Europa në javën që kaloi...56
https://parstoday.ir/sq/news/uncategorised-i14566-europa_në_javën_që_kaloi...56
Me përshëndetje për ju të nderuar dëgjues, po fillojmë emisionin tonë të përjavshëm ku do të flasim mbi zhvillimet më të rëndësishme të javës së kaluar në kontinentin europian.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
May 18, 2016 20:36 Europe/Tirane
  • Europa në javën që kaloi...56

Me përshëndetje për ju të nderuar dëgjues, po fillojmë emisionin tonë të përjavshëm ku do të flasim mbi zhvillimet më të rëndësishme të javës së kaluar në kontinentin europian.

Spikeri

Javën e kaluar, në shumë kryeqytete europiane u përkujtua Dita e Europës. Deklarata e 9 majit në vitin 1950 është koha kur u hodh hapi i parë drejt krijimit të asaj që sot njihet si Bashkimi Evropian. Ministri i Jashtëm i Francës, Robert Schuman, lexoi për shtypin ndërkombëtar një deklaratë ku i bënte thirrje Francës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera europiane për t`i bashkuar prodhimet e tyre të qymyrit dhe çelikut që do të ishte themeli i parë konkret për një Federatë të ardhshme europiane. Vendet të cilave u drejtohej thirrja kishin dalë të rrënuara materialisht dhe moralisht nga konfliktet me njëra tjetrën. Ajo që propozonte Schuman ishte krijimi i një institucioni europian mbikombëtar, i cili do të administronte industrinë e prodhimit të qymyrit dhe çelikut, sektor i cili në atë kohë ishte baza e fuqisë ushtarake.Vite më vonë, në Samitin e Milanos në 1985, krerët e BE-së vendosën që data 9 maj të shpallej dhe festohej si Dita e Europës. Këtë vit, kjo ditë u përkujtua kur BE po kalonte momente tepër të vështira. Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier u shpreh i shqetësuar seriozisht në lidhje me "krizën" që po zien aktualisht në Europë. Brenda familjes punët nuk duken mirë - në këtë pikë pleqtë e familjes janë të një mendimi. "Nëse do ta kemi edhe pas një viti Bashkimin Europian që njohim sot, kemi arritur shumë", paralajmëroi Ministri i Jashtëm gjerman. Kriza ekonomike, "matja globale e forcave " në vendet e trazuara si në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme, e "shpërbërja e perceptuar e kufijve" për shkak të globalizimit, shkaktojnë tek popujt e Evropës "frikën e humbjes së kontrollit". Populizmi i djathtë që bren përfytyrimet që ka Evropa për veten, është një tregues i këtyre shqetësimeve. Jean-Claude Juncker e krahason strukturën politike të BE-së me "pulovër të vjetër" që është në rrezik të shqepet nëse i tërheq një fije. Ndjenja themelore dramatike lidhet sidomos me referendumin që pritet të zhvillohet në Britaninë e Madhe. Jean-Claude Juncker beson se britanikët nuk janë në gjendje të vlerësojnë pasojat e një daljeje nga BE-ja. "Ideja se edhe pas një rezultati negativ çdo gjë do të vazhdojë si deri tani është e gabuar", theksoi ai. "Kushdo që largohet nga tryeza, nuk mund të hajë më në këtë tryezë"-potencoi Juncker. Votimi i britanikëve në qershor për çështjen nëse dëshirojnë të mbeten pjesë e BE-së, ka ngjallur frikën, se ky mund të jetë fija e parë e shthurjes së pulovrës së vjetëruar të BE.

Spikeri

Javën e kaluar, në Athinë janë kthyer buzëqeshjet pas përfundimit të samitit të Eurogrupit, i cili për herë të parë ka qenë shumë pranë mbylljes së marrëveshjes për vlerësimin e programit të Greqisë dhe zhbllokimit të kësteve të paketës së ndihmës financiare, ndërsa gjithashtu për herë të parë është hapur zyrtarisht një bisedë për lehtësimin e borxhit kolosal të vendit. Pas aprovimit të reformave nga Parlamenti grek, shumica e ministrave të Eurogrupit janë shprehur dakord për një formë të lehtësimit të borxheve, duke i dhënë Greqisë një periudhë kohore për maturimin e obligacioneve nga 2018, në qoftë se vendi arrin deri atëherë teprica primare, lëvizje këto që do të vendosen në një samit të ardhshëm më 24 maj. Përkundrejt kërkesës së FMN për masa shtesë përtej vitit 2018 në rast se nuk arrihen objektivat, Greqia ka propozuar dhe pranuar një mekanizëm i cili do të shkurtojë automatikisht pagat dhe pensionet. Përsa i përket qëndrueshmërisë së borxhit grek, që këtë vit pritet të jetë në 182.8% të GDP, Eurogrupi publikon katër skenarë, prej të cilëve, më i keqi e çon atë në vitin 2060 në 268% të PBB; dhe më optimisti në vetëm 65%. Megjithatë, barra do të vazhdojë të rëndohet mbi kurrizin e popullit grek. Pensionistët janë të zemëruar, sindikatat organizojnë greva masive. Greqia sërish përballet me fytyrën e ashpër të krizës. Ata grekë që preken nga reforma ankohen për shkurtime të dhimbshme, ndërsa për kreditorët shkurtimet nuk janë të mjaftueshme. Nën ndikimin e kreditorëve në vitet e fundit kanë ndryshuar shumë gjëra në sistemin grek të pensioneve. Mosha e pensionit është rritur në 67 vjeç –por për të siguruarit që janë futur në tregun e punës pas vitit 1993. Mesatarisht pensionistët marrin sot 25% më pak pension, se para krizës, me pasojë që çdo i dyti pensionist ndodhet nën kufirin e varfërisë. Sikur të mos mjaftonin shkurtimet e pensioneve, parlamenti grek miratoi edhe rritje tatimesh për benzinën, cigaret, televizionin kabllor dhe lojërat e fatit. Aktualisht debatohet edhe për një tatim të internetit dhe një kontribut të posaçëm bankar për transfertat. Taksa mbi vlerën e shtuar po ashtu do të rritet në 24%. Në vitet 2010 dhe 2012, huadhënësit ndërkombëtarë për të shpëtuar ekonominë greke i dhanë Greqisë një hua prej 240 miliardë euro, por edhe kjo ndihmë nuk ka mundur ta shpëtojë këtë vend.

Spikeri

Javën e kaluar u thelluan mosmarrëveshjet BE-Turqi. Presidenti i Turqisë akuzoi BE-në se është i pasinqertë sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave për shtetasit turq. Rexhep Taip Erdogan tha se Turqia i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave me BE-në, por shtoi se Ankararja kurrsesi nuk do të pranojë të ndryshojë ligjin për terrorizmin. Turqia dhe BE janë përballur me njëri-tjetrin mbi marrëveshjen e propozuar për lejimin e lëvizjes së lirë të turqve në vendet e zonës “Schengen”, një lëshim vendimtar nga blloku në mënyrë që të sigurohet se, Turqia do të përpiqet të ndalë fluksin e emigrantëve. Erdogan ka paralajmëruar se mund të bjerë poshtë e gjithë marrëveshja për emigrantët, nëse europianët nuk do të përmbushin premtimet e tyre. Ai tha se Turqia do të ndiqte rrugën e saj, nëse vizat nuk do të hiqeshin brenda muajit tetor. Nga ana e tij, kreu i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, është shprehur se Brukseli po pret që Turqia të tërhiqet nga kushtet e saj, përfshi këtu ndryshimin e ligjeve të saj anti-terror. Por presidenti turk Erdogan ka kritikuar edhe njëherë BE për presione ndaj vendit të tij për të ndryshuar ligjet kundër terrorizmit, duke thënë se BE është "duke anashkaluar demokracinë" në fushatën kundër terrorizmit. BE-ja kishte kërkuar nga Turqia që të qartësonte përkufizimin e kësaj të fundit mbi termin terrorizëm, në mënyrë që të kualifikohej për mundësinë e heqjes së vizave, si pjesë e një marrëveshje më të gjerë mes të dy palëve, që do të shërbente për lehtësimin e krizës së emigrantëve në Europë, më e rënda që prej Luftës së Dytë Botërore. Marrëveshja mes BE-së dhe Turqisë përfshin rikthimin e emigrantëve, kryesisht refugjatë sirianë, nga Greqia për në shtetin e shtrirë në dy kontinente, duke llogaritur këtu edhe një rritje të theksuar të ndihmave dhe masave të tjera për ata që strehohen tashmë në Turqi. E gjitha kjo do të bëhej me një lëshim, që do t’u mundësonte shtetasve turq lëvizjen e lirë për qëndrime afatshkurtra turistike në vendet e zonës “Schengen”. BE-ja ka bërë të ditur së fundmi se dëshiron prej Turqisë të përcaktojë me fjalë më të përqendruara kuptimin e gjerë të fjalës terrorizëm, në mënyrë që t’i përafrohet me standardet e BE-së. Ky ishte edhe njëri prej 5 kritereve të BE-së, që Turqia ende nuk i ka përmbushur në mënyrë që t’i mundësohet lehtësimi i vizave.

Spikeri

Në Britani javën e kaluar u zhvillua një samit ndërkombëtar antikorrupsioni, me synimin për të përshkallëzuar veprimet globale në luftën kundër tij në të gjitha fushat e jetës, por ajo që përbën lajm për mediat britanike, ishte pikërisht kapja me zë e me figurë e kryeministrit David Cameron, teksa i thoshte mbretëreshës Elizabet se “në samit do të marrin pjesë edhe udhëheqësit e disa vendeve ‘tmerrësisht të korruptuara’, përfshi Nigerinë dhe Afganistanin”. “Do të kemi të ftuar nigerianët, realisht do të kemi udhëheqës nga disa vende tmerrësisht të korruptuara, që do të shkelin në Britani”, vijoi më tej David Cameron, duke mos u ndalur. Ai shtoi: “Nigeria dhe Afganistani janë ndoshta dy vendet më të korruptuara në botë”. Presidenti i Nigerisë Muhammadu Buhari tha se nuk dëshiron ndjesën e askujt, pasi kryeministri britanik David Cameron e cilësoi vendin e tij si të korruptuar në mënyrë fantastike. Në fjalën e tij gjatë samitit antikorrupsion në Londër, Buhari tha se i intereson më shumë kthimi i aseteve të vjedhura nga vendi i tij dhe që gjenden aktualisht në bankat britanike. "Ç’më hyn në punë një ndjesë? Më duhet diçka e prekshme”, deklaroi Buhari, duke iu referuar përpjekjeve për të rimarrë paratë që nga Nigeria janë vendosur në bankat britanike. Më herët organizata “Transparency International” kritikoi komentet e Cameron, duke akuzuar Londrën se është pjesë e problemit të korrupsionit, pasi garanton një parajsë të sigurt për paratë e korrupsionit qoftë në Britaninë e Madhe apo territoret e saj në ishuj të ndryshëm. Pikërisht këtë theksoi edhe Presidenti nigerian Buhari, duke thënë se paratë që vidhen nga Nigeria pastrohen përmes qendrave botërore financiare. Edhe presidenti i Afganistanit, Ashraf Gani, u shpreh i fyer nga komentet e kryeministrit britanik dhe deklaroi se një pjesë e madhe e korrupsionit në Afganistan është pasojë e kërkesës së madhe për lëndë narkotike në vendet perëndimore dhe pasojë e ndërhyrjeve të qeverive dhe mafias perëndimore në Afganistan.