Amerika në një vështrim të brendshëm...58
https://parstoday.ir/sq/news/uncategorised-i16297-amerika_në_një_vështrim_të_brendshëm...58
Me përshëndetje për ju të nderuar dëgjues, po fillojmë emisionin tonë të përjavshëm ku do të trajtojmë zhvillimet më të rëndësishme politike, ekonomike dhe sociale në SHBA gjatë javës që lamë pas.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Qershor 01, 2016 22:24 Europe/Tirane
  • Amerika në një vështrim të brendshëm...58

Me përshëndetje për ju të nderuar dëgjues, po fillojmë emisionin tonë të përjavshëm ku do të trajtojmë zhvillimet më të rëndësishme politike, ekonomike dhe sociale në SHBA gjatë javës që lamë pas.

Spikeri

Më në fund, pasi kaluan 25 mijë e 841 ditë nga bombardimi atomik në Hiroshima, Barack Obama u bë presidenti i parë amerikan që viziton Hiroshimën që pas hedhjes së bombës bërthamore në vitin 1945, që i dha fund Luftës së Dytë Botërore, mirëpo ai u prit me protesta anti-amerikane në këtë vend. Shefi i Shtëpisë së Bardhë mbërriti fillimisht në bazën amerikane Iwakuni, pasi la samitin e G7-ës, ku u kujdes që të theksojë se nuk do të kërkojë falje për bombardimet. “Vizita ime është një dëshmi që tregon sesi edhe ngjarjet më të dhimbshme që na ndajnë, mund të kthehen në ura lidhëse”, u shpreh ai duke shtuar se nuk do të kërkojë ndjesë për sulmet. I shoqëruar nga kryeministri japonez Shinzo Abe, Obama vizitoi fillimisht Memorialin e Paqes, më pas u ndal tek Parku i Paqes, ku të dy liderët nderuan të rënët përballë “Flakës së Përjetshme”. Më herët, presidenti amerikan deklaroi nga baza amerikane, 40 kilometra larg Hiroshimas se vizita e tij ishte "një nderim dhe kujtim për të gjithë ata që humbën jetën në Luftën e Dytë Botërore". “Është një mundësi për të konfirmuar zotimin tonë drejt paqes dhe sigurisë për një botë ku armët bërthamore nuk do të jenë më të nevojshme”, u shpreh ai. Obama vlerësoi aleancën me japonezët. “Është një ndër më të fortat në botë dhe vizita tregon sesi dy kombe, dikur kundërshtarë, jo vetëm që mund të bëhen partnerë, por edhe miq të mirë”, u shpreh ai. Të paktën 140 mijë persona gjetën vdekjen nga bomba e hedhur në Hiroshima më 6 gusht të 1945, bomba e parë bërthamore që do të pasohej me atë të hedhur në Nagasaki dy ditë më vonë, ku 74 mijë të tjerë do të gjenin vdekjen.

Spikeri

Zgjedhja e Donald Trump si kandidat i republikanëve për zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka shkaktuar shock të madh tek republikanët që e kundërshtojnë atë. Javën e kaluar, kandidati republikan për President, Donal Trump, ka arritur numrin e nevojshëm të delegatëve për tu emëruar kandidati zyrtar i Partisë Republikane në garën e madhe presidenciale të nëntorit 2016. Republikanët do të zyrtarizojnë zgjedhjen e tyre pasi të votojnë delegatët në Konventën e kësaj partie më 18 Korrik. Trump do të garojë për postin e Presidentit me njërin nga kandidatët demokratë, ish-Sekretaren Amerikane të Shtetit Hillary Clinton dhe senatorin e Vermontit Bernie Sanders, të cilët janë në garë për të zyrtarizuar kandidaturën e tyre në Partinë Demokratike. Nuk kaloi shumë, pas zyrtarizimit si i nominuari i Partisë Republikane në zgjedhjet presidenciale të nëntorit dhe Donald Trump lëshoi një tjetër deklaratë nga ato që lënë shteg për diskutime. “Nëse zgjidhem president, - tha miliarderi njujorkez, - do të punoj për ndryshimin e marrëveshjes së klimës”, të vulosur mes shumë vështirësish në Paris. Trump u mbështet te plani i tij i energjisë, një sektor ku qeveria e Obamës - siç tha ai, - nuk duhet të përcaktojë cilët do të jenë fituesit e cilët humbësit. ''Në Presidencën time, ne do të arrijmë një Amerikë krejtësisht të pavarur sa i takon energjisë. Obama i futi Shtetet e Bashkuara në marrëveshjen e klimës në mënyrë totalisht të njëanshme, pa miratimin e Kongresit. Ujdia i jep burokratëve të huaj të drejtën të kontrollojnë sa mund të përdorim ne nga energjia jonë, e kjo është e papranueshme”, tha Trump. Republikani po shqyrton ndërkohë mundësinë e një debati televiziv me Bernie Sanders në Kaliforni, shfaqje kjo që do të anashkalonte kryesuesen e garës për nominim në kampin demokrat, Hillary Clinton. Trump e cilësoi kaotike situatën në SHBA dhe theksoi se Obama ka ndjekur politikë katastrofale sa i përket ekonomisë së jashtme, politikës së jashtme dhe çështjes së emigracionit. Padyshim, të tilla deklarata kanë shkaktuar reagimin e presidentit të SHBA. Nga Japonia, presidenti amerikan Barack Obama deklaroi se liderët ndërkombëtarë “kanë arsye të forta për tu tronditur nga deklaratat e kandidatit republikan për president Donald Trump”. Duke folur përpara samitit të G7 në Japoni, Obama tha se Trump ka mbajtur një qëndrim arrogant dhe injorant ndaj çështjeve botërore, duke shtuar se udhëheqësit e huaj janë befasuar nga emërimi i tij si kandidat i Partisë Republikane. “Ata nuk janë të sigurt se sa seriozisht duhet të marrin disa nga deklarimet e tij, por janë të tronditur dhe kanë arsye për këtë, sepse pjesa dërrmuese e qëndrimeve të tij në çështje të rëndësishme globale ose kanë qenë arrogante ose injorante”, u shpreh presidenti amerikan. Obama tha se interesi i vetëm i Trump është të marrë komente në rrjetet sociale dhe vëmendje mediatike, në vend që të interesohet dhe të mendojë për atë që duhet bërë për sigurinë dhe begatinë e Amerikës. Presidenti amerikan gjithashtu minimizoi shqetësimet e Partisë Demokratike në lidhje me luftën elektorale mes Hillary Clinton dhe Bernie Sanders gjatë primareve. Ai theksoi se herë pas here njerëzit konfliktohen në garë. Por Obama këmbënguli se një nga dallimet kryesore midis demokratëve dhe republikanëve këtë vit është fakti se kandidatët demokratë nuk janë aq larg ideologjikisht. Republikani Donald Trump po shqyrton ndërkohë mundësinë e një debati televiziv me demokratin Bernie Sanders në Kaliforni, shfaqje kjo që do të anashkalonte kryesuesen e garës për nominim në kampin demokrat, Hillary Clinton.

Spikeri

Fushata e kandidatit republikan Donald Trump është përfshirë sërish nga dhuna, teksa mbështetësit dhe kundërshtarët e tij janë përplasur në prag të një takimi që miliarderi zhvilloi në San Diego të Kalifornisë. Situata nuk u përshkallëzua falë ndërhyrjes së shpejtë të forcave të sigurisë, të cilët shoqëruan edhe 35 persona në ambientet policore. Protestuesit ishin kryesisht me origjinë meksikane dhe kundërshtojnë premtimin e Trump për të ndërtuar një mur përgjatë gjithë kufirit jugor me Meksikën. Mbështetësit dhe kundërshtuesit e kandidatit republikan në garën presidenciale të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, janë përplasur sërish në prag një takimit elektoral që miliarderi zhvilloi në San Diego të Kalifornisë. Dy grupimet qëlluan fillimisht me gurë dhe sende të forta në drejtim të njëri-tjetrit, por falë ndërhyrjes së shpejtë të forcave të sigurisë gjithçka u neutralizua. Në bazë të një komunikimi zyrtar, efektivët shoqëruan edhe 35 persona në ambientet policore. Protestuesit ishin kryesisht me origjinë meksikane dhe kundërshtojnë premtimin e Trump për të ndërtuar një mur përgjatë gjithë kufirit jugor me Meksikën, me qëllim parandalimin e emigracionit të jashtëligjshëm. Miliarderi kontrovers zhvilloi një takim me mbështetësit ku sulmoi edhe njëherë rivalen e tij kryesore nga kampi demokrat, Hilari Clinton. Ai u shpreh se kjo e fundit nuk ka një pamje presidenciale dhe se mezi pret që të përballet me të. Nga ana tjetër, kandidati demokrat Bernie Sanders, zhvilloi një takim elektoral në Kaliforni, në përpjekje për të mbajtur gjallë garën e tij. Senatori i Vermontit, ka shumë pak shpresa për të qenë përfaqësuesi i demokratëve në garën presidenciale, e megjithatë, ka deklaruar se nuk do të dorëzohet deri në fund. Kalifornia, e cila ka në total 546 delegatë gjithsej, mund të jetë mundësia e tij përfundimtare për të kthyer rezultatin, pavarësisht se një gjë e tillë duket thuajse e pamundur. Ish-sekretares së Shtetit, Clinton, i duhen vetëm 73 delegatë për t’u nominuar, ndërkohë që Sanders ka nevojë për plot 841 të tillë. Bernie Sanders, tha se veç tij nuk ka mundësi tjetër, nëse demokratët duan një kandidat që të mposhtë rivalin Donald Trump. Sanders theksoi gjithashtu faktin që ai nuk ka mbështetje nga komitete politike, ndërsa rivalja e tij Clinton ka mbledhur miliarda dollarë prej disa të tillëve. “Ne nuk përfaqësojmë shtresën e miliarderëve. Ne nuk përfaqësojmë Uoll Stritin. Ne nuk i duam paratë e tyre”, deklaroi Sanders para mbështetësve të tij, duke shtuar se nuk e ka të qartë si do të përballet Clintoni me grupet e interesit, duke qene se ka pranuar para prej tyre. Por, pavarësisht sulmeve, Sanders tha se nuk e përjashton mundësinë që të bëhet zëvendëspresident për Hillari Clinton. Senatori i Vermontit tha se aktualisht është i përqendruar tek zgjedhjet në Kaliforni, por nuk tha nëse do ta refuzonte këtë ofertë, nëse Clinton do t’ia bënte.

Spikeri

Në një moment kyç të fushatës elektorale në SHBA, Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi një raport, i cili deri diku mund të konsiderohet si një shuplakë për Hillary Clinton. Çështja e adresës së e-mailit të saj privat është rihapur, por këtë herë ishte hetimi zyrtar i DASH, i kryesuar nga inspektori i përgjithshëm, i cili ka akuzuar Hillary Clinton dhe ish-sekretarë të tjerë amerikanë të shtetit për menaxhim të dobët të sigurisë se e-mailit. Ndërsa, FBI po heton nëse ka pasur ndonjë shkelje të sigurisë apo jo. Raporti thotë se minimalisht Hillary Clinton duhej të kishte publikuar të gjitha e-mailet para se të linte shërbimin. Sipas DASH, Clinton ka dështuar në ndjekjen e rregullave pasi përdorimi i kësaj adrese personale është e ndaluar kategorikisht për postin e Sekretarit të Shtetit. Në këtë raport gjithashtu shkruhej se sekretari aktual i shteti John Kerry, por edhe paraardhësit e Clinton në këtë post Collin Powell dhe Condoleca Rice u morën në pyetje në lidhje me këtë çështje, ndërkohë që vetë kandidatja për president nuk ka pranuar të japë shpjegime përpara inspektorit të përgjithshëm. Clinton është kritikuar ashpër për përdorimin e adresës personale elektronike për çështje pune në periudhën kur shërbente si Sekretare e Shtetit Amerikan, pra nga viti 2009 deri në vitin 2013. Byroja Federale po heton nëse Clinton ka thyer apo jo ligjin në momentin kur ka përdorur serverin e shtetit nga banesa e saj. Sipas faqes politike në internet Rear Clear Politics, Clinton vlerësohet negativisht nga 55,8 përqind e amerikanëve. Vetëm 37,6 përqind e të pyeturve kanë një mendim pozitiv për të. Vlerat e kandidatit të pritshëm për president të republikanëve, Donald Trump janë vetëm pak më të këqija. Atë e vlerësojnë negativisht 58 përqind e amerikanëve, vetëm 35,4 përqind kanë një mendim pozitiv për të. Rezultatet tregojnë se shumë zgjedhës, edhe në partinë e Clintonit, nuk e duan ose nuk i besojnë asaj. Ndershmëria dhe besueshmëria janë problemi qendror i saj, prej të cilit rrjedhin të gjithë të tjerët. Vazhdimi i grindjes për mënyrën si ka vepruar Clintoni me llogarinë e E-Mailit në kohën kur ishte ministre e Jashtme, diskutimi për rolin e të ashtuquajturve superdelegatë demokratë, që do të votojnë për Clintonin si dhe problemet që ka ajo që ta fitojë më në fund garën me Sandersin, të gjitha varen nga predispozita bazë negative e shumë amerikanëve ndaj kandidates potenciale për presidente. Në një vit elektoral, të karakterizuar nga zemërimi popullor ndaj së ashtuquajturës shtresë të lartë apo elitë, Clintoni – ish-ministrja e Jashtme, senatorja dhe First Lady – paraqet një tabelë qitjeje politike të lehtë. Ky nuk është sinjal i mirë për Clintonin, sepse Trump do ta përdorë pa mëshirë “kartën e elitës drejtuese” kundër saj edhe në fushatën elektorale.

Spikeri

Ish presidenti amerikan Xhimi Karter, javën e kaluar paralajmëroi për rishfaqjen e racizmit të theksuar në Amerikë. Karter në një intervistë me gazetën New York Times, deklaroi se në tokën amerikane fshihen rezerva të mëdha të racizmit, një pjesë e të cilave po shfaqen aktualisht dhe Donald Trump është një pjesë e këtyre rezervave. Ai tha se zgjedhja e Barack Obamas në postin e presidentit të SHBA ishte një lëvizje para që shkaktoi reagime raciste të disa republikanëve, të cilët ende kundërshtojnë zgjedhjen e një presidenti zezak. Historia e SHBA, madje edhe para themelimit të këtij shteti 230 vjet më parë, është e lidhur fort me racizmin. Deri para 150 viteve Amerika ishte sistemi shtetëror racist dhe skllavo-pronar më i egër dhe më i organizuar. Më vonë, megjithëse skllavëria u shpall e paligjshme, asnjëherë racizmi nuk u zhduk nga shoqëria amerikane. Natyrisht, zhvillimet social-politike të disa dekadave të fundit në SHBA u bënë shkak që më në fund, një njeri me ngjyrë të zgjidhet president i këtij vendi. Megjithatë, fitorja e Obamës në zgjedhjet presidenciale të vitit 2008 nuk mundi ta zhdukë traditën e vjetër të racizmit dhe diskriminimit racor në SHBA.