale ruajnë imazhin e SHBA dhe të ushtrisë amerikane si dhe ka hezituar vazhdimisht procedimin e këtyre rasteve në gjykatat ushtarake. Numri i femrave që janë viktima të abuzimeve seksuale në ushtrinë amerikane është shumë më i lartë sesa në shoqërinë civile dhe puna ka shkuar deri atje sa komandantët e ushtrisë të krijojnë ''skuadra speciale'' për identifikimin e krimeve dhe për intervistimin e viktimave me shpresë se mund të zbatojë drejtësinë dhe të dënojë abuzuesit.