Barca arrin në krye
https://parstoday.ir/sq/news/uncategorised-i1537-barca_arrin_në_krye
Barcelona e ka fituar kryendeshjen e javës së 22-të në La Liga kundër Atletico Madridit (2-1), në një takim ku skuadra mysafire mbeti me nëntë lojtarë.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Janar 30, 2016 18:17 Europe/Tirane
  • Barca arrin në krye

Barcelona e ka fituar kryendeshjen e javës së 22-të në La Liga kundër Atletico Madridit (2-1), në një takim ku skuadra mysafire mbeti me nëntë lojtarë.

Ishte një fillim fantastik i skuadrës vizitore që arriti t’i heshtë tifozët e shumtë vendas në stadium. Harkimi i Saul shkoi drejt Griezmannit dhe pastaj te Koke, i cili ishte i saktë me goditjen e tij për t’ia dhënë avantazhin Los Rojiblancos (10’). Nikoqirët e shtuan presionin nga pranimi i golit duke e kërkuar me çdo kusht barazimin dhe këtë arritën ta bëjnë përmes një aksioni shumë të bukur. Pas një sulmi të vendasve, Neymar pasoi te Alba, i cili e gjeti për mrekulli Lionel Messin në zonë dhe superylli argjentinas nuk fali (30’). Ky ishte goli i njëmijtë i shënuar nga dy futbollistët më të mirë në botë, Leo Messi dhe Cristiano Ronaldo. Angazhimi i të dyja palëve vazhdoi, por ishin vendasit ata që shënuan. Luis Suarez arriti të realizojë për epërsinë e vendasve (38’). Por, e gjithë merita i takoi Dani Alvesit, i cili dhuroi një asistim fantastik nga largësia, ndërsa uruguaiani ia futi topin nën këmbë portierit mysafir. Edhe më keq për vizitorët u bë kur Filipe Luis u përjashtua me karton të kuq (44’). E gjitha ndodhi kur futbollisti brazilian bëri një ndërhyrje të vrazhdë në Messin dhe arbitri me lehtësi e nxori kartonin e kuq. Përkundër inferioritetit numerik në fushë, Los Rojiblancos vazhduan të ishin të rrezikshëm në gjysmën e dytë. Porse përjashtimi i Diego Godin me kartonin e dytë të verdhë (65’) hodhi poshtë çdo mundësi të tyre për ta barazuar rezultatin pasi luanin me nëntë lojtarë. Sulmet e Blaugranëve ishin të vazhdueshme në minutat e mbetura, megjithatë gola të tjerë nuk pati. Ky triumf e forcon Barcelonën në krye të tabelës me 51 pikë, tri më shumë se Atletico Madridi. Nuk duhet harruar se katalunasit kanë edhe një ndeshje më pak të zhvilluar.