Europa në javën që kaloi...57
Me përshëndetje për ju të nderuar dëgjues, po fillojmë emisionin tonë të përjavshëm kushtuar zhvillimeve më të rëndësishme të javës së kaluar në Europë.
Spikeri
Javën e kaluar, Parlamenti polak ka hequr me ligj postin e Prokurorit të Përgjithshëm, deri tani i pavarur nga qeveria. Në këtë mënyrë, Ministrit të Drejtësisë i shtohet një post i ri. Ky vendim u miratua me votat e 257 deputetëve të partisë djathtiste në pushtet, Drejtësi dhe Ligj. Më parë BE e kishte paralajmëruar Poloninë që të mos e miratonte një ligj të tillë. Ky ishte edhe një hap tjetër i qeverisë konservatore për ta përqendruar sa më shumë pushtetin në duart e veta. Pas paralizimit të Gjykatës Kushtetuese, kthimit të mediave publike në transmetues të qeverisë dhe shfuqizimin e neutralitetit politik të nëpunësit të shtetit, partia qeverisëse në Poloni po krijon një instrument të ri, që mund të vihet në përdorim në mënyra të ndryshme: Ministri i Drejtësisë, në të ardhmen, merr edhe detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, pra ushtron njëkohësisht të dy postet. Miratimi i ligjit në fjalë ka shkaktuar reagime të ashpra nga BE. Komisioni Europian këtë veprim të Parlamentit polak e cilësoi si shkelje të parimeve të demokracisë dhe kërcënoi se Varshava do të dënohet nga instancat e larta të BE. Por kryeministrja e Polonisë Beata Szydlo, duke reaguar ndaj këtyre kërcënimeve tha se Polonia nuk do të gjunjëzohet përballë çdo kërcënimi. Partia djathtiste në pushtet në Poloni, e quajtur Drejtësi dhe Ligj, nuk hedh slogane kundër BE, por në praktikë po merr vendime që janë në kundërshtim me frymën dhe principet e BE dhe që e çojnë Varshavën drejt një rruge konfrontimi me Brukselin. Qëkur erdhi në pushtet partia Drejtësi dhe Ligj, kryetari i saj Jaroslav Kaczynski, deklaroi se në vend po sundojnë "polakët e vërtetë". Shprehje të tilla janë një sinjal alarmi: nacionalizmi ekstrem dhe përjashtimi i të tjerëve tregojnë karakterin e kësaj partie në pushtet. Polonia është përfituesja më e madhe e ndihmave neto të BE në të gjithë Evropën. Bashkimi Europian nuk ka mundësi që të vendosë zyrtarisht sanksione financiare ndaj Polonisë, por ndoshta në të ardhmen do zbulohen gabime të ndryshme në kërkesat e ardhshme polake për projekte.
Spikeri
Javën e kaluar, presidenti i Ukrainës deklaroi se e vetmja rrugë për kthimin e Luhanskut dhe Donetskut nën sovranitetin e Kievit është dialogu politik dhe shtoi se konflikti ushtarak nuk do ta zgjidhë krizën në lindje të Ukrainës. Presidenti Petro Poroshenko ka deklaruar këtë të hënë se Ukraina po përballet me një situatë të vështirë e të pasigurtë, në përpjekje për të mbrojtur strategjitë ruse për të mposhtur Ukrainën e për të minuar marrëdhënien e saj me Europën. Poroshenko shtoi: “Kemi ecur në këto 24 vite pavarësi njësoj si të ishim duke ecur në mbi akull. Kemi kuptuar se edhe pakujdesia më e vogël për ne mund të jetë fatale. Lufta për pavarësi ende vijon dhe ne mund të fitojmë vetëm nëse bashkohemi në mbrojtje, në përpjekje diplomatike, nëse kemi përgjegjshmëri politike dhe nëse ruajmë kontrollin e veprimeve tona”. Presidenti ukrainas shtoi se 50 mijë trupa ushtarake ruse qëndrojnë në kufirin mes dy vendeve dhe më shumë se 9 mijë të tjerë mbështesin rebelët pro-rusë ndërsa një konvoj i ri ushtarak është gjurmuar javën e shkuar në kufi me Ukrainën. Deklaratat e Poroshenkos u bënë pasi Kievi dhe Moska arritën një marrëveshje për shkëmbimin e robërve të luftës. Javën e kaluar, me një shkëmbim të burgosurish që kishte vënë në ethe për javë të tëra diplomacinë ndërkombëtare, Rusia dhe Ukraina kanë hapur një fazë të re marrëdhëniesh dypalëshe, të karakterizuara edhe nga disa momente paqeje në konfliktin mes tyre. Negociatat kanë zgjatur disa javë dhe Moska liroi piloten ushtarake ukrainase Nadezhda Savchenko, e cila ishte dënuar në Rusi me 21 vjet burg për pjesëmarrje në vrasje, në sulmet në lindje të Ukrainës. Ndërsa Kievi, nga ana e tij, ka liruar dy agjentë sekretë rusë, Alexander Alexandrov dhe Yevgeni Yerofeev, edhe ata të dënuar nga një gjykatë ukrainase sërish për konfliktin mes dy vendeve. Presidenti ukrainas premtoi ndër të tjera rimarrjen e Krimesë, zonë e aneksuar në vitin 2014 nga Rusia, si edhe pjesën lindore të Ukrainës, nën kontrollin e separatistëve prorusë, në të njëjtën mënyrë siç u mundësua lirimi i pilotes Nadia Savtchenko, e arrestuar prej dy vitesh në Rusi.
Spikeri
Javën e kaluar, zëdhënësi i Kremlinit Dimitri Peskov dënoi ftesën e NATO-s për anëtarësimin e Malit të Zi në këtë aleancë ushtarake perëndimore dhe deklaroi se ky veprim mund të shtojë tensionet në Europë. Peskov deklaroi se Rusia e konsideron si një akt agresiv çdo zgjerim të NATO-s drejt lindjes së Europës. NATO ftoi zyrtarisht shtetin ballkanas të Malit të Zi, të bëhet anëtari i 29-të i aleancës, duke nënshkruar zgjerimin e shtatë në historinë e saj, pavarësisht kundërshtimeve të ashpra të Rusisë. Ceremonia e nënshkrimit në selinë e NATO-s, për ftesën për anëtarësim të Malit të Zi, koincidoi me fillimin e një takimi të ministrave të Jashtëm të aleancës, ndërkohë që edhe Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry e nënshkroi dokumentin në emër të Shteteve të Bashkuara. Që prej krijimit të NATO-s në vitin 1949, tashmë kjo aleancë ushtarake është zgjeruar nga 12 vende themeluese deri në anëtarin e 29, duke thithur në vetvete edhe shumicën e ish-aleatëve të Kremlinit në ish-bllokun lindor komunist. Të fundit që janë anëtarësuar në NATO kanë qenë Shqipëria dhe Kroacia, në vitin 2009. Rusia ka shprehur irritimin e saj ndaj anëtarësimit të Malit të Zi, për shkak të shqetësimeve për lëvizjen e shtuar të NATO-s kah kufiri i Rusisë, duke e vlerësuar këtë si kërcënim. Rusia e ka akuzuar aleancën atlantiko-veriore se po përpiqet të rrethojë atë dhe kombet aleate të Moskës, si Serbia, si dhe është angazhuar se do të bëjë gjithçka të nevojshme për të mbrojtur sigurinë e saj kombëtare dhe interesat e saj. Sergei Zheleznyak, një deputet i shquar i Parlamentit rus, tha se vendit të tij do t’i duhet të alternojë marrëdhëniet me Malin e Zi, historikisht aleat i Rusisë, tashmë që vendi ballkanas do t’i bashkohet NATO-s pa zhvilluar më herët një referendum kombëtar. “Nëse infrastruktura ushtarake e NATO-s do të vendoset atje, ne do të duhet të përgjigjemi duke kufizuar kontaktet tona në fushat ekonomike por edhe të tjera”-tha Zheleznyak. Ndërkohë, zyrtarë të tjerë rusë kanë thënë se Moska duhet të ndalojë disa importe nga Mali i Zi dhe të vendosë sanksione të tjera tregtare. Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO do të ishte një tjetër goditje e rëndë për interesat e Rusisë në rajonin e Ballkanit, ku duket se tashmë vetëm Serbia ka mbetur aleate e Moskës.
Spikeri
Sekretari i sigurisë kombëtare të SHBA Jeh Johnson deklaroi se Amerika dhe Gjermania kanë arritur një marrëveshje të re për shkëmbimin e informacioneve në kuadër të luftës kundër terrorizmit. Johnson pas takimit në Uashington me ministrin e Brendshëm gjerman Thomas De Maiziere, deklaroi se terrorizmi është kthyer në një kërcënim për gjithë botën. Sekretari i sigurisë kombëtare të SHBA në një konferencë të përbashkët shtypi me ministrin e Brendshëm gjerman Thomas De Maiziere, mirëpriti angazhimin më të madh të vendeve europiane për të bashkëpunuar në liftën kundër terrorizmit dhe përgëzoi marrëveshjen e Parlamentit Europian për shkëmbimin e të dhënave personale të udhëtarëve në linjat ajrore të BE. Sekretari i sigurisë kombëtare të SHBA Jeh Johnson deklaroi se pas sulmeve terroriste në Paris dhe Bruksel, europianët janë shprehur të gatshëm të jenë më aktivë në luftën kundër terrorizmit dhe në këtë drejtim po bashkëpunojnë me SHBA. Ministri i Brendshëm gjerman Thomas De Maiziere u takua edhe me sekretaren amerikane të Drejtësisë Loreta Lynch ku u diskutua për luftën kundër terrorizmit dhe për ndaljen e propagandave terroriste në internet. Dy ministrat nënshkruan edhe një marrëveshje bashkëpunimi.
Spikeri
Javën e kaluar, një raport i klasifikuar sekret i agjensisë Europol bënte me dije se afro 800.000 emigrantë të bllokuar në Libi po tentojnë që të lundrojnë ilegalisht në Europë. Sipas dokumentit të publikuar, 90% e klandestinëve mund të përdorin barkat e trafikantëve për të lundruar drejt kontinentit të vjetër, ndërkohë që me shqetësim shihet edhe mundësia e rritjes së rrezikut terrorist, në kushtet kur në Libi ka të paktën 2.000 pjesëtarë të grupit terrorist ISIS. Materiali është siguruar nga disa aktivistë që mbështesin daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja, dhe theksohet se 90% e klandestinëve pritet që të udhëtojnë drejt kontinentit të vjetër përmes barkave të trafikantëve.Ata japin alarmin se një gjë e tillë mund të rrisë edhe rrezikun që Europa të goditet sërish nga sulmet terroriste, duke parë prezencën gjithnjë e në rritje të ISIS në Libi. Grupi terrorist ISIS ka arritur që të vërë nën kontrollin e tij një sasi të konsiderueshme të territorit libian. Aktualisht BE-ja po has jo pak probleme në menaxhimin e situatës aktuale të krijuar nga emigrantët që largohen nga zonat e konfliktit në Lindjen e Mesme, ndaj një valë prej 800.000 refugjatësh mund t’ua vështirësojë edhe më shumë punën shteteve europiane. Përgjatë muajve të fundit, në Europë kanë mbërritur edhe klandestinë nga Afrika, por numri i tyre ka qenë mjaft i ulët në krahasim me mijëra azil-kërkues nga Siria, Iraku dhe Afganistani.
Spikeri
Javën e kaluar, në qytetin e Selanikut në Greqi u zhvillua ceremonia e nisjes zyrtarisht të punës për ndërtimin e gazsjellësit TAP. Në ceremoni morën pjesë drejtuesit e qeverive të vendeve ku ky gazsjellës do të kalojë, që nga Azerbajxhani, Gjeorgjia, Turqia, Greqia dhe Shqipëria. Gazsjellësi është 878 kilometra i gjatë, nga të cilat 550 kilometra janë në Greqi, 215 kilometra në Shqipëri, 105 kilometra nën det dhe 8 kilometra në Itali. Sipas planit, nga viti 2020 Europa do të marrë gaz natyror nga Deti Kaspik përmes gazsjellësit Transadriatik TAP. Duke anashkaluar Rusinë, TAP do të sjellë gaz nga Deti Kaspik përmes veriut të Greqisë dhe Shqipërisë deri në jug të Italisë dhe atje do të hyjë në rrjetin ekzistues europian. Livrimet e para nga fusha azerbajxhanase e gazit Shah Deniz, që llogaritet me një vëllim prej një miliard metra kub, priten në fillim të vitit 2020. Gazsjellësi transadriatik do të sigurojë deri 20 për qind të nevojës europiane për gaz. Nga 880 kilometrat tubacion, 540 kalojnë në Greqi duke i dhënë kështu vendit të goditur nga kriza një rol kyç në zbatimin e projektit. Që në vitin 2013 Greqia, Shqipëria, Italia dhe Athina nënshkruan një marrëveshje dhe kështu shprehën qartë vullnetin dhe mbështetjen politike për projektin miliardësh. Vitet e ardhshme Europa do të ketë nevojë për 100 miliardë metra kub gaz shtesë dhe çdo livrim gazi e çdo rrugë e re janë të mirëpritura. Me këtë projekt, Europa synon të reduktojë varësinë e saj nga gazi rus.
Spikeri
Javën e kaluar, dhuna ka shpërthyer në shumë qytete në Francë derisa qindra-mijëra njerëz kanë dalë në rrugë në protestat kundër reformave të punës që shihen si diskriminim në të drejtat e punëtorëve. Shumë njerëz janë lënduar kur policia dhe protestuesit u përleshën në Paris, Rennes dhe Nantes. Raportohet për protesta në 200 qytete franceze pas ndryshimeve në ligjin e punës. Në krahun tjetër qeveria franceze këmbëngul se do t’i qëndrojë besnike versionit të vet në lidhje me reformat e punësimit. Reformat ligjore që kërkon të ndërmarrë kabineti qeveritar i japin të drejtën punëdhënësit të pranojë dhe të shkarkojë punëtorët sipas dëshirës. Qeveria thotë se kjo lehtëson punëdhënësit dhe në këtë mënyrë ulet numri i të papunëve, por sipas sindikatës së punëtorëve, ky ligj nuk mbron aspak punëtorët. Që nga grevat e taksistëve, pilotëve të avionëve apo protestat e profesionistëve të lirë, shumë sindikata kanë kundërshtuar reformimin e ligjit të punës. CGT dhe Sud Rail që janë dy linjat hekurudhore kryesore në Francë kanë kërcënuar se mund të paralizojnë trafikun në rast se kërkesat e tyre ekonomike nuk do të merren parasysh. Por kanë paralajmëruar gjithashtu protesta edhe punëtorët e zonave industriale, të rafinerive të naftës në Francë.